2016-12-17 08:00:00

Papa mbushi 80 vjeç: mbushtë të panjehuna!


Papa Françesku mbushi 80 vjet! Vjet të shkrira për Krishtin e Kishën e tij, nga periferia - në periferi e deri në zemrën të krishterimit, në Romë, ku nga rregulltar jezuit e ipeshkëv i periferive, që ishte, u bë Papa i skajeve e skutave të mbarë dheut. Të flasësh për vitet e gjata të veprimtarisë së Jorge Mario Bergoglios, do të thotë të shkruash vëllime të tëra. Që edhe po shkruhen. Po ne sot duam të kujtojmë me mirënjohje të thellë vetëm ç’e lidh Françeskun me shqiptarët, duke nisur nga vizita në trojet tona, tek shenjtërimi i Nënë Terezës, lumnimi i martirëve të Kishës Katolike shqiptare, krijimi i kardinalit II të shqiptarëve….

I takoi Françeskut ta çonte deri në fund lartimin e Nënë Terezës në nderimet elterit, nisur nga Gjon Pali II i cili, më 20 dhjetor 2002, pati njohur virtytet heroike të Motrës imcake shqiptare, për ta Lumnuar më 19 tetor 2009. Ndërsa Françesku e shenjtëroi më 4 shtator 2016, duke hapur kështu, listën e shenjtorëve shqiptarë të kohëve moderne me emrin e Asaj, që ia kishte fituar prej kohe zemrën mbarë botës.

Dy ngjarje të mëdha, në një vit, për këto troje falë dashurisë së Françeskut për shqiptarët: menjëherë pas Shën Terezës, Papa Françesku miratoi një proces lumnimi, nisur që më 10.11.2002 në katedralen e Shkodrës e përfunduar lumnisht, në të njëjtën katedrale, më 5 nëntor 2016.

E pak para kësaj date, pikërisht më  9. 10. 2016 – ishte e diel – në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Françesku gjatë njoftimit lidhur me mbledhjen e koncistorit për krijimin e 13 kardinajve të rinj, të shtunën, më 19 nëntor, natën e mbylljes së Portës Shenjte të Mëshirës në Bazilikën e Shën Pjetrit, i çuditi përsëri shqiptarët. Lexoi emrat e trembëdhjetë kardinajve të rinj, të cilëve u shtoheshin edhe katër të tjerë, një kryeipeshkëv, dy ipeshkvij nderi dhe një meshtar… ishte shqiptar, dom Ernest Simoni, prift i kryedioqezës Shkodër–Pult.

Po kush ishte ky meshtar i shpëtuar nga masakra e madhe, pas burgimeve e persekutimeve të rënda? I vetmi i mbetur gjallë pas fortunës së martirizmit? Ishte një prift, që shërbeu gjithnjë ndër katunde, prej këndej, jo shumë i njohur edhe në gjirin e bashkësisë katolike shqiptare. U desh të vinte 21 shtatori i vitit 2014, që të bëhej i njohur jo vetëm nga të vetët, por nga gjithë bota, që i kishte sytë te Shqipëria, prej nga i fliste Papa Françesku. Pashë me sy martirizimin e martirët – pati thënë Papa - që me këtë vizitë i bënte një dhuratë të re shqiptarëve, duke  i folur përsëri , pas Gjon Palit II, botës mbarë për martirizmin e madh të këtij populli të vogël. E duke lënë pas porosi, që kanë vlerë për sot e për ardhmërinë. Sepse ishte  në Shqipëri pikërisht për të përforcuar në fe Kishën e për të inkurajuar vendin e vuajtur nga ideologjitë e së kaluarës.

Duke u takuar me Presidentin e Republikës dhe me Trupin Diplomatik, Françesku pati kujtuar:

“Respektimi i të drejtave njerëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një vendi. Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij, lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët”.

E pas porosisë, një përgëzim:

“Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme”.

Një Shqipërie, që ecën me hapa të pasigurta drejt një ardhmërie ende të paqartë, Papa i kujtoi se:

“Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e Shtetit, me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit, që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen”.

Ndërsa në takimin me bashkësinë katolike të martirizuar, Kryebariu nuk mund të mos e quante tokën shqiptare, tokë martirësh. Gjatë Meshës,  kulm i vizitës së tij njëditore në Shqipëri, Françesku theksoi:

“Duke sjellë përsëri në mendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të persekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të patrandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar! Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I)”.

E në përfundim të këtyre radhëve, shkruar për t’i uruar Papës argjentinas 80-vjetorin e ditëlindjes, urimi që ai i la Shqipërisë, në prag të rikthimit në Romë...

“Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”.

.. dhe thirrja:

“Kishë, që jeton në këto troje të Shqipërisë, faleminderit për shembullin e besnikërisë ndaj Ungjillit! Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin, edhe deri në flijimin e jetës. Uroj që dëshmia e tyre t’i mbështesë hapat tuaj, të sotëm e të nesërm, në udhën e dashurisë, të lirisë, të drejtësisë e të paqes. Amen!”.

E tani, që është radha jonë, ne  urojmë, Atë i Shenjtë, që dëshmia Juaj e ndritshme të na i mbështesë hapat në udhën e dashurisë për Krishtin, për Ju, që jeni mëkëmbësi i Tij, për lirinë, drejtësinë e paqen, që ju  dëshironi t’i gëzojnë të gjithë popujt e botës, edhe populli i vogël shqiptar, që e vizituat të parin në Evropë, sepse i vogël në numër, por i madh në qëndresë për Krishtin e Selinë e Shën Pjetrit! Gëzuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.