2016-12-28 14:30:00

“Shenjtorët e Pafajshëm” të Ungjillit e fëmijët e sotëm


Kisha përkujton sot fëmijët e Betlehemit, që u vranë nga Herodi, i cili shpresonte të zhdukte kështu, bashkë me ta, edhe Foshnjën Hyjnore. Sipas Ungjillit, këta fëmijë ishin të gjithë nën 2 vjeç. E kremtja e këtyre shenjtorëve, martirë të pafaj, na sjell ndërmend të pafajshmit e sotëm, të vegjlit e dhunuar nga luftrat e manipulimet e të rriturve. I shohim përditë imazhet televizive, që i tregojnë duke luajtur në mesin e rrënojave të luftës, duke përdorur krateret e krijuara nga bombat si pishina, pasi i mbushin me ujë, sepse edhe në mesin e plumbave, fëmijët duan të argëtohen.

Nuk ka asgjë më të dhimbshme se sa dhimbja e fëmijëve. E s’ka asgjë më të djallëzuar se dhimbja, që u shkaktohet të vegjëlve. Për Krishtlindje, folën për këtë si Papa Françesku, ashtu edhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu. Pasardhësi i shën Pjetrit, në homelinë e Natës së Krishtlindjes, duke hedhur vështrimin mbi misterin e lindjes së Krishtit, ftoi të shikojmë edhe “fëmijët, që sot, nuk tunden në djep, as nuk ledhatohen me dashuri nga nëna a nga babai, sepse dergjen në ‘grazhdet e dinjitetit’ të nëpërkëmbur, në strehimet e nëndheshme, për të shpëtuar nga bombardimet, në trotuaret e qyteteve të mëdha, në fundet e barkave të mbingarkuara me emigrantë”. Fëmijët “që nuk i lënë të dalin në dritë”, ata “që qajnë, sepse askush nuk ua shuan urinë”, ata “që nuk kanë në duar lojra, por armë”.

Patriarku ekumenik, Bartalomeu I, në letrën e tij për Krishtlindjen e këtij viti, kërkoi të shpallet 2017-a, Vit i shenjtërisë së fëmijërisë. “Fëmijët e sotëm – nënvizoi Pasardhësi i shën Andreut në thirrjen e tij – nuk janë vetëm viktima të luftës e të emigracionit të detyruar”, por kërcënohen edhe në vendet e zhvilluara, ku manipulohen nga televizioni e interneti, nga një ekonomi që synon t’i shndërrojë “që të njomë, në konsumatorë”. “Primus inter pares” ndër primatët e Kishave ortodokse ripropozoi frazat e Ungjillit, ku shihet qartë dashuria e Jezusit për fëmijët: “nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit”; e “kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të”. Zoti, shkruan Bartolomeu në Letrën e tij, i zbulohet botës me “zemrën e pastër e me thjeshtësinë e fëmijës” e, fëmijët “kuptojnë të vërteta, që u shpëtojnë të diturve”. E citon edhe poetin grek Odisseas Elytis: “Mund të ndërtohet Jeruzalemi vetëm me fëmijët!”

Shenjtorët e Pafajshëm të Ungjillit janë të parët, që vriten për shkak të Krishtit, madje, në vend të Krishtit, pa e ditur as ata vetë. Janë lulja e martirëve, siç shkruan poeti francez Charles Péguy në poemën e tij “Misteri i Shenjtorëve të Pafajshëm”. Vuajtja e të pafajshmëve, që shkrimtarë të tjerë, duke filluar nga Albert Camus, e shohin si emblemë të së keqes së pathyeshme dhe si provë për mosekzistencën e Zotit, për Péguy mund të kuptohet vetëm në misterin e shëlbimit të dhuruar e të marrë falas. Kështu, shenjtorët e pafajshëm shkojnë në Parajsë, pa pasur as kohë të bëjnë mirë në këtë botë. E Péguy i imagjinon duke luajtur edhe aty, gjithnjë fëmijë që përdorin kurorat e martirëve për lojën e rrathëve, duke befasuar e gëzuar kështu, edhe vetë zemrën e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.