2016-12-12 16:08:00

Tomasi: mospërdorimi i dhunës nuk është dorëzim apo indiferencë


Sot paradite, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2017. Tema: “Mospërdorimi i dhunës: stili i politikës për paqen”. Folën me gazetarët, kreu i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson, i cili nënvizoi rëndësinë e rrënjosjes së kulturës së mospërdorimit të dhunës në gjirin e popujve, si edhe kryeipeshkvi Silvano Maria Tomasi, nga i njëjti dikaster. Këtij të fundit i afruam mikrofonin tonë për të na shpjeguar arsyet e zgjedhjes së temës:

         Do të thosha se mospërdorimi i dhunës po bëhet rruga kryesore për ndërtimin e së ardhmes. Mospërdorim i dhunës nuk do të thotë dorëzim apo indiferencë, por impenjim konstruktiv, si dishepuj të Krishtit, që shtetet, marrëdhëniet në familje e ato ndërmjet njerëzve të bazohen mbi mirëkuptimin e dialogun dhe ndryshimet të përjetohen me qetësi e arsye. Kështu bota ku jetojmë të mos shohë më kaq shumë dhunë, për të cilën sot, fatkeqësisht, jemi dëshmitarë.

         Papa Françesku kujton në mesazh se është Jezu Krishti Ai, që përvijoi rrugën e mospërdorimit të dhunës…

         Jezusi jetonte në një vend të pushtuar nga të huajt, në të cilin dhuna ishte në rend të ditës e, megjithatë, i thotë Pjetrit: “Fute shpatën në mill”; më tej, thotë se kur ndokush na godet në njërën faqe, duhet të kthejmë edhe tjetrën. Por, revolucioni i vërtetë, i filluar prej Tij, qëndron në thënien se duhet të duam edhe armiqtë, pra, edhe atë që na bën keq, i cili, në njëfarë mënyre, mbetet bir i Zotit, prandaj, duhet të krijojmë me të marrëdhënie, që shkojnë përtej veprimit të keq. Ky veprim, natyrisht duhet luftuar, por duhet të ekzistojë mundësia për të rilidhur një marrëdhënie, e cila bazohet në diçka më të thellë e, pikërisht, në faktin se të gjithë jemi anëtarë të familjes së Hyjit. Sigurisht, dishepujt e Krishtit duhet të vazhdojnë udhën, që na ka treguar Ai, duke e hedhur poshtë dhunën e duke vepruar në mënyrë konstruktive për një shoqëri ku mirëqënia dhe zhvillimi kthehen në kontekst, që u lehtëson jetën të gjithëve, pa pasur nevojë për zgjidhje konfliktuale e të dhunshme.

Papa kujton se Kisha është e angazhuar për vënien në jetë të strategjive  të mospëdorimit të dhunës e të promovimit të paqes në shumë vende...

        Natyrisht, kur Kisha mundet - përmes kanaleve të saj diplomatike - bën çdo gjë për t’i lehtësuar lidhjet konstruktive  e paqësore, pa gjakderdhje, pa dhunë, pa shkatërrimin e pasurive, që e bëjnë jetën e njerëzve edhe më të mjerë. Pastaj, në institucionet ndërkombëtare, ku Selia e Shenjtë është e pranishme, si Kombet e Bashkuara, vijon të argumentojë e të ndërmjetësojë në favor të paqes e të marrëdhënieve ndërmjet shteteve, që të bazohen mbi dialogun dhe mospërdorimin e  dhunës. 

 Sa rëndësi ka, në këtë mesazh, thirrja e Papës në favor të çarmatosjes si dhe të ndalimit e zhdukjes së armëve bërthamore?   

       Nuk është e mundur, në asnjë mënyrë, të përdoren armët atomike, pa iu bërë një padrejtësi të parrëfyeshme civilëve, njerëz të pafajshëm, që do të shkatërroheshin njëherësh me objektivat ushtarake.  Prej këndej bëhet etikisht i papranueshëm jo vetëm përdorimi i këtyre armëve, por edhe pasja e tyre, sepse t’i kesh këto armë, do të thotë  të kesh edhe dëshirë t’i përdorësh; veç tjerash, t’i përdorësh këto armë si kërcënim për shkatërrimin reciprok, nuk është njerëzore, aq më pak, e krishterë. 

 Mesazhi përmban edhe një ftesë të Papës Françesku drejtuar liderëve politikë e fetarë, por edhe drejtuesve të sipërmarrjeve e të mediave të botës mbarë, për të luajtur rolin e veprimtarëve të paqes... 

      Strategjia e mospërdorimit të dhunës, e faljes dhe e pajtimit, bëhen mjete që, kanë vlerë edhe politikisht, nëse  vihen vërtetë në praktikë në mënyrë koherente, sepse mospërdorimi i dhunës është angazhim për t’i shndërruar shoqërinë dhe kushtet shoqërore në një mënyrë të tillë, që të lehtësohet bashkëjetesa e qetë e paqësore ndërmjet njerëzve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.