Filloi një vit i ri!
Plot me besim e shpresë e prita mesnatën,
që hap përpara shtigjet e kohës!
Një vit i ri filloi: po në vend të gëzimit
më pushtoi frika, ankthi e droja
që në ditë të parë të vitit të ri, që erdhi…
E ne e kremtuam gjithë natën, i ri e i vjetër,
kohën që vdiq, e vrarë në zemrat tona.
Erdhi një vit i ri
pa ditë ku shkon!
Ku shkon njerëzimi, o Zot:
nga mllefi i kapërthyer,
nga dhuna i shkretuar,
i gërryer nga egoizmi?
Ku shkon njeriu, o Zot?
Kapur në kurth iluzionesh,
pështjelluar nga kimerat,
dehur nga fjalë pa mendim?
Ku shkon njerëzimi, o Zot,
që i pranon pa bëzajtë ethet edhe urinë,
sëmundjet edhe shfrytëzimin e mijëra njerëzve…?
Atyre, që mbi fytyrë
kanë vulën e pashlyeshme të fytyrës Sate?
Përgjigjmu, Zoti im,
e m’i hap sytë ta shoh
çka nuk e pashë në jetë.
Më ndihmo të flas
për një turmë zërash njerëzore, pa jehona,
që u zgjuan të përgjakur
në të katër skajet e tokës!
Ndihmomë t’ua kthej dinjitetin:
të ngushëlloj të munduarit,
dorën t’ua shtrijë e t’u jap emër!
E t’i hap para një kohë të re
njeriut që gaboi e u rrëzua…
Kështu, me këto zëra, o Zoti im,
ti më dhuron dritën e gjallë,
që t’i shoh udhët e Vitit të Ri
pa rënë në greminë e në hon,
ku bota shkon e rrokulliset
nëse dora jote e mëshirshme
s’e ndal, o Zot, që shëlbon!
All the contents on this site are copyrighted ©. |