2016-12-20 12:25:00

Atentat terroristik në Ankara: vdes ambasadori rus


Vdiq ambasadori rus në Turqi, Andrey Karlov, i plagosur rëndë pas sulmit të një vrasësi, dje, në Ankara. Autori i atentatit, një polic i vrarë menjëherë, para se të vdiste, pohoi, me britma të forta, se ky ishte akt hakmarrjeje: “Kjo është llogaria për Sirinë” - ishin fjalët e tij të fundit. Për atentatin terroristik folën edhe autoritetet ruse, në prag të mbledhjes së Moskës, ku ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Rusisë, Turqisë e Iranit po bisedojnë për ngjarjet e fundit të evakuimit të civilëve nga Halebi. 

Me pistoletë në dorë, i veshur me kostum të errët, këmishë të bardhë e kravatë, pasi shtiu disa herë, Mert Altintas, 22 vjeç, me profesion polic,  bërtiti me sa zë kishte: “Mos e harroni Halebin! Mos e harroni Sirinë”.  E akoma: “Kjo është llogaria për Sirinë”... E vijoi edhe më tej me një breshëri frazash të ngjashme, për të përfunduar, para se të vdiste i vrarë, me britmën që shoqëron tashmë aktet terroristike të kësaj natyre: “Allahu është i madh!”. Përballë tij, ambasadori rus Andrey Karlov lëkundej e rrëzohej përdhe. Po mbante një fjalimin në Galerinë e Artit bashkëkohor në Ankara, për përurimin e ekspozitës fotografike “Rusia, parë nga turqit”. Tepër të rënda plagët e krejt e kotë ndihma e shpejtë në spital, ku diplomati rus vdiq, ndërsa policia vriste atentatorin. 3, të plagosurit.

Për terrorizëm me vulë islamike flasin ambasada e Moskës në Turqi dhe Ministria e jashtme ruse, që sot priti diplomacitë e Iranit e të Turqisë. Ndërmjet hamendjeve, që qarkullojnë, është edhe ajo, sipas së cilës atentatori mund të jetë “gulenist”, kundërshtar i qeverisë, që me këtë akt synonte të sabotonte marrëveshjet në vijim me Iranin e Rusinë.

Bashkësia ndërkombëtare shprehu solidaritetin e saj. Presidenti Obama e OKB-ja e dënuan ashpër aktin kriminal. Ndërkaq, në Kremlin, Presidenti rus Putin organizoi një mbledhje të jashtëzakonshme të shërbimeve sekrete,  në prani edhe të ministrit të jashtëm Lavrov. 








All the contents on this site are copyrighted ©.