Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Imzot Auza: konfliktet, shkak për trafikun e njerëzve

Imzot Bernardito Auza - RV

21/12/2016 14:43

Për Selinë e Shenjtë, drama e shkaktuar nga trafiku i njerëzve është çështje me rëndësi të jashtëzakonshme. “Njerëzit vullnetmirë, cilido qoftë besimi i tyre fetar, nuk mund të lejojnë kurrë që gra, fëmijë e burra të trajtohen si objekte”. Nuk mund të pranojnë që ata të dhunohen, të mashtrohen e shpesh të shiten për qëllime fitimi, duke ua shkatërruar krejtësisht mendjen e shpirtin, para se të braktisen, ose edhe të vriten. Kështu foli vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Bernardito Auza, duke ndërhyrë dje në Nju Jork, në debatin e organizuar nga presidenca e Spanjës mbi trafikun e njerëzve në konflikte.

Trafiku i njerëzve është i turpshëm

“Trafiku i njerëzve është i turpshëm” e duhet dënuar, theksoi prelati. Ligji duhet të godasë me të gjithë forcën ata, që ndyejnë duart me këto lloj krimesh. Ky fenomen, nënvizoi më tej, ka marrë përmasa ndërkombëtare, prandaj zgjidhja e problemit kërkon bashkëpunimin e shumë agjencive të OKB-së, të qeverive dhe të organizatave të shoqërisë civile, në veçanti, të atyre fetare.

Papa Françesku: të gjithë njerëzit janë njësoj

Imzot Auza kujtoi fjalët e Papës Françesku, i cili, më 2 dhjetor, me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të deklaratës kundër skllavërisë, ku vunë firmat krerët fetarë, pohoi: “Çdo njeri e të gjithë njerëzit janë njësoj e u duhen njohur atyre të njëjtat liri dhe i njëjti dinjitet. Çdo marrëdhënie diskriminuese, që nuk respekton bindjen themelore se tjetri është si unë, përbën krim e, shpesh, krim të shëmtuar”.

Trafiku i njerëzve është krim i “lëndimit të humanitetit”

         “Prandaj – pati shtuar Ati i Shenjtë – deklarojmë në emër të të gjithëve e të secilit prej besimeve tona se skllavëria moderne – në formën e trafikut të njerëzve, të punës së detyruar, të prostitucionit, të trafikut të organeve – është krim i ‘lëndimit të humanitetit’. Viktimat e tij janë nga çdo shtresë, por më të shumtën e herës i ndeshim ndër më të varfërit e më të brishtët e vëllezërve dhe motrave tona”.

Trafiku u merr njerëzve dinjitetin

         Ndër shkaqet që e ushqejnë fenomenin e skllavërive moderne, imzot Auza përmendi varfërinë, zhvillimin e ulët e përjashtimin, sidomos mungesën e arsimit dhe të mundësisë për punë. Në këtë skenar dramatik, kur korrupsioni dhe lakmia pa fre nuk i lejojnë njerëzit të kenë jetë dinjitoze, trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe prostitucioni i vajzave të vogla, kujtoi prelati, janë disa nga krimet e lidhura me trafikun e njerëzve.

Lufta është arsyeja më e rëndë e trafikut

         Por faktori i vetëm, që më shumë se të tjerët e ushqen këtë trafik, përfundoi imzot Auza, është lufta. Konfliktet shndërrojnë në refugjatë miliona njerëz. E kjo i bën ata pre e trafikantëve. Për të qenë e frytshme, lufta kundër trafikut të njerëzve duhet të përfshijë krejt bashkësinë ndërkombëtare. Selia e Shenjtë, nënvizoi vëzhguesi i saj në OKB, inkurajon Këshillin e Sigurimit të vazhdojë luftën kundër këtij trafiku, së pari, përmes parandalimit të konflikteve të armatosura.

21/12/2016 14:43