2016-12-29 15:59:00

2016-a e Papës Françesku: reforma e vërtetë është dashuria


Vitit 2016 po i vjen fundi. Është kohë bilancesh. Për Papën Françesku, ky vit ka qenë mjaft intensiv, me gjashtë udhëtimet e tij ndërkombëtare e tre shtegtimet brenda Italisë, me publikimin e Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia” për familjen, me Jubileun e Mëshirës e pastaj, me takimet, audiencat e përgjithshme, meshët në Shtëpinë e Shën Martës e hapat e reja të reformës së Kuries. Por filli i artë i të gjitha veprimtarive, edhe këtë vit, ishte përtëritja e thellë shpirtërore, që dëshiron Papa Françesku për gjithë Kishën, në mënyrë që të krishterët të çojnë kudo në botë gëzimin e Ungjillit.

Dashuria e Zotit, në qendër të Ungjillit e jo Ligji

“Në qendër nuk është ligji”, por “dashuria e Zotit, që di të lexojë në zemrën e çdo njeriu, për t’ia kuptuar dëshirat më të fshehta. Kjo duhet të ketë përparësi mbi çdo gjë”. Janë ndoshta, fjalët më kuptimplote, që ka thënë Ati i Shenjtë gjatë këtij viti. I ka shkruar në Letrën Apostolike “Misericordia et Misera”, publikuar në përfundim të Jubileut. “Kjo është koha e mëshirës” thekson. Është fuqia e Ungjillit, të cilin përpiqemi gjithnjë ta mbërthejmë në skema të sigurta, siç bëjnë skribët dhe farisenjtë, të cilët i bëjnë pyetje të qëllimshme Jezusit, duke cituar Moisiun dhe Ligjin, sepse “kështu është bërë gjithnjë”: por dashuria e Zotit është më e fortë. “I krishteri – shkruan Papa – është i thirrur ta jetojë risinë e Ungjillit” e “edhe në rastet më të ndërlikuara, kur tundohemi t’ia lemë fjalën një drejtësie, që rrjedh vetëm nga normat, duhet të besojmë në forcën, që buron nga hiri hyjnor”:

“Ç’do të thotë kjo? Se ndryshon ligji? Jo! Se ligji është në shërbim të njeriut, i cili është në shërbim të Zotit, prandaj, njeriu duhet ta ketë zemrën e hapur. Të thuash ‘gjithnjë është bërë kështu’ do të thotë ta kesh të mbyllur zemrën, por Krishti na ka thënë: ‘Do t’ju dërgoj Shpirtin Shenjt e Ai do t’ju udhëheqë deri në të vërtetën e plotë’. Nëse e kemi zemrën të mbyllur për risitë e Shpirtit, nuk do të arrijmë kurrë deri në të vërtetën e plotë!” (Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 18 janar 2016).

Ngurtësia dhe mendjemadhësia

Nuk është e lehtë të ecësh në udhën e përcaktuar nga Ligji i Hyjit, “pa rënë në interpretime të ngurta”, pohon Papa. Ligji nuk është hartuar për të na kthyer në skllevër, por për të qenë të lirë, për të na bërë bij të Zotit. Të ngurtët kanë gjithnjë mbi krye rrezikun e mendjemadhësisë, kur kujtojnë se janë më të drejtë se të tjerët:

“Të lutemi për vëllezërit e motrat tona, që besojnë se të ecësh sipas Ligjit të Hyjit do të thotë të bëhesh i ngurtë. Dhashtë Zoti ta ndjejnë se Ai është Atë e se Atij i pëlqen mëshira, ëmbëlsia, mirësia, butësia, përvujtëria. E të gjithëve, na mësoftë të ecim sipas Ligjit të Hyjit me këto veti” (Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 24 tetor 2016).

Me zemër të hapur para të papriturave të Shpirtit Shenjt

Shpirti Shenjt e nxit Kishën të ecë përpara, drejt rrugëve të reja, drejt risive të Zotit. Kështu, njerëzit bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për fenë e tyre dhe të vërtetat e përhershme kuptohen gjithnjë e më mirë. Ky dikim u ndje që në Koncilin e parë të historisë, në atë të Jeruzalemit, kur apostujt vendosën së bashku të mos u imponojnë Ligjin e Moisiut paganëve të kthyer në fenë e krishterë:

“Kjo është udha e Kishës deri më sot. E kur Shpirti Shenjt na befason me diçka, që duket e re, ose me një ‘kurrë s’është bërë kështu’, ‘pikërisht ashtu duhet bërë’: mendoni për Koncilin II të Vatikanit, me kundërshtimet që pati... Sa kundërshtime: ‘jo po…’. Edhe sot, ka kundërshti, që vijojnë, në një formë apo në një tjetër; është Shpirti Shenjt që ecën përpara. E rruga e Kishës është kjo: të takohemi, të bashkohemi, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të diskutojmë, të lutemi e të vendosim. E ky është i ashtuquajturi ‘sinodalitet’ i Kishës, në të cilin shprehet bashkimi i saj. E kush e bën bashkimin? Shpirti Shenjt! Edhe një herë protagonist. Çfarë na kërkon Zoti? T’i bindemi Shpirtit. Çfarë na kërkon Zoti? Të mos kemi frikë, kur e ndjejmë se Shpirti Shenjt na thërret”. (Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 28 prill 2016)

Djalli dëshiron ta shkatërrojë Kishën përmes ndarjeve

Papa Françesku na fton të punojmë për bashkimin e Kishës, pa e ndarë më tej Korpin e Krishtit. Është djalli, thekson ai, që përpiqet ta shkatërrojë Kishën përmes ndarjeve teologjike dhe ideologjike. Ai hedh gurin e fsheh dorën, por ne, me naivitet, bëjmë lojën e tij:

“Ndarjet në Kishë nuk e lënë Mbretërinë e Zotit të rritet; nuk lejojnë që Zoti të bëhet i dukshëm, ashtu siç është. Ndarjet bëjnë të shihet njëra anë, kjo anë kundër tjetrës, kundër… gjithnjë kundër! Nuk ka vaj bashkimi, balsam bashkimi… Unë ju kërkoj të bëni ç’është e mundur për të mos e shkatërruar Kishën përmes ndarjeve, si atyre ideologjike, ashtu edhe atyre që vijnë nga lakmia, ambicia apo xhelozia” (Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 12 shtator 2016).

Kisha, thekson gjithnjë Papa Françesku, ka nevojë të vazhdueshme të risohet, sepse është korp i gjallë. Por reformatorët e vërtetë janë shenjtorët, shembulli e modeli ynë.








All the contents on this site are copyrighted ©.