2016-12-20 14:59:00

“Çmenduria e terrorizmit të mos gjejë më vend në botë”. Kështu Papa pas atentatit të Berlinit


Në një telegram drejtuar kryeipeshkvit të Berlinit, Papa shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet për aktin pa kuptim të dhunës, që goditi kryeqytetin gjerman: “çmenduria vrasëse e terrorizmit të mos gjejë më vend në botë”- pohoi me forcë!

“Papa u trondit thellë, kur mori lajmin e ngjarjes, që ndodhi mbrëmë në Berlin. Bashkoi menjëherë zërin me të gjitha gratë e me burrat vullnetmirë, të cilët angazhohen që çmenduria vrasëse e terrorizmit të marrë fund”. Kështu shkruhet, në emër të Papës, në një telegram drejtuar ipeshkvit të Berlinit, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Me hidhërim të thellë Ati i Shenjtë - vijon telegrami drejtuar  imzot Heiner Koch, kryeipeshkëv i Berlinit, - mori lajmin e ngjarjes së tmerrshme, që ndodhi në kryeqytetin gjerman, në të cilën, përveç të plagosurve, shumë njerëz gjetën edhe vdekjen. Shenjtëria e Tij siguron se merr pjesë shpirtërisht në zinë e familjarëve dhe u shpreh ngushëllimet më të ndjera. Në lutje, ia beson mëshirës së Zotit të vdekurit e edhe shërimin e shpejtë të të plagosurve. Françesku falënderon edhe shërbimet e ndihmës e të sigurisë për aktivizimin e tyre faktik dhe bashkohet me të gjithë njerëzit vullnetmirë,  të cilët angazhohen që çmenduria vrasëse e terrorizmit të mos ketë kurrë më vend në botën tonë.

Shenjtëria e tij - lexohet në përfundim  të mesazhit – i kërkon Zotit, Atit të mëshirshëm,  përdëllim e bekim ngushëllues!








All the contents on this site are copyrighted ©.