2016-12-21 17:24:00

Atentati në Berlin: kërkohet një tunizian. Alarm në Evropë


Vazhdon të kërkohet tuniziani 21 vjeçar, që dyshohet të jetë autori i atentatit të Berlinit, ku humbën jetën 12 vetë dhe 48 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, u lirua pakistanezi, që fillimisht mendohej të ishte fajtor. Nga ipeshkvi i Nicës mbërriti në ipeshkvinë brelineze një mesazh solidariteti, ndërsa Evropa forcon masat e sigurisë kundër terrorizmit. Koment i përgjegjësit të analistëve të Qendrës së Studimeve Ndërkombëtare në Itali, Gabriele Iacovino:

         Fatkeqësisht jemi para një kërcënimi, që mund të parashikohet deri diku. Është e vështirë të zbatohen masa të frytshme. Edhe kontrolli i vendeve ku mblidhen bashkësitë nga vijnë atentatorët mund të japë frytet e veta, por jo plotësisht. Gjithsesi, nuk mund të rrimë duarkryq para kësaj tipologjie të re kërcënimesh. Veprimtaria e shërbimeve të sigurimit është pa dyshim, e nevojshme, por imagjinoni sa njerëz duhet të merren me kontrollin e atentatorëve të mundshëm e sa mund të parashikohen radikalizimet, që kalojnë sidomos përmes internetit, forca më e madhe e mesazhit fundamentalist të Isisit.

         Ndoshta, këto atentate po ia arrijnë t’ia ndryshojnë jetën Evropës, sidomos në këtë periudhë festash…

         Kjo është një nga pasojat më të mëdha të ndryshimit të Shtetit Islamik e të dallimit nga Al-Kaeda. Isisi nuk është më një grup, që, përmes degëzimeve të tij, përpiqet të bëjë atentate kundër pikave të ndjeshme të Perëndimit, por një grup që bën ideologji. Gjithkush mund të marrë mesazhin e tij në internet e në të gjitha kanalet e komunikimit, përmes të cilave përhapet.








All the contents on this site are copyrighted ©.