2016-12-09 00:00:00

Shenjtorët e javës 11 -17 dhjetor


E diel 11 dhjetor, Kisha katolike e ritit romak kremton të Dielën e 3-të të kohës së Ardhjes, kohë liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Gjithnjë më 11 dhjetor, kalendari përkujton shën Damazin I, papë, shën Danielin, shën Sabinin. Liturgjia na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.

Të hënën më 12 dhjetor, kalendari kishtar përkujton festën të Lumes Mari Virgjër Mari të Guadalupes e shën Gjovanën de Shantal. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti na fton të kthehemi në rrugë të drejtë, për të gjetur ngushëllim. E kur e kuptojmë se nuk jemi të aftë ta përballojmë jetën pa ndihmën e Zotit, ai na jep forcë e krahë shqiponjash, për të fluturuar drejt lartësive.

Të martën më 13 dhjetor, bie përkujtimi i shën Luçisë së Sirakuzës, virgjër e martire (shqipëruar Drita) dhe e shën Aristonit, martir i Portos. Liturgjia e ditës na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë nga mundimet e përditshme, por duhet ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit zemërbutë e të përvujtë, të sigurtë se një ditë do ta kundrojmë me sytë tanë lumninë e Zotit.

Të mërkurën më 14 dhjetor, bie përkujtimi i shën Gjonit të Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur. Liturgia e ditës na kujton se në rrjedhë shekujsh Zoti i është dëftuar njerëzve shumë herë e në shumë mënyra, por ata e patën të vështirë ta pranojnë. Shën Gjon Pagëzuesi nuk i bindte, sepse tepër i ashpër, ndërsa Jezusi, pse tepër i butë.

Të enjten më 15 dhjetor. kalendari përkujton shën Valerianin, ipeshkëv në Afrikë e martir. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë mbi rëndësinë e mesazhit të Shën Gjon Pagëzuesit, krahasuar nga Krishti me Elinë. E kjo, sepse Shën Gjon Pagezuesi na fton të pendohemi e të kthehemi plotësisht në rrugën e Zotit.

Të premten më 16 dhjetor, bie përkujtimi i shën Davidit mret e profet dhe shën Adelajdës perandoreshë. Liturgjia e ditës na kujton se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti.

Të shtunën më 17 dhjetor, kalendari përkujton shën Danielin profet; shenjtorët Anania, Azaria e Mizaeli; shën Gjonin e Matës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe shën Gjaçintin Kormié, meshtar dominikan. Liturgjia e ditës flet për Danielin me profecinë e tij për ardhjen e një mbretërie të re, krejtësisht të ndryshme nga të tjerat, foli për atë mbretëri që u jepet të zgjedhurve të Hyjit.

Të dielën e ardhshme më 18 dhjetor, Kisha katolike e ritit latin romak, do të kremtojë të dielën e 4-të të kohës liturgjike të Ardhjes, e po më 18 dhjetor bie edhe përkujtimi i shën Malakisë profet dhe i shën Gacianit ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve misterioze të Hyjit.       








All the contents on this site are copyrighted ©.