2016-12-12 12:53:00

Fjalët e Papës Françesku për Nënë Terezën në Mesazhin e Paqes 2017


Në Mesazhin për Paqen 2017, i cili u bë i njohur sot, Papa Françesku shkruan edhe për Nënë Terezën, duke e dhënë si shembull për mospërdorimin e dhunës, sipas temës së mesazhit “Mospërdorimi i dhunës: stili i politikës për paqen”. Ja fjalët e Atit të Shenjtë:

        Mospërdorimi i dhunës kuptohet nganjëherë si të ishte dorëzim, mosangazhim e pasivitet, por në të vërtetë, nuk është kështu. Kur Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979, e deklaroi haptas mesazhin e saj për mospërdorimin aktiv të dhunës: “Në familjen tonë nuk kemi nevojë për bomba e armë, për të shkatërruar që të sjellim paqen, por vetëm për të ndenjur së bashku, për ta dashur njëri-tjetrin… E do të kapërcenim çdo të keqe të kësaj bote”(1). Sepse forca e armëve është mashtruese. “Ndërsa trafikantët e armëve bëjnë punën e tyre, ka veprimtarë të shkretë të paqes, që vetëm për të ndihmuar një njeri, një tjetër e një tjetër e një tjetër, japin jetën”; për këta veprimtarë të paqes, Nënë Tereza është “simbol, ikonë e kohëve tona”(2). Në muajin e shtatorit pata gëzimin e madh ta shpall shenjte. Lavdërova gatishmërinë e saj ndaj të gjithëve përmes “mikpritjes dhe mbrojtjes së jetës njerëzore, asaj të palindurës, asaj të braktisurës e të hedhurës… [Nënë Tereza] u përkul mbi njerëzit e rraskapitur, lënë vdekur rrugëve, duke u njohur dinjitetin, që Zoti u kishte dhënë; e ngriti zërin para të pushtetshmëve të botës, që t’i kuptonin fajet e tyre para krimeve – para krimeve! – të varfërisë, krijuar prej tyre” (3). Si përgjigje, misioni i saj – e në këtë përfaqëson mijëra, madje, miliona njerëz – ishte të shkonte drejt viktimave, me bujari e përkushtim, duke prekur e fashuar çdo trup të plagosur, çdo jetë të këputur.

 

(1) Nënë Tereza, Fjalimi për Çmimin Nobel, 11 dhjetor 1979.
(2) Meditim, “Rruga e paqes”, Kapela e Shtëpisë së Shën Martës, 19 nëntor 2015.
(3) Homelia për kanonizimin e së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës, 4 shtator 2016.








All the contents on this site are copyrighted ©.