Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Predikimi i tretë i Ardhjes i atë Cantalamessa: “Dehja e Shpirtit, që të lë esëll”

Predikimi i atë Raniero Cantalamessa në Kohën e Ardhjes - ANSA

16/12/2016 14:24

Predikimi i tretë i Kohës së Ardhjes, sot paradite në Vatikan, në praninë e Papës Françesku dhe të Kuries romake. Reflektimi i propozuar nga atë Raniero Cantalamessa pati temën, që e shqipëruar, do të tingëllonte: “Dehja e Shpirtit, që të lë esëll”.

         “Një shans për Kishën”: kështu e pati quajtur i Lumi Pali VI, Rinovimin Karizmatik Katolik, me rastin e Kongresit të parë botëror në vitin 1975, duke shtuar se motoja e lëvizjes mund të ishte fraza e shën Ambrozit: “me gëzim pijmë esëll begatinë e Shpirtit”.

Dehja materiale e dehja shpirtërore

         E nga kjo frazë për gjithë të krishterët mori shkas predikimi i atë Cantalamessa-s, i cili saktësoi se në tekstin origjinal “begatia e Shpirtit” tingëllon më shumë si “dehja e Shpirtit”, shprehje, që më vonë, u konsiderua tepër e guximshme. Atëherë, Etërit e Kishës folën për “dehjen e kthjelltë”, atë që të lë esëll, duke luajtur herë me analogjinë e herë me kontrastin ndërmjet dehjes materiale dhe dehjes shpirtërore:

         “Analogjia qëndron në faktin se të dyja tipet e dehjes të japin hare, të bëjnë të harrosh problemet e të dalësh nga vetveteja. Kontrasti qëndron në faktin se ndërsa dehja materiale (nga alkooli, droga, seksi, suksesi) të bën të lëkundur e të pasigurtë, ajo shpirtërore të rrënjos në të mirën… Ata që, në kohën e Rrëshajëve, menduan se apostujt ishin dehur, kishin të drejtë, shkruan shën Cirili i Jeruzalemit; gabonin vetëm kur mendonin se dehja vinte nga vera e zakonshme, ndërsa fjala ishte për ‘verë të re’, dalë nga ‘vreshta e vërtetë’, që është Krishti”.

Shpirti Shenjt është arsyeja e entuziazmit tonë

         Ç’duhet bërë për ta mishëruar këtë ideal të dehjes në situatën e sotme historike dhe kishtare? Në të kaluarën, vërejti atë Cantalamessa, kalohej nga kthjelltësia në dehje. Me një fjalë, për të arritur dehjen shpirtërore, duhej kaluar përmes agjërimit, përmes largimit nga gjërat e kësaj bote. Jemi, nënvizoi predikatari, në nivele të jetës shpirtërore, që quhen purgative dhe ndriçuese. Në këto raste, shpirti çlirohet me vështirësi nga zakonet e përditshme dhe përgatitet për bashkimin me Hyjin. Kjo lloj përshpirtërie, theksoi atë Cantalamessa, ka rrezik ta zhvendosë vëmendjen nga Hiri i Tënzot në përpjekjet e njeriut. Ndërsa, sipas Besëlidhjes së Re, kthjelltësia është e nevojshme për të arritur dehjen e Shpirtit e, nga ana e saj, dehja e Shpirtit është e nevojshme për të praktikuar kthjelltësinë. Hyjmë kështu, në një rreth virtuoz:

         “Kjo udhë e dytë – që shkon nga dehja në kthjelltësi – është udha, që Jezusi u tregoi apostujve. Megjithëse patën si mësues e atë shpirtëror vetë Jezusin, para Rrëshajëve, ata nuk qenë në gjendje të zbatonin asnjë nga ndjetet ungjillore. Por në Rrëshajë, kur u pagëzuan me Shpirtin Shenjt, u shndërruan, u bënë të aftë të durojnë për Krishtin çdo lloj vështirësie e në fund, edhe u martirizuan. Shpirti Shenjt qe shkaku i entuziazmit të tyre”.

Ku ta gjejmë dehjen e Shpirtit?

         Kemi nevojë për dehjen e Shpirtit, po ku ta gjejmë atë? Atë Cantalamessa përmendi Eukarestinë dhe Shkrimin Shenjt, por edhe një mundësi të tretë, hirin e Rrëshajëve, përshkruar nga Shën Ambrozi. Predikatari mori shembullin e një riti të thjeshtë, që përdoret nga Rinovimi Karizmatik Katolik: pagëzimin në Shpirtin Shenjt, përvojë hiri, e cila e përtërin jetën e krishterë të njerëzve, që e kërkojnë. Nuk është e vetmja mënyrë për të provuar hirin e Rrëshajëve, pohoi atë Cantalamessa, por mund të jetë mjet i dobishëm. Pastaj ka njëmijë mënyra të tjera si ushtrimet shpirtërore, një takim apo një libër i veçantë… I Lumi Pali VI pati folur për “Rrëshajët e përhershme” e pikërisht me fjalët e tij e përfundoi predikimin atë Raniero Cantalamessa:

         “Kisha ka nevojë për Rrëshajët e veta të përhershme; ka nevojë për zjarr në zemra, për fjalë në gojë, për profeci në sy… Ka nevojë, Kisha, të rifitojë ankthin, shijen, sigurinë e së vërtetës së saj… E pastaj, ka  nevojë, Kisha, ta ndjejë si përhapet në të gjitha fushat e saj njerëzore vala e dashurisë, e asaj dashurie që quhet dashuri hyjnore e që dikohet në zemrat tona pikërisht nga Shpirti Shenjt, i cili na është dhuruar”.

16/12/2016 14:24