2016-12-10 16:18:00

Françesku: jo, modelit të zhvillimit, që mendon vetëm për fitimin


Zhvillimi i bujqësisë është themelor, e pra sot orientohet drejt modeleve, që shikojnë vetëm fitimin. Ky, qortimi i Papës në audiencën me pjesëmarrësit në takimin e ICRA, Shoqatës Ndërkombëtare të Fshatarëve Katolikë. Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga prodhimi, që vë në rrezik ritmet e jetës bujqësore. Uroi, më pas, të trajtohet me “dashuri” edhe lidhja me Krijimin.

“Një punë, nganjëherë shumë e lodhshme, por e kryer me vetëdijen se po bën diçka për të tjerët, duke e punuar me pasion tokën, për të siguruar frytet e saj”. Kështu e nënvizoi Papa Françesku rëndësinë e atyre, që punojnë në sektorin e bujqësisë.

Ndryshimet klimaterike janë rënduar nga pakujdesia njerëzore

Theksoi, më pas, paradoksin e një bujqësie, që nuk konsiderohet më sektor i dorës së parë i ekonomisë, por që vijon të ketë peshë të dukshme në politikat e zhvillimit, në mungesën e ekuilibrit lidhur me sigurimin e ushqimit si dhe në jetën e bashkësive fshatare. Françesku theksoi edhe se shumë fatkeqësi shkaktohen nga ndryshimet klimaterike që, për fat të keq, vijojnë të bëhen gjithnjë më shqetësuese nga pakujdesia njerëzore.

Jo, flijimit të ritmeve të jetës bujqësore, në emër të fitimit

Në disa zona gjeografike - nënvizoi Papa - zhvillimi bujqësor mbetet përgjigjja kryesore që mund t’i jepet varfërisë dhe mungesës së ushqimit:

“Por, që të arrihet tek kjo përgjigje - nënvizoi - duhet t’i jepet fund blerjes  të tokave, prodhimi i të cilave u grabitet atyre, që duhet t’i gëzojnë; nga metodat e padrejta spekulative ose nga mungesa e politikave konkrete, kombëtare e ndërkombëtare”.

Duke parë botën bujqësore sot, del në plan të parë përmasa e tregut, që orienton veprimet e vendimet. Fitimet, sidomos. Fitimet… Edhe me çmimin e flijimit të ritmeve të jetës bujqësore, të çasteve të punës e të kohës së lirë, të pushimit javor e të kujdesit për familjet. Për ata, që jetojnë realitetin e jetës fshatarake, kjo do të thotë të konstatosh se zhvillimi nuk është i barabartë për të gjithë, sikur jeta e bashkësisë së arave të kishte vlerë më të ulët.

Të shmanget përdorimi i pakujdesshëm i teknikave, që vënë në rrezik biolarminë

Papa i inkurajoi organizatat me frymëzim katolik të jenë në gjendje të bëjnë propozime konkrete, që e ndihmojnë botën bujqësore të mos mbetet mënjanë në vendimet politike, në planet normative, në veprimtarinë e sektorëve të ndryshëm të jetës shoqërore  e të ekonomisë. Ati i Shenjtë i mbështeti anëtarët e ICRA-s që, me të drejtë, mbajnë qëndrim kritik ndaj modeleve të orientuara nga agribusiness, duke e vënë theksin mbi nevojat reale, sipas kushteve të njerëzve e të vendeve.

Dashuri edhe në lidhjet tona me Krijimin

Papa e përfundoi fjalimin me një anekdotë personale, duke kujtuar bisedën me një fshatar, që i tregonte si krasiten ullinjtë:

“Ishte një katundar i thjeshtë, që kultivonte ullinjtë. E kur më tregonte mënyrën si e bënte këtë, ju siguroj se pashë dashuri në sytë e tij; kishte këtë lidhje me natyrën. E i krasiste pemët, si të ishte babai i tyre: me dashuri”.

Uroj, theksoi Ati i Shenjtë, të mos humbasë kurrë kjo marrëdhënie me natyrën, me Krijimin!








All the contents on this site are copyrighted ©.