2016-12-27 15:18:00

Kryeipeshkvi i Algjerit: dëshmitarë të dashurisë së Krishtit ndër myslimanë


Papa Françesku e emëroi kryeipeshkëv të ri të Algjerit në prag të Krishtlindjes: është fjala për imzot Paul Defarges, deri tani, ipeshkëv i dioqezës algjerine të Kostantinës. 72 vjeç, jezuit francez, jeton në Algjeri që prej 40 vjetësh. Ka qenë pedagog i psikologjisë në Universitetin lokal dhe epror i bashkësisë së jezuitëve në kryeqytetin e Algjerisë, para se të shugurohej ipeshkëv nga Benedikti XVI në vitin 2008. Në një intervistë për Radio Vatikanin, imzot Defarges tregon për jetën e pakicës së krishterë në vend, përkrah shumicës myslimane, duke shpjeguar edhe si e priti këtë detyrë të rëndësishme:

 Është sfidë e njëkohësisht, hir. Në jetën e përditshme ne kemi marrëdhënie të mira për të cilat mrekullohemi çdo ditë, sepse janë marrëdhënie afërsie, bashkëpunimi e madje, edhe miqësie. Jemi dëshmitarë të bashkëjetesës ndërmjet të krishterëve e myslimanëve dhe besojmë në të, sepse e jetojmë përditë. Nuk duhet të mundohemi për këtë. Në vizitën tonë të fundit ad Limina, Papa na tha: “Të jeni dëshmitarë të dashurisë së Krishtit”. E kjo është dashuria e Krishtit: është apostullimi i mirësisë, siç do të thoshte Charles de Foucauld. E ky është gëzimi ynë, ai i dashurisë dhe i shërbimit. Është e vërtetë, kemi vështirësi në jetë çdo ditë, ashtu siç është e vërtetë se jo të gjithë janë të kënaqur: kjo është pjesë e jetës… Por kemi të njëjtin Atë Qiellor. Vështirësitë na shqetësojnë, por nuk e prekin jetën e përditshme, takimin me njerëzit. Thirrja jonë është të jemi Kishë për të gjithë, Kishë e takimit vëllazëror me të gjithë!

         Si është Kisha e Algjerisë?

         Mund të flas për realitetin e Kostantinës, ku ka një numër të madh studentësh sub-saharianë, por ka edhe shumë bashkësi punëtorësh e diplomatësh, që vijnë nga vende të ndryshme. Kjo na bën një Kishë katolike me përbërje ndërkombëtare. Kemi shërbime për t’u qëndruar pranë njerëzve, shërbime nëpër shkolla, nëpër biblioteka… kemi veprimtari asistence e formimi. Përjetojmë një dinamizëm të madh. Tani do të kem rastin ta zbuloj e ta njoh edhe më mirë këtë Kishë.

A ka fjalë të Papës Françesku, që mund t’ju shoqërojnë më mirë në këtë mision të ri?

Papa flet për periferitë e ne jemi në periferi: “vende ku diçka thyhet”, siç thoshte imzot Claverie [ipeshkëv e martir, vrarë me atentat në Algjeri]. Është vendi ku jetojmë. Por, në fund të fundit, zbulojmë se është vend i zakonshëm ku vihet në veprim mëshira. E ne nuk jemi protagonistët e vetëm të saj, por jemi dëshmitarë se edhe vëllezërit e motrat tona myslimane, nga ana e tyre, na mirëpresin, na dhurojnë vetveten dhe kanë vullnet të mirë për dialog e takim. Di se Natën e Krishtlindjes shumë miq myslimanë kanë shkuar nëpër famulli e jo për t’u kthyer në të krishterë, por thjesht, për të parë si luten të krishterët. Edhe kjo është një mënyrë për t’u njohur më mirë. E për këtë jemi shumë të lumtur! Në një botë, në të cilën tensionet ndërmjet myslimanëve dhe Perëndimit, ndërmjet myslimanëve e të krishterëve, duket sikur shtohen gjithnjë e më tepër, ka një vend, ku është e mundur të përjetohen gjëra ndryshe…








All the contents on this site are copyrighted ©.