“Viti i Jubileut të Mëshirës la shenja në jetën e Kishës, në të katër anët e botës”. Këtë vuri në dukje kardinali Angelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor, duke e përshëndetur Papën me rastin e urimeve drejtuar Kuries Romake, në Sallën Klementine:
“At i Shenjtë, festa e Krishtlindjes është tashmë fare pranë e përfaqësuesit e Kuries Romake dhe të Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit e ndjejnë për detyrë të shtrëngohen rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit, për t’i dëshmuar gjithë afërsinë e tyre në këto ditë gëzimi të madh”.
Këtë nënvizoi Hirësia e Tij Sodano, për të kujtuar, më pas:
“Është viti i katërt i takimit tonë me Ju në Sallën e ndritshme Klementine, në prag të Krishtlindjes. Mendimi ynë shkon tek kjo periudhë historike, në të cilën Shpirti Shenjt Ju thirri ta drejtoni Kishën e Krishtit. Tani Krishtlindja na bën të kujtojmë fillimin e dëftimit të mëshirës hyjnore, me ardhjen e Shëlbuesit mes nesh. Nga ana jonë, e jetojmë këtë atmosferë në bashkim të thellë me Ju, gjithnjë mirënjohës për mesazhin e ndritshëm të dashurisë, që Ju vijoni ta përhapni në botë”.
Këto, fjalët që i drejtoi Papës, kardinali Sodano. E, në përfundim, në emër të të gjithë kardinajve, shprehu edhe një herë gatishmërinë për të vijuar shërbimin në mbështetje të misionit papnor:
“I Nderuar e i Dashur Papa Françesku, të gjithë sot, sipas dhuratës që kemi marrë, dëshirojmë ta vijojmë shërbimin e përvuajtur në ndihmë të misionit Tuaj si Bari i Kishës universale e Samaritan i Mirë në udhët e botës”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |