2016-12-28 14:22:00

Papa: Krishtlindja është festa e shpresës, sepse Zoti ka besim në ne


Në përfundim të katekizmit, të audiencës së përgjithshme, Papa  Françesku përshëndeti shtegtarët e pranishëm në Sallën e Palit VI dhe u drejtoi urimet për Krishtlindje e për një vit të ri të lumtur.

Kishin ardhur nga të katër anët e botës, për ta takuar Papën në audiencën e fundme të përgjithshme të vitit: nga Amerika Latine, SHBA-të, Evropa, Lindja e Mesme, madje disa besimtarë, edhe nga Bangladeshi. Françesku u uroi të gjithëve ta ruajnë në shpirt gëzimin e Krishtlindjes, duke e takuar në lutje Shëlbuesin, që dëshiron të bëhet i afërt me secilin prej nesh:

“Kjo është shpresa jonë e Krishtlindjes: lindi për ne Jezu Krishti, Shëlbuesi, Zoti me ne; prandaj nuk kemi më frikë nga ardhmëria, Shkojmë drejt së ardhmes, në bashkim me Krishtin”.

E Krishti Fëmijë - pohoi Papa - na dëftoi fytyrën e mëshirshme të Atit Qiellor, i cili dëshiron të na mbushë plot me çdo ngushëllim e çdo hir, që ne, pastaj, t’ua përcjellim të gjithëve:

“Lindja e Jezusit është festa e besimit dhe e shpresës, sepse Zoti është me ne e vijon të na besojë! T’ua çojmë, prandaj, vëllezërve tanë lajmin e mirë se Zoti na do pambarimisht, të gjithë e secilin, e ta rrezatojmë rreth nesh gëzimin dhe paqen, që na e jep kjo dashuri”.

Papa i falënderoi të gjithë ata, që i dërguan mesazhe urimi e që luten për shërbesën e tij papnore dhe i kërkoi Zotit paqe për botën mbarë. Më pas përshëndeti artistët Golden Circus të Liana Orfei, të cilët dhanë një shfaqje të vogël, duke krijuar, para Papës, që u dëfrye shumë, një atmosferë gëzimi e hareje, ndërprerë vazhdimisht nga duartrokitjet e stuhishme të turmës nga salla:

“Bukuria - kujtoi Papa - të afron gjithnjë pranë Zotit”.

Pastaj u drejtoi përshëndetjen besimtarëve të San Andrea delle Fratte, në Romë, ardhur me figurën e Zojës së Medaljes së mrekullueshme, që do të ekspozohet në Bazilikën e Shën Pjetrit. Së fundi  përshëndeti çiftet e reja, të cilat nuk mungojnë kurrë në takimet e së mërkurës, sepse kështu  kanë rastin t’ua bekojë kurorën vetë Papa:

“Unë i quaj guximtarë, sepse duhet guxim të martohesh e të lidhesh për gjithë jetën: ju lumtë! ... Ju nxis ju, të dashur guximtarë, ta ruani të pandryshueshme, nësa ndërtoni familjen tuaj, dashurinë e përkushtimin deri në flijim, e të mos e përfundoni kurrë ditën pa bërë paqe ndërmjet jush”.








All the contents on this site are copyrighted ©.