2016-12-14 14:55:00

K9: shtytje misionare e sinodalitet në reformën e dikastereve


 Këshilli i Kardinajve u mblodh, në praninë e Atit të Shenjtë për tri ditë me radhë: më 12, 13 e 14 dhjetor. Pjesa më e madhe e diskutimeve iu kushtua përsëri mendimeve mbi dikasteret e ndryshme të Kuries, lidhur me Kushtetutën e re aspostolike. U fol në mënyrë të veçantë për Kongregatën e Ungjillëzimit të Popujve (Propaganda Fide), Sekretarinë e Shtetit, Kongregatën për Ipeshkvijtë dhe Kongregatën për Kishat Lindore.

 Dy, temat kryesore, parë si vija udhëheqëse të reformës për dikasteret: shtytja misionare dhe sinodaliteti. Kardinajtë e kanë përfunduar tashmë studimin e dikastereve të tjera: Doktrinës së Fesë, Jetës Rregulltare dhe Shoqërive të Jetës së Kushtuar, Çështjeve të Shenjtorëve dhe Kongregatës për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Më shumë kohë iu kushtua  projekteve për dy dikasteret e reja. Kardinali Kevin Farrell u ndalua tek Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, prefekt i të cilit është. Diskutimi u përqendrua shumë mbi rolin e laikëve, me ftesën drejtuar të gjithëve për ta rilexuar Letrën e Papës Françesku drejtuar kardinalit Marc Ouellet, Kryetar i Komisionit Papnor për  Amerikë Latine.

Kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson paraqiti planin e punës të dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, në të cilin shkrihen katër dikastere: Drejtësi e Paqe, Cor Unum, Punonjësit e Shëndetësisë dhe Emigrantët e Endacakët.  Kardinali Turkson shoqërohej nga imzot  Silvano Maria Tomasi, që shpjegoi se dikasteri i ri është aktualizim i Kushtetutës konciliare  Gaudium et Spes.  Më pas kardinali Sean O’Malley foli për veprimtaritë e fundme të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, të cilin e kryeson, ndërsa kardinali George Pell u ndalua tek zhvillimet e fundit lidhur me  Sekretarinë për Ekonominë, që i është besuar.

Pasdite, imzot Dario Edoardo Viganò, Prefekt i Sekretarisë për Komunikimin, foli për hapat e bëra e edhe ata, që mbeten akoma për t’u bërë, lidhur me reformimin e komunikimit të Selisë së Shenjtë, me vëmendje të posaçme  përqendruar tek formimi i personelit.

Kujtojmë se mbledhja e ardhshme e Këshillit parashikohet për ditët 13-14-15 shkurt 2017.








All the contents on this site are copyrighted ©.