2016-12-22 12:25:00

Imzot Pizzaballa: në Lindjen e Mesme jo të gjithë kanë etje për dhunë


Situata në Tokën Shenjte i bën jehonë asaj të mbarë botës, së cilës i duhet të përballojë ekstremizmin në rritje dhe fundamentalizmin. Çka të çudit, është se pikërisht fundamentalizmi vijon të rrënjoset në breznitë e reja. Kështu shprehet imzot Pierbattista Pizzaballa, administrator apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit, duke folur për situatën aktuale ndërkombëtare. Gjatë konferencës së shtypit, në prag të Krishtlindjes, mbajtur në Jeruzalem, kryeipeshkvi theksoi se në zanafillë të gjithë kësaj dhune, që shikojmë sot, është pikërisht ekstremizmi, tregtia e armëve, janë interesat e superfuqive. E intervistuam imzot Pierbattista Pizzaballa-n, administrator apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit:

 Të gjitha këto gjëra, së bashku. Sidomos frika, sepse është pikërisht frika, ajo që përcakton punët tona e orientimet tona, jo e kundërta. Janë në lojë shumë interesa, natyrisht. Armët e shitësit e tyre, e është edhe lufta ndërmjet myslimanëve, ndërmjet sunitëve e shiitëve; është fundametalizmi fetar me vulë islamike, me Is e Daesh. E, edhe me forma të tjera më pak të njohura, por jo më pak vdekjeprurëse. E gjithë kësaj i shtohet edhe situata ekonomike, edhe ajo e frikshme. Me shumicën e popullsisë, nën 30 vjeç, pa punë, pa asnjë perspektivë. Situatë shoqërore, politike e fetare shumë e rëndë, gjë që e  pështjellon çdo njeri, për të mos thënë se edhe e poshtëron.

Këto ditë Evropa, përballë atentateve të fundit, si puna e kamionit kundër turmës në Gjermani, ashtu si kundër asaj në Nicë, i kujtoi edhe një herë Evropës dhe botës mënyrat që përdorin atentatorët e Lindjes së Mesme. Vetëm këtë mund të kujtosh nga Lindja  e Mesme?

Jo! Ndonëse Lindja e Mesme, për fat të keq, është edhe kjo. Por nuk duhet harruar se Lindja e Mesme ka miliona njerëz e nuk janë të gjithë të etur për dhunë. Ka shumë - hebrenj, të krishterë, myslimanë - që e vënë jetën në lojë çdo ditë. E sidomos të vegjlit. E Krishtlindja na kujton pikërisht këtë: se janë të vegjlit, të vegjlit e Ungjillit - domethënë njerëzit e thjeshtë, njerëzit e rrugës - që punojnë së bashku, takohen e përpiqen të rrojnë një jetë dinjitoze, duke e respektuar shumë njëri-tjetrin.

Ç’mendoni për zgjidhjen e krizës izraelito-palestineze, që për fat të keq, kohët e fundit është në amulli të plotë? E pastaj për polemikat e lindura në Izrael nga propozimi për t’ua hequr xhamive altoparlantët, që përdoren nga muhezinët për thirrjen në lutjen islamike, gjë që mund të ngjallë tensione të reja?

Duhet të jemi shumë realistë. Nuk duhet menduar se paqja do të vijë nesër. Paqja duhet siguruar e, për fat të keq, kjo nuk do të mund të bëhet aq shpejt. Kërkon shumë kohë. Por ama duhet filluar njëherë, e duhet folur: në këto çaste nuk flitet fare e nuk ka asnjë kanal komunikimi  e kjo mundet vetëm t’i keqësojë lidhjet ndërmjet dy palëve. Duhet folur: kjo është gjëja e parë. Përsa i takon, pastaj, ligjit mbi uljen e volumit  të zërit të muhezinëve, është një rast i rrezikshëm: ka një mori mënyrash të tjera për t’i zgjidhur problemet e ndotjes akustike, nëse ekzistojnë. Ky hap një kapitull të rrezikshëm, që ka të bëjë me lirinë e kultit, me lirinë e fesë, e prek shumë plagë ende të pambyllura, që mendoj se nuk duhen ngacmuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.