2016-12-13 15:08:00

Koncert i Baglionit në Vatikan për spitalin pediatrik në Bangui


Të shtunën e ardhshme, më 17 dhjetor, në orën 20.30, këngëtari i njohur italian, Claudio Baglioni, do të japë në Sallën Pali VI në Vatikan, një koncert bamirësie, me titull “Avrai” (Do të kesh). Të ardhurat e koncertit do të shkojnë për dy projekte: për spitalin pediatrik në Bangui, Republika Qendrafrikane, dhe për viktimat e tërmetit në Italinë qendrore. Gjithçka do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rai Uno. Biletat janë shitur që të gjitha, duke siguruar kështu një shumë prej 500 mijë eurosh. Por secili mund të vazhdojë të kontribuojë për këto dy projekte, duke çuar një mesazh me celular, me vlerë 2 euro, në numrin solidar 45523. Nëse telefonohet nga rrjeti fiks, mund të dhurohen 5 ose 10 euro. Si lindi ideja e këtij koncerti? Të dëgjojmë vetë Claudio Baglioni-n, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

         Ideja lindi nga një propozim i Papës Françesku e rastësisht, përkon me ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij (më 17 dhjetor). Ati i Shenjtë e hapi Jubileun e Mëshirës në Bangui, kryeqytet i Republikës Qendrafrikane, e ndërsa vizitonte spitalin pa se struktura ishte në gjendje vërtet kritike. Atje ishte edhe komandanti Giani, kreu i xhandarmërisë vatikanase. Përmes këtyre tregimeve, unë u interesova për çështjen e për mundësinë e një projekti, që kishte si synim përfundimtar mbledhjen e fondeve për sistemimin e spitalit. Fatkeqësisht, më vonë, ndodhi edhe tërmeti në Italinë qendrore. Atëherë u mendua se do të ishte një sinjal simbolik, por edhe faktik, dhënia e një pjese të shumës së mbledhur për oratoriumin e kishës së Norçës.

         Pse zgjodhet titullin “Avrai” (Do të kesh) për këtë projekt? Është titulli i një kënge shumë të njohur, por pse kjo ndërmjet shumë këngëve të tjera?

         “Avrai” është këngë e rëndësishme për mua nga pikpamja profesionale, por edhe për shkak të historisë personale, sepse është shkruar kur lindi djali im, Giovanni. Është këngë që, me kohë, u bë një lloj himni, një urim, një premtim për paktin e qëndrueshëm, i cili duhet të ekzistojë ndërmjet atyre, që janë në këtë botë dhe atyre, që pritet të vijnë. E pastaj, sepse flet për të ardhmen: “Avrai” (Do të kesh) do të thotë të vendosësh edhe një herë një marrëveshje pajtimi, të transmetosh vlerat, por edhe gjithçka krijon përvojë, traditë; është prirje drejt së ardhmes, të cilën ne e mendojmë gjithmonë si pjesën më të mirë të jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.