2016-12-28 13:05:00

Në kërkim të një zgjidhjeje politike për Sirinë në Astana


“Kazakistani është gati të presë të gjitha palët e përfshira në bisedimet për zgjidhjen e krizës siriane”. Ky është mesazhi, që dha këto ditë presidenti i vendit, Nursultan Nazarbayev, në një takim me presidentin rus Putin. Nuk është fiksuar data, por gjatë bisedimeve në Shën Pjetërburg, dy krerët e shteteve përcaktuan detajet e takimit ndërmjet Rusisë, Turqisë dhe Iranit, që do të mbahet në Astana të Kazakistanit.

Qeveria ruse dhe ajo turke duken të vendosura për të bërë presion mbi ekzekutivin sirian, që të arrihet sa më shpejt armëpushimi i përgjithshëm. Gjatë një bisede telefonike ndërmjet dy ministrave të jashtëm u nënvizua nevoja për “fiksimin e normave”, që do t’u japin fund veprimeve luftarake e do të ndajnë grupet e rebelëve të opozitës së moderuar nga xhihadistët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Rëndësia e gjetjes së një zgjidhjeje politike për krizën siriane u nënvizua edhe nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë me kanalin televiziv Sky Tg24. “Kemi folur gjithnjë për zgjidhje me bisedime. Zgjidhja ushtarake, megjithëse mund të japë rezultate në kohë të shkurtër, sigurisht që nuk mund t’i sigurojë Sirisë të ardhmen në qetësi e paqe”, theksoi kardinali Parolin. Sipas tij, Siria ka nevojë për ndihmë që të rikrijojë bashkëjetesën ndërmjet etnive, grupeve shoqërore dhe feve, e cila e ka karakterizuar gjithnjë vendin. “Duhet gjetur guximi e vendosmëria – theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – për t’u ulur rreth tryezës, për t’i rihapur bisedimet që patën filluar në Gjenevë, nuk e di nëse në të njëjtin format apo me format të ndryshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.