2016-12-23 14:06:00

Kard. Parolin: të punohet seriozisht për të zhdukur shkaqet e terrorizmit


Është e nevojshme të punojmë seriozisht për të zhdukur shkaqet e terrorizmit: kështu nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke komentuar atentatet e fundit në Berlin e në Ankara. Prelati foli për këtë gjatë përurimit të një strukture romake të Qendrës Italiane të Solidaritetit, e cila do të shërbejë për të strehuar gratë, viktima të dhunës. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Natyrisht, na vjen shumë keq e ndjejmë dhimbje për gjithçka ndodhi. Edhe një herë, Selia e Shenjtë e dënon këtë lloj dhune kundër të pafajshmëve. Në atmosferën e festës e të gëzimit të Krishtlindjes, këto akte, kjo dhunë duket edhe më mizore. Vlen gjithnjë detyra për të luftuar kundër terrorizmit me të gjitha mjetet e ligjshme, që kemi në dorë. Njëkohësisht, të gjithë duhet të punojmë seriozisht për të zhdukur shkaqet, në zanafillën e këtij fenomeni.

Të hënën u vra edhe ambasadori rus në Ankara, prandaj, as diplomacia nuk është më e paprekshme. Ç’do të thotë kjo për Lindjen e Mesme e për të ardhmen e Sirisë?

Sigurisht, kjo është shumë shqetësuese. Nga ana tjetër, atmosfera mbetet ajo që është, prandaj duhet të impenjohemi vërtet për të krijuar një atmosferë paqeje, përndryshe këto janë pasojat. Na vjen keq, ndjejmë dhimbje të thellë për këtë ngjarje, që nuk i shërben krijimit të klimës së mirëkuptimit e të bashkëpunimit, në kuadrin e bisedimeve të mundshme për Sirinë. Por, është e rëndësishme që të gjithë, secili sipas këndvështrimit dhe pozitës së vet, të përpiqemi të krijojmë kushte për të jetuar vërtet në paqe e pajtim.








All the contents on this site are copyrighted ©.