2016-12-30 14:20:00

Shndërrohen vitet, para Shpellës së Betlehemit


E sjellim përsëri sivjet para Shpellës së Betlehemit vitin në kalim. E pas tij, edhe të riun, që ia zë vendin. Vitet i lëshojnë vendin njëri-tjetrit para  Grazhdit. Në shenjë falënderimi i vjetri; në kërkim hiri, i riu. Nuk ishte i lehtë viti që shkoi. Të shumta mendimet e këqija e punët e dhunshme të kryera gjatë 365 ditëve të tij, fshehur pas kuintave të skenës botërore. E edhe më të shumta gënjeshtrat, mllefet e vjetra e të reja, ruajtur nën hirin e moteve, që heret o vonë dalin doemos në shesh. Papa Françesku nuk pushoi s’e sinjalizuari njerëzimin për praninë e tyre tejet të rrezikshme. Gjë që, në dukje, u prit me duartrokitje, por pa i marrë aspak seriozisht paralajmërimet e pa asnjë përpjekje për t’i ndarë së bashku shqetësimet, që pastaj çuan në një shpërthim me pasoja tejet të rënda për të gjithë. Globalizimi, që dukej i realizuar nga tregjet, nga financa e nga interneti, u lëkund deri në themel në shkallë botërore, nga një shpërthim i paparë katastrofash njerëzore e natyrore, pasojë e shfrytëzimit mbarë e prapë të pasurive  të tokës e shkak i rritjes së paparë të numrit të emigrantëve që, për të shpëtuar jetën, ikin nga trojet e pajetueshme, duke shfryrë si uragan në të katër anët e globit.

Luftërat, që mendohej të ishin të shpejta e me rrugëzgjidhje të drejta, zvargen si motit: të pafundme e të papërfunduara, ashtu si vijojnë të lënë pas, si gjithnjë, gjurmë rrënojash e gjaku. Kjo edhe gjurma e hapit të fundit që na lë viti i vjetër, në kalim. Kur miliona hapa të reja shkelin në udhët e botës së pasur, e cila vijon të “pushtohet” nga  leckapanë të dëshpëruar, të pangrënë, të palarë e të paparë nga një botë, që përballë tyre e mbyll herë njërin sy e herë të dy, duke u përpjekur t’ia mbushë mendjen vetes se pamje të tilla tashmë janë shlyer nga faqet e historisë. Po ato vijojnë të shkruhen nga njerëz të mardhur, të sëmurë, të braktisur në fatin e tyre që, në vend të mikpritjes, ndeshen me mure të pakalueshme.

I vemë para Shpellës së Betlehemit këta njerëz, që të gjejnë një çast prehjeje e mirëkuptimi e, ndoshta-ndoshta edhe një strehë, aty pranë Zojës e Shën Jozefit, edhe ata të pastrehë...

E vemë tek këmbët e Foshnjës Hyjnore edhe ekuilibrin botëror, të lëkundur deri  në themel, të cilin njeriu, pasi e shkatërroi, nuk po di më ta rikrijojë.

Papa Françesku pati paralajmëruar se problemet kryesore do të ishin shfrytëzimi i parregullt i mjedisit e, sidomos, fenomeni i emigracionit, të cilin tashmë asnjeri nuk e merr guximin ta quajë emergjencë. E ky fenomen,   e zgjoi trembshëm nga jermi shoqërinë, e cila besonte se ishte në gjendje ta kontrollonte gjithçka, përmes financës e internetit, por që, papritmas, u ndodh para hendekut të intolerancës, në thellim të përditshëm ndërmjet partive e politikanëve.

Edhe partitë e politikanët po i vëmë para Grazhdit të Jezusit.... në këtë fundviti, e sidomos, në këtë fillim të një viti të ri...Që të mos mendojnë vetëm për vete!

Bota, ku i hapi përsëri sytë Krishti Fëmijë, është krejt ndryshe nga ajo, që dukej e që shpresohej një vit më parë. Kur bëhej fjalë për ndryshime, të cilat ende nuk po shihen në horizontet e kohës, që kalon pa kthim... Duke lënë pas një situatë tragjike martirizimi, krijuar nga lufta, situatë që duhet njohur me gjithë vërtetësinë, duke e treguar lakuriq të patreguarën. Duhet kujtuar, për shembull, se gratë janë dyfish viktima sepse, përveç vuajtjeve të tjera, që i pësojnë dhe burrat, duhet t’i bëjnë ball edhe shtatzanisë, duhet të mëkojnë ferishtet e ta mbrojnë jetën e tyre, në një kohë kur vdekja u zë pritë nga toka e nga qielli, nësa shkelin drejt së panjohurës me djepa në shpinë. E, në hapësirat e së panjohurës pësojnë çka për to është edhe më e keqe se vdekja, dhunën seksuale. E jo vetëm në viset ku sundon i vetëquajturi Shtet Islamik, por në çdo situatë: dhunohen nga fitimtarët e betejave, nga ata që organizojnë ikjet drejt Evropës e SHBA-ve, nga rojet e kufijve e të kampeve të strehimit e deri nga shokët e mjerimit. Duhet thënë me zë të lartë: emigrantet, që arrijnë gjithnjë më të shumta shtatzëna në viset e pasura, nxjerrin në dritë fëmijët e dhunuesve. Ky është mjerim, që ua kalon të gjitha mjerimeve të tjera. E kjo, popullsia e re e viseve të pasura!

