2016-12-13 11:56:00

Letra e Papës Assadit. Zenari: shpresojmë në një rrugëzgjidhje


Gjithnjë më i ndërlikuar skenari në Siri, ku lufta vijon pa fund. E zëri i Papës dëgjohet përsëri, pas thirrjes të së dielës në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Françesku kërkon ndalimin e dhunës dhe respektimin e së drejtës humanitare ndërkombëtare. E bën këtë përmes një letre drejtuar presidentit sirian Assad, dorëzuar nga Nunci apostolik, kardinali Mario Zenari. Ndërkaq Halebi vijon të jetojë nën breshërinë e bombave të forcave qeveritare, ndërsa Palmira mbetet e rrethuar nga Shteti Islamik.

Papa, pra, ia besoi Nuncit apostolik, kardinalit Zenari, lartuar në rangun e kardinalit pikërisht në shenjë afërsie me popullin e dashur sirian, letrën për presidentin. Në tekst, siç njofton Salla vatikanase e Shtypit, lexohet thirrja drejtuar Bashar al Assad-it dhe bashkësisë ndërkombëtare "për t’i dhënë fund dhunës” e për rrugëzgjidhjen paqësore të konfliktit. Në letër dënohen edhe të gjitha format e esktremizmit e të terrorizmit, nga çdo anë që të vijnë, ndërsa presidenti nxitet të sigurojë respektimin e plotë të së drejtës humanitare ndërkombëtare, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e civilëve dhe hyrjen e ndihmave humanitare. Nunci apostolik, kardinali Zenari, flet në mikrofonin tonë, për dorëzimin e letrës papnore, gjatë një vizite mirësjelljeje dje, tek presidenti Assad:  

Përgjigje: - U prita sot në mëngjes nga presidenti. Ishte vizitë mirësjellje. I ktheja, kështu, vizitën qeverisë, që dërgoi një delegacion, duke pasur parasysh se shkova në Romë ipeshkëv e u ktheva kardinal. E kjo ishte një ngjarje e pashembullt, gjë që e kuptuan të gjithë - nga qeveria, tek qytetarët - se ishte një gjest nga ana e Papës, për t’i  shprehur afërsinë e tij sirianëve. Me rastin e kësaj vizite, e në klimën e këtij emërimi, ia dorëzova letrën e Papës. Nuk është e vështirë të merret me mend çka shkruhet në këtë letër. Në të përmblidhet gjithçka, që Papa e ka thënë vazhdimisht lidhur me konfliktin sirian. Aspekti humanitar, in primis.

Pyetje: - Ju patët përshtypjen se presidenti po e merrte me angazhim letrën papnore?

Përgjigje: - Përshtypja që pata është se e mori këtë letër të Papës - do të thosha - me shumë mirënjohje. E lexoi dhe e vlerësoi, këtë mund të them…

Pyetje: - Është, sigurisht, një hap i madh dhe i rëndësishëm e, duke pasur parasysh edhe çastin kaq delikat për Sirinë, ndoshta kjo mund të ndikojë për të ngjallur shpresa të reja…

Përgjigje: - Këtë e dëshirojmë të gjithë: që të hapet ndonjë spirale, të ketë ndonjë gjë të re për zgjidhjen e konfliktit, me vetëdijen se kjo nuk është e lehtë! Duhet vijuar në rrugën, që synon t’i japë fund dhunës, rrugën e hyrjes së ndihmave humanitare e të pajtimit, posaçërisht në këto çaste, në Haleb, ku çmimin më të lartë të këtij konflikti po e paguan popullsia civile. Si besimtarë e si të krishterë, lutemi…

Thirrja e Papës arrin kur Halebi është 96% në duart e lealistëve, të mbështetur nga rusët e nga Irani. Rebelët e lagjeve lindore, pas evakuimit të qindra mijëra civilëve brenda një muaji, mbeten në më pak se 8 km2. Shifrat janë të mbrojtjes ruse, që flet edhe për situatën në Palmirë. Atje Is ka arritur në periferinë e qytetit, duke hapur rrugën edhe me autobomba. Sulm, ky, që Moska ia atribuon ndalimit të luftimeve të forcave amerikane në Raqqa dhe armëpushimeve të panumërta në Haleb, të cilat ndikuan për përforcimin e milicive xhihadiste, në radhët e të cilave po përfshihen edhe luftëtarët në ikje nga Iraku.








All the contents on this site are copyrighted ©.