Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Atë Cantalamessa: Shpirti Shenjt dhe dhurata e shqyrtimit

Predikimi i atit Cantalamessa - AP

09/12/2016 13:28

Predikimi i dytë i Kohës së Ardhjes sot paradite në kapelën e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan, mbajtur nga predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, në praninë e Papës Françesku e të Kuries Romake. Tema “Ta shijojmë, pa u dehur, pijen e Shpirtit Shenjt”. Në predikimin e sotëm predikatari kapuçin u ndalua posaçërisht tek Shpirti Shenjt dhe dhurata e shqyrtimit.

“Të lëshohemi plotësisht në Shpirtin Shenjt, që i drejton të gjithë e nuk drejtohet nga askush, që prin, nuk prihet”. Atë Raniero Cantalamessa i vijoi kështu reflektimet mbi veprën e Shpirtit Shenjt në jetën e Kishës e të të krishterit, duke u ndaluar sot posaçërisht tek domethënia e shqyrtimit. Në origjinë - shpjegoi predikatari - shprehja tregon dhantinë, e cila të mundëson t’i dallosh fjalët që vijnë nga Shpirti Shenjt, nga ato, që vijnë nga shpirtra të tjerë, domethënë nga shpirti i njeriut, ai demoniak apo i botës. Me Shën Gjonin Ungjilltar shqyrtimi nis të përdoret në funksion teologjik, si kriter për të dalluar doktrinat e vërteta, nga ato të rreme; ortodoksinë, nga herezia. Atë Cantalamessa nënvizoi se ekzistojnë dy fusha, në të cilat mund të ushtrohet dhurata e shoshitjes së zërit të Shpirtit Shenjt: fusha kishtare e ajo personale. Kisha, nën shtytjen e Koncilit II të Vatikanit, shqyrton shenjat e kohëve në dritën e Ungjillit, jo për t’i zbatuar në situata  e probleme të reja, që lindin në shoqëri, rrugëdaljet dhe rregullat e gjithmonshme, por për t’u dhënë atyre përgjigje të reja, të përshtatshme për çdo brezni. Në këndvështrimin moral, rregulla e pandryshueshme  e veprimit të Jezusit në Ungjill - kujtoi - përmblidhet në pak fjalë: “Jo mëkatit, po mëkatarit”:

“Mëkatari është krijesë e Zotit, e bërë sipas shëmbëlltyrës s Tij dhe e ruan dinjitetin e vet, pavarësisht nga të gjitha ravgimet e tij; mëