2016-12-14 14:41:00

Dokument i ipeshkvijve evropianë për varfërinë dhe përjashtimin shoqëror


Për t’iu përgjigjur kërkesave të 119 milion të varfërve në Evropën e sotme, Komisioni i episkopateve të Bashkësisë Evropiane (COMECE) mendon se është i domosdoshëm krijimi i një “bashkësie të solidaritetit dhe të përgjegjësisë”, që mund të realizohet, duke ndjekur gjashtë rrugë. Ato përshkruhen në “Deklaratën për varfërinë dhe përjashtimin shoqëror”, që u publikua dje, mbi bazën e rezultateve të Asamblesë së përgjithshme të tetorit.

         Rruga e parë kalon përmes “promovimit të zhvillimit të gjithanshëm”, sipas strategjisë “Evropa 2020”, e cila duhet marrë parasysh sidomos për treguesit shoqërorë dhe ambientalë. Kjo rrugë kërkon mbështetjen e një mënyre tjetër konsumi dhe të një prodhimtarie të ndryshme nga e sotmja.

Të eliminohen shkaqet strukturore të varfërisë

         Së dyti, theksojnë ipeshkvijtë, duhet ndryshuar politika në mënyrë të tillë, që “fiskaliteti i barabartë” për të gjithë, pra, kërkesa e drejtë që të gjithë të paguajnë taksat, të kontribuojë vërtet në zhdukjen e shkaqeve strukturore, që çojnë drejt varfërisë. Së treti, është e nevojshme të “riekuilibrohen interesat ekonomike dhe të drejtat shoqërore”, duke i dhënë fund shtimit të pabarazive dhe shtrirjes së tyre.

Familjet, protagonistë në shoqëri

         Pika kulmore e betejës së Bashkimit Evropian, nënvizon deklarata e COMECE-s, duhet të jetë mbrojtja e kushteve të përshtatshme të punës, përmes forcimit të legjislacionit në këtë fushë dhe respektimit të normave ndërkombëtare. Element tjetër është njohja e rolit të familjes në shoqëri, duke i dhënë asaj mbështetje e përkrahje e duke menduar politika për ta ndihmuar. Vetë familja duhet të hyjë në dialog me të gjithë protagonistët e shoqërisë, duke u nisur nga të varfërit.

Luftë e gjithanshme kundër varfërisë

         Para një të katërtës së popullsisë, e cila, akoma sot, përballet me rrezikun e varfërimit e të përjashtimit shoqëror, ipeshkvijtë e inkurajojnë Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të tij ta shohin problemin e luftës kundër varfërisë dhe përjashtimit shoqëror nga të gjitha këndvështrimet e në të gjitha format, duke bashkëpunuar ngushtë me shoqërinë civile e me Kishat.

Modeli i “ekonomisë shoqërore”

         Varfëria, vë në dukje dokumenti, është zhvendosur nga periferia në zemër të shoqërive evropiane. Mban në kurthin e vet fëmijë, të rinj, të papunë afatgjatë, “punëtorë të varfër”, grupe shoqërore të diskriminuara. “Më të brishtët - pohohet në tekst - duhet të jenë në qendër të politikave lokale kombëtare e të Bashkimit Evropian”, të udhëhequra nga parimet e “solidaritetit e të susidiaritetit”. Në një ekonomi globale të ndërvarur, edhe qeveritë duhet të bashkëpunojnë, të paktën në nivelin evropian, përsa u përket normave dhe politikave shoqërore e fiskale. Nëse varfëria është rezultat i pengesave strukturore të sistemit, vetëm modeli i “ekonomisë shoqërore të tregut”, siç e quajnë ipeshkvijtë e COMECE-s, pra, të asaj ekonomie, që lidh parimin e tregut të lirë me kërkesën për solidaritet e me mekanizmat e shërbimit për të mirën e përbashkët, ofron të gjitha mjetet për ta luftuar vetë varfërinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.