2016-12-14 16:21:00

Selia e Shenjtë: t’u rijepen të drejta e dinjitet të moshuarve


Një trakatat i ri, një konventë e re apo një dokument i ri, që të ripohojë çka  është pohuar më se një herë. Gjithçka mund të shkojë fare mirë, nëse  parimet e shpallura edhe respektohen, më në fund. Përndryshe do të fliteshin përsëri një mori fjalësh të kota e të panevojshme, të cilat njerëzit e moshuar nuk kanë më forcë, kohë e as dëshirë t’i dëgjojnë. Sepse kanë dëgjuar edhe tepër. Tani duan të shikojnë punë, e jo fjalë. Këtë theksoi gjatë diskutimit të tij imzot Bernardito Auza në sesionin e grupit të punës (Oewg) që po merret, në selinë e OKB-së, me mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit  të njerëzve të moshuar.

Një botë e “plakur”

Vëzhguesi i Vatikanit e hapi fjalimin e tij me disa shifra, që e pasqyrojnë në tri përmasa skenarin global, tejet shqetësues: “Brenda vitit 2030, në të gjithë botën, numri i njerëzve mbi 60 vjeç do të rritet me 56%: nga 901 milionë, në një miliard e 400 milionë. Brenda vitit 2050, e njëjta shtresë e popullsisë do të dyfishohet, duke arritur në 2.1 milard. E kjo nuk mund të quhet ndryshe, veçse shtim i popullsisë së moshuar apo, më shkurt, “një botë e plakur”. E rritjes së popullsisë së moshuar - pohoi imzot Auza – i shtohen edhe shpresat për rritjen e moshës  mesatare. Gjë që do t’i vërë në një sprovë jo të lehtë sistemet shëndetësore dhe rrjetet e sigurimeve shoqërore.

E këtu lindin edhe problemet e dinjitetit të njerëzve me moshë, që nuk gjelbëron më, gjë që – kujtoi imzot Auza - mund të krijojë rrezikun të shikohen  vetëm si barrë ekonomike e shoqërore, pa marrë parasysh se të moshuarit  mund të vijojnë të japin, në mënyra të ndryshme, kontributin e tyre shoqëror. Duhet nënvizuar me forcë se dinjiteti i njeriut nuk ka të bëjë me moshën, nuk zhduket me pleqërinë, e aq më pak, me pakësimin e aftësisë prodhuese. Atëhere, si duhet vepruar për ta korrigjuar këtë koncept kaq të gabuar, që në fund të fundit ka të bëjë me jetën e gjithë njerëzimit që, siç thamë më lart, po shkon drejt plakjes?

Gjithë të rinjtë, do të jenë pleq!

Flitet shumë, propozohen dokumente e plane të reja ndërkombëtare veprimi, por vëzhguesi i Selisë së Shenjtë kërkon fakte, përveç dokumenteve dhe i kujton njerëzimit se, në një të nesërme jo të largët gjithë të rinjtë do të jenë pleq!








All the contents on this site are copyrighted ©.