Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa për Global Forum në Daka: emigracioni dhe zhvillimi janë të lidhura

Emigrantë - AFP

13/12/2016 12:07

Papa Françesku inkurajon qeveritë dhe autoritetet politike rajonale të përballojnë krizën e shkaktuar nga shpërngulja në masë e njerëzve, duke kujtuar se fenomeni i emigracionit dhe zhvillimi janë të lidhura ngushtë me varfërinë, luftën, trafikun e njerëzve dhe me nevojën për një zhvillim ambiental e njerëzor të qëndrueshëm. Kështu u shkruan pjesëmarrësve të Forumit të nëntë Global mbi emigracionin dhe zhvillimin, që u zhvillua në Daka, nga 10 deri më 12 dhjetor.

         Në kryeqytetin e Bangladeshit, Selia e Shenjtë përfaqësohej nga zv.sekretari i Këshillit Papnor për emigrantët dhe itinerantët, skalabriniani Gabriele Bentoglio. Gjatë punimeve ai lexoi mesazhin e Papës, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Ati i Shenjtë nënvizon se ndjehet nevoja urgjente për një udhëheqje të vërtetë globale, në gjendje të administrojë ekonominë ndërkombëtare, duke ekuilibruar kërkesat e vendeve të ndryshme në kushtet aktuale të krizës; ndjehet nevoja e çarmatimit, e sigurisë ushqimore dhe e paqes, si edhe domosdoshmëria për të mbrojtur ambientin e për të vendosur norma mbi emigracionin. Vetëm strategjia e gjithanshme, është i bindur Papa, mund ta luftojë varfërinë, t’u rikthejë dinjitetin të përjashtuarve nga shoqëria dhe të kujdeset për natyrën.

Relacioni i atë Gabriele Bentoglio-s

         Ndërkaq, në relacionin e tij, atë Bentoglio, duke paraqitur edhe përvojën shumëvjeçare të skalabrinianëve në fushën e emigracionit, denoncoi prirjen për të vënë në dukje më tepër problemet e fenomenit, se sa mundësitë për zhvillim, që ofron ai. “Selia e Shenjtë – shpjegoi atë Bentoglio – nënvizon vazhdimisht centralitetin dhe dinjitetin e çdo njeriu, vë në dukje të drejtat dhe detyrat e emigrantëve, pavarësisht nga statusi i emigracionit”. Edhe emigrantët mund të japin një kontribut të rëndësishëm për arritjen e objektivave të Agjendës 2030 për zhvillimin.

Kisha kundër stereotipeve

         Misionari skalabrinian nënvizoi betejën e Kishës kundër stereotipeve dhe paragjykimeve. Ai kërkoi trajtimin e emigrantëve me respekt e realizëm, duke treguar kujdesin e duhur për të drejtat e tyre njerëzore, por edhe duke punuar njëkohësisht për formimin dhe edukimin e tyre, bazë e politikave të integrimit. Integrimi, sipas Kishës Katolike, duhet të përfaqësojë një horizont ideal, “një proces, përmes të cilit, emigrantët e sapombërritur dhe bashkësia, ku duan të bëjnë pjesë, i përshtaten njëri-tjetrit, si në nivelin institucional, ashtu edhe në atë individual”.

Të shihet emigranti nga të gjitha këndvështrimet

         Emigrantët, nënvizoi më tej atë Bentoglio, duke cituar “kulturën e takimit”, shprehje aq e dashur për Papën Françesku, duhen konsideruar në tërësinë e tyre. “Në të vërtetë, nuk kemi të bëjmë me statistika e numra, me ide abstrakte, por me njerëz, me persona realë, që meritojnë të mbrohen e t’u respektohet dinjiteti”. Nga ana tjetër, emigrantët duhet të plotësojnë me përgjegjësi detyrat ndaj shoqërisë, ku strehohen, si për shembull: përvetësimi i gjuhës, respektimi i trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të vendit ku kanë ardhur, respektimi i ligjeve, shprehja e mirënjohjes e pse jo, pjesëmarrja aktive e kontributi për të mirën e përbashkët të kombit, ku tashmë bëjnë pjesë”.

Emigracioni duhet përballuar në rrënjë

         Së fundi, nënsekretari i dikasterit për emigrantët theksoi se fenomeni duhet përballuar në rrënjë. Siç denoncon shpesh Papa Françesku, luftrat, dhunimi i të drejtave të njeriut, korrupsioni, varfëria, pabarazitë e fatkeqësitë natyrore janë faktorë të rëndësishëm, që kontribuojnë në shtimin e emigracionit. E nuk duhen harruar as më të brishtët, si fëmijët e gratë, që të parët, vuajnë nga shpërnguljet e popullsisë botërore.

13/12/2016 12:07