2016-12-25 17:35:00

Krishtlindje rrokull botës


Krishtlindje në Siri: Kardinali Zenari: “Fëmijët, më të vuajturit”

“Krishtlindja në Siri, në vitin e gjashtë të luftës, duket si të ishte Krishtlindja e parë e të krishterëve”. Kështu shprehet kardinali Mario Zenari, në mikrofonin e Radio Vatikanit, duke u nisur nga  fëmijët, të prekur thellë nga dhuna:

“Krishtlindja na bën të mendojmë për familjet, për Familjen Shenjte të Nazaretit, në varfërinë e Shpellës Betlehemit, për shtegtimin e Marisë e të Jozefit. Na bën të mendojmë për familjet e shpërngulura, pa shtëpi, pa punë, për familjet e shpërbëra, sepse babai a nëna janë vrarë e fëmijët janë detyruar të emigrojnë. Prej këndej, Krishtlindja na bën të mendojmë për fatin e shumë fëmijëve e të shumë familjeve, që vuajtën e vuajnë. Madje nuk mund të shkojnë as për të gjetur ngushëllim në katedralet e kishat e tyre gjysëm të shkatërruara ose krejt gërmadhë. E megjithatë, krijuan një atmosferë vërtet festive: me këngë, shpella Betlehemi e, atje ku ka energji elekterike, edhe me Bredha vezullues, që e dëbojnë errësirën e një situate ende të vështirë. E edhe me kremtime, jo të zakonshme, natyrisht, por në të cilat u ndje fort atmosfera e Krishtlindjes, e shpresës. 

 Krishtlindje në Afrikën Qëndrore. atë Gallego: atmosferë më e qetë, por jo krejt pa dhunë

Luftë ndërmjet të varfërve, gjithnjë e më të largët nga skena botërore. Kjo luftohet në Afrikën Qendrore, që vijon të jetë terren ndeshjesh e dhune, posaçërisht pas largimit të 2 mijë ushtarëve francezë në përfundim të operacionit ushtarak “Sangaris”. Më se 90, të vrarët, vetëm javët e fundit.

E, pavarësisht nga gjithë kjo, këtu nuk harrohet Krishtlindja. Natyrisht nuk e ka shkëlqimin, që shikojmë në pjesën tjetër të botës. Por, gjithsesi, diçka tejet të veçantë e ka: ngjarjen e gëzueshme të vizitës së Papës Françesku, që u la në shpirt njerëzve të këtyre trojeve, kujtimin e madh të hapjes së Portës së parë Shenjte, Portës së Mëshirës së Zotit e besimin se Zoti nuk do t’i harrojë afrikanët. Këtë situatë Krishtlindjeje na e përshkruan atë Aurelio Gazzra, karmelitan, misionar në Republikën Qendrafrikane.

Nga Kolumbia, për Krishtlindjen na flet atë William Galego, meshtar i dioqezës së Qibdo. Këtu nuk dëgjohet më fjala luftë. Ia zunë vendin fjalët paqe e dialog. Në këtë Krishtlindje kolumbianët shikojnë t’u realizohet  shpresa, që vijoi të mbetet vetëm shpresë për 50 vjet me radhë. 50 Krishtlindje në luftë… Nënshkrimi i marrëveshjes së qeverisë me luftëtarët e Farc dhe Çmimi Nobel për Paqen, dorëzuar presidenti Santos, shënuan një kthesë të vërtetë, në të cilën të gjithë duhet të japin kontributin e vet. Kjo, atmosfera festive e Krishtlindjes në Kolumbi.

Në Uruguay. kardinali Sturla Berhouet, në mesazhin e Solemnitetit thekson: “Krishtlindja duhet t’i shkundë ndërgjegjet dhe indiferencën”. Flet kështu nga një vend ku luhet drama e thellë e varfërisë, ku fëmijët rriten të uritur e si pasojë, me zhvillim të kufizuar mendor, gjë që ia shkatërron gjithë jetën. Në këtë atmosferë, këtu u organizua fushata Balkonera, vendosja e një flamuri me skenën e Shpellës së Betlehemit në ballkone e dritare, për të treguar publikisht se këtu kremtohet Krishtlindja e krishterë! Sepse ndokush do të dëshironte ta strukte në skuta.

Në Nepal u kremtua Krishtlindja, pavarësisht nga kufizimet

Kremtim masiv i Krishtlindjes, në Kathmandu të Nepalit, ku prej 8 vjetësh të krishterëve u lejohet ta kremtojnë festën, që kujton Lindjen e Krishtit, ndonëse me disa kufizime. E këtu Krishtlindja u kremtua edhe nga përfaqësuesit e feve të tjera, të cilët e konsiderojnë festën e Lindjes së Krishtit si pjesë e pandarë e kulturës së tyre.

Në Bangladesh, një shkëmbim i jashtëzakonshëm urimesh ishte ai i Dhakës, kryeqytet i vendit. Siç njofton agjencia AziaNews, protagonistë të kësaj ngjarjeje ishin 1500 të krishterë, shumica katolikë, mbledhur së bashku me myslimanë, hinduistë e budistë, në auditorin Krishbid Instuitucion,  në praninë e kryeministrit, Shehut Hasina, dhe të kardinalit të ri, Patrick D’Rozario, i pari prelat bengalez që mori purpurin kardinalor.  “Ata që besojnë me të vërtetë në fe, kanë edhe besim në vetvete e nuk marrin kurrë masa të padrejta” – theksoi në takim kardinali i ri.

Në Gaza, kremtimi i  Krishtlindjes ishte një çast vërtet gazmor: pa drita, por plot me shpresë në zemër. Shresë e një populli të etur për paqe e drejtësi” - kështu shprehet atë Mario Da Silva, famullitar i Gazës, që e predikoi temën e mëshirës, të faljes e të shpresës gjatë gjithë Kohës së  Ardhjes. Temë tejet akuale në këtë zonë të trazuar të  botës, ku të falesh e të falësh nuk është gjë e lehtë, sepse jeton në një botë të ngarkuar me padrejtësi të mëdha, në një vend ku vuajtjet e palestinezëve janë tepër të rënda. Atëherë duhet të dish të falësh me gjithë zemër!Ky, mesazhi i madh i Krishtlindjes rrokull botës!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.