2016-12-21 14:34:00

Papa: t’ia hapim zemrën shpresës së Krishtlindjes


Shpresa na bën të ecim përpara, ndërsa siguritë tona, posaçërisht ato materiale, nuk do të mund të na shpëtojnë. Në katekizmin e audiencës  përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI, Papa kërkoi t’i hapim zemrat, t’i themi ‘po’ Jezusit e të ecim me dëshirën për të bërë gjithnjë mirë. Vijoi, kështu, ciklin e katekizmit kushuar shpresës së krishterë, tejet e dukshme edhe në Shpellën e Betlehemit, të cilën Françesku i ftoi të gjithë ta kundrojnë. I pranishëm në audiencë, edhe  delegacioni i bukëpjekësve romakë, që i dhuruan Papës një Shpellë Betlehemi sajuar me bukë, vepër e mjeshtrit Fabio Albanesi.

Shpresë, që të bën të ecësh përpara, që nuk të ngujon: për këtë foli Papa  në audiencën e përgjithshme. Shpresa zakonisht na kujton çka e dëshirojmë por nuk e shohim, ndërsa Krishtlindja na flet për një shpresë  të dukshme, të prekshme, sepse të bazuar në Zotin. E kjo shpresë hyn në botë me Mishërimin e Jezusit. Është shpresa në jetën e pasosur:

“Ai hyn në botë e na jep forcë të ecim me Të: Zoti ecën me ne në Jezusin, e të ecësh me Të drejt përsosurisë së Jetës, domethënë të marrësh forcë për ta jetuar në mënyrë të re të sotmen, edhe pse shpesh herë e lodhshme dhe e mundimshme. Të shpresosh, atëhere, për të krishterin do të thotë të jesh i sigurt se po ecën me Krishtin drejt Atit, që na pret. Shpresa nuk ndalet kurrë, është gjithnjë për udhë, shtegton e na bën të shtegtojmë”.

T’i hapim zemrat për shpresën

Françesku pyeti, pastaj, nëse i kemi zemrat të hapura për shpresën, për të ecur me Jezusin, pavarësisht nga lodhja dhe mundimi i përditshëm:

“Duke ecur në këtë botë me shpresë, shpëtojmë. E këtu, secili nga ne mund t’i bëjë vetes pyetjen; a ec në shpresë, apo jeta ime shpirtërore është e ndalur në vend, është e mbyllur? Zemra ime është sirtar i kyçur, apo i hapur për shpresën, që më bën të ec, e jo i vetëm, por me Jezusin?”.

Të ndalemi një çast për të kundruar Shpellën e Betlehemit

Papa u ndalua një çast tek Shpella e Betlehemit që, në thjeshtësinë e vet, transmeton shpresë, duke nisur nga vendi ku, njëmijë vjet më parë, lindi Davidi. Një qytezë e vogël, jo kryeqytet... E prandaj - nënvizoi Papa - e zgjedhur nga Provania Hyjnore, që dëshiron të veprojë  përmes të vegjëlve e të përvuajturve. Këtu lindi edhe Jezusi, në të cilin takohen shpresa e Zotit me shpresën e njeriut”.

Pastaj Papa kujtoi  pesonazhet, që i kundrojmë në Shpellë. E para, Maria, nëna e shpresës, që me ‘po’- në e saj i hapi Zotit portën e botës sonë e që shikon, në Ferishten, dashurinë e Atij të Lumit. Pranë saj, Jozefi, i cili gjithashtu i besoi fjalës së Engjëllit e mediton, duke kundruar Jezusin, përmes të cilit Zoti do ta shpëtojë njerëzimin nga vdekja e nga mëkati. Ka shumë rëndësi të ndalesh e ta shikosh Shpellën e Betlehemit - na kujton Françesku  - për të parë sa shumë shpresa ka në zemrat e këtyre njerëzve.

Nuk duhet të besojmë në siguritë, por të ecim në jetë me dëshirën për të bërë mirë

E pastaj janë edhe barinjtë, të vegjlit, që presin Mesinë e shikojnë në Foshnjën e grazhdit, përmbushjen e premtimeve. Shikojnë e shpresojnë, ndryshe nga ata, që mbështeten në siguritë njerëzore, posaçërisht materiale, e nuk e presin shpëtimin nga Zoti:

“Ta ngulim mirë në tru. Siguritë tona nuk do të na shpëtojnë; e vetmja siguri është shpresa në Zotin, që na shpëton sepse është i fortë, sepse na bën të ecim në jetë me gëzim, me dëshirë për të bërë gjithnjë mirë, me etje për të qenë të lum në amshim”.

Shpresa gjen shprehjen e vet edhe në korin e engjëjve: ata i këndojnë Zotit dhe e falënderojnë që përuroi Mbretërinë e Tij të paqes. Duke e kundruar Shpellën e Betlehemit, përgatitemi për Kërshndellat - tha Papa - e do të jetë vërtet festë e bukur, nëse e mirëpresim Jezusin, farë shprese, që Zoti e mbjedh në hullitë e historisë sonë personale e komunitare:

“Çdo ‘po’ thënë Jezusit, që vjen, është një filiz i ri shprese. T’i besojmë këtij filizi shprese, kësaj ‘po’: ‘Po, Jezus, ti mund të më shpëtosh, ti mundesh!”.

“Gëzuar Krishtlindjen e shpresës, të gjithëve!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.