T’i vëmë këto gra të stërmunduara krejt pranë Krishtit, në Shpellën e sivjetme të Betlehemit, për një çast prehjeje, si shpërblim për vuajtjet e tyre të pamerituara e edhe për ata që, ndoshta, i presin akoma. Duke u  uruar nga zemra që viti i ri të jetë më fatlum për to e fëmijët e tyre të pafaj.

E bëjmë këtë urim, para Shpellës së Betlehemit, me vetëdijen se as arritja në Evropë nuk i shpëton nga kjo torturë: mjafton t’i shikosh udhët e qyteteve tona plot me emigrante, gjithnjë më të reja, të detyruara të dalin në rrugë të madhe për të fituar, me para turpi, bukën e tyre të përditshme.

T’i lëmë të prehen një çast para Shpellës Betlehemit, këto madalena të modernizmit, duke iu lutur Krishtit fëmijë t’i shpëtojë nga humnera, ku i flakën njerëzit.

Këtë na kujton viti i vjetër, që largohet ngadalë, duke na lënë pas shpresën e një Shpelle, ku  Zoti-Foshnjë vjen pikërisht për ta shpëtuar njerëzimin nga pasojat e mëkateve, prej nga burojnë gjithë ato pamje, që sapo kaluan para syve tanë.

Pamje që nuk denoncohen, pamje për të cilat nuk flitet: shumë-shumë besohet të mbyllen duke shpërndarë ca kontraceptivë, si të ishin shkopi magjik, që i zgjidh të gjitha problemet: nga ai i emancipimit të grave, tek zhvillimi i vrullshëm ekonomik i vendeve të botës së tretë. E, natyrisht, edhe problemin kaq të mprehtë të përdhunimeve.

Për fat të bardhë ka shumë gra - e posaçërisht murgesha - që u vinë në ndihmë këtyre fatzezave të vuajtura, të fyera, të poshtëruara, por, për fat të zi, mungon akoma denoncimi publik, vetëdija që vë në lëvizje opinionin për t’i dhënë fund këtij shkandulli. Shumëkush sillet sikur kjo pjesë  “e dhunuar e botës” të ishte haraç i domosdoshëm, që duhet paguar në këto rrethana, ku na gjeti e na la viti 2016. Që i dorëzon vitit-foshnjë 2017 këtë   thes problemesh të pazgjidhura. Prej këndej, bota mjaftohet të kujtojë emigrantët në përgjithësi, por hesht për kalvarin e grave e të vajzave, që vijon. E ç’është më keq, heshtin edhe gratë perëndimore, të cilat nuk harrojnë të ankohen për pengesat që u dalin para, kur sulmojnë majat e pushtetit...Ose kur diskutojnë duhet a s’duhet ndaluar perçja e grave myslimane, sikur emancipimi i tyre të varej vetëm nga një përçik pëlhure që u mbulon fytyrën.

T’i lëmë edhe këto politikane ca çaste pranë Shpellës së Betlehemit. Kanë vërtet nevojë ta kundrojnë Marinë, vashën e thjeshtë e të përvuajtur të Izraelit, që nxori në dritë, në një shpellë të mjerë e në heshtje të plotë, Zotin-njeri, të gjithëpushteshmin, Zotërinë e të gjitha politikave, politikanëve e politikaneve!

Vetë Kisha, shumë e ndjeshme përballë vuajtjeve të botës, nuk e ka denoncuar ende në kor këtë shkandull, duke e paraqitur ashtu siç është para syve të të gjithëve. Sepse ky do të ishte hapi i parë për ta ndaluar: mosdënimi e heshtja nuk bëjnë tjetër, veçse i hapin edhe më shumë rrugën vazhdimit të tij e edhe të shkandujve të tjerë, që e trazuan jetën e secilit nga ne, në situata nga më të ndryshmet, duke na kujtuar se koha ikën pa kthim. Me këtë barrë të rëndë mbi shpinë zhduket dalëngadalë viti 2016-të,   që ne e vumë para Shpellës së Betlehemit në  çastet e tij të fundit, pak para se t’i hapte udhën tjetrit, vitit 2017....

Duke e vënë Vitin e Ri para Grazhdit tënd, o Zot, po e lëshojmë në duart tuaja, të vetmet që mund ta shpëtojnë nga barra e rëndë e problemeve, të cilat viti i vjetër i la pas, në orën misterioze kur ndërrohen vitet! Viti 2017 pas Krishtit, qoftë më fatbardhë për gjithë botën!

Sipas editorialit të “L’Osservatore Romano”, e shtunë, 24 dhjetor 2016, titulluar “Il mondo davanti al presepe”, shkruar nga Lucetta Scaraffia








All the contents on this site are copyrighted ©.