2016-12-19 12:45:00

Imzot Viganò: t’i komunikojmë botës mëshirën e Zotit


Ta lemë Zotin të na befasojë e kështu, do të mund t’i komunikojmë botës Lajmin e Mirë të mëshirës së Tij. Këto janë fjalët e Prefektit të Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, në homelinë e meshës për punonjësit e mediave të Vatikanit, për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes. Prefekti i dikasterit u ndal në figurat e propozuara nga Leximet e ditës, të cilat tregojnë se asgjë s’është e pamundur për atë, që ia beson vetveten Zotit. Njëzet, bashkëkremtuesit në Elterin e Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndër të cilët, sekretari i dikasterit, imzot Lucio Ruiz, drejtori i programeve të Radio Vatikanit, atë Andrea Majewski, drejtori i Librarisë së Vatikanit, don Giuseppe Costa e meshtarë të tjerë.

         Të shpallim misterin e Zotit, që “hyn në jetën e njerëzve dhe i ndryshon rrënjësisht”. Në meshën për punonjësit, imzot Viganò u ndal në misionin e atij, që është i thirrur të komunikojë Lajmin e Mirë të mëshirës së Zotit. Prefekti i dikasterit për Komunikimin e shtjelloi homelinë si një shtegtim ideal “në gjurmët e personazheve”, që propozon sot Fjala e Zotit. Leximet na paraqesin dy lindje, të pashpjegueshme për njerëzit. Protagonistët janë dy çifte, të cilat nuk shpresonin më të kishin fëmijë, por besonin në Zotin. E nga feja e tyre lindën Samsoni dhe Gjoni, dy bij të mëshirës së Zotit, të aftë ta kumtojnë duke kapërcyer vështirësi e tundime.

Të dëgjojmë për të kuptuar e për ta komunikuar ç’na kërkon Zoti

         Duke u ndalur veçanërisht në figurën e Manuehut, atit të Samsonit, imzot Viganò kujtoi se emri i tij do të thotë “vend pushimi”. Është ftesë për ta kuptuar se Zoti na bën vizitë e na kërkon ta dëgjojmë, edhe kur na zbulohet befasisht, jashtë skemave tona e në kohë të paparashikuara prej nesh. Këto “vende pushimi” janë vendet e lutjes e të shpirtit për ta kuptuar këtë të vërtetë, siç nënvizon gjithnjë Papa Françesku, për të cilin lutja “është çelës që hap zemrën” e Hyjit:

         “Pikërisht në këto oaza, në këto vende të shpirtit, Zoti na zbulon ç’dëshiron prej nesh, ç’duhet të bëjmë – që ta themi më thjesht – për t’iu përgjigjur thirrjes së Tij. Nëse nuk dëgjojmë, si mund t’i japim përgjigje? Është edhe një normë e mirë komunikimi: të dëgjojmë, për të kuptuar e për t’u përgjigjur si duhet e me mend”.

         Duke folur më pas për Samsonin, emri i të cilit të kujton diellin, imzot Viganò u tha punonjësve të Sekretarisë për Komunikimin të ndjehen “dhuratë për njëri-tjetrin”, gati “shkëndija bukurie”, iskra dielli, si në punë, ashtu edhe në familje. “Na kërkohet të impenjohemi – vijoi – të respektojmë rregullat, të kapërcejmë vështirësitë e tundimet e pashmangshme”, që sjellin “lodhje, keqkuptime, zhgënjime”. Emri i Zakarisë, nënvizoi prefekti i dikasterit për Komunikimin, duke përmendur një protagonist tjetër të Leximeve të sotme liturgjike, do të thotë “Zoti u kujtua”. E pastaj figura e Elizabetës, emri i së cilës do të thotë “Zoti u betua”, por mund ta përkthejmë edhe si “Zoti është besnik”. Këta ishin prindërit e Gjonit, që paralajmëroi ardhjen e Jezusit.

Lajmi i Mirë i Hyjit: Zoti “ka” dhe “është” mëshirë

         Nganjëherë, vërejti më pas imzot Viganò, gjatë lutjes së përditshme na duket sikur po përsërisim veç formula të ditura. E pastaj, thashethemet e njerëzve, ndjenja sikur gabojmë diçka, angushtia, dorëzimi, na e mbërthejnë zemrën e duket sikur e mbysin shpirtin. Por Zoti nuk është mbledhës taksash, që na dënon kur nuk i dalin llogaritë:

         “Zoti vjen papritmas, shpërthen gëzimi për jetën, që lind si për mrekulli; para vështrimit tonë të mahnitur mbin si filiz një fëmijë, për mungesën e të cilit ndjenim tashmë vetëm keqardhje e kështu, na dëshmon bekimin e Hyjit pas ditëve plot vuajtje. Zoti i kumton popullit të vet një lajm të mirë: Ai ka/është mëshirë”.

         Ky, theksoi imzot Viganò, është kuptimi i emrit të Gjonit. Zoti pati mëshirë e vazhdon të ketë mëshirë për secilin prej nesh, për çdo grua e çdo burrë, që vjen në botë.

Jemi bashkësi ndërkombëtare, çojuani mesazhin e Krishtlindjes të gjithëve

         Lutja e besimtarëve u shqiptua në disa gjuhë, duke dëshmuar përbërjen ndërkombëtare të bashkësisë së komunikimit të Selisë së Shenjtë. Shenjë pasurie, nënvizoi imzot Viganò në fund të meshës, duke u ndalur pikërisht në këtë aspekt, që dëshmon se në Kishë, askush nuk është i huaj:

         “Jemi një bashkësi ndërkombëtare, prandaj çojuani këto urime bashkësive të origjinës, që janë dioqeza e bashkësi të shpërndara në të gjithë botën. Falenderoj edhe dy Urdhërat e mëdha, që kryejnë një shërbim të rëndësishëm brenda Sekretarisë për Komunikimin. Mendoj për Shoqërinë e Jezusit: t’ia çojmë urimet, urimet e para të Krishtlindjes, eprorit të ri të përgjithshëm. E edhe për Salezianët. Dy Urdhërit e mëdhenj fetarë, që shërbejnë në Selinë e Shenjtë, më një numër të madh personash… Nuk na mbetet tjetër veçse të gëzohemi në Zotin, që e kujtojmë në Krishtlindje si Hyj këmbëngulës, kokëfortë, i cili nuk deshi që njeriu të humbasë e për këtë u bë njeri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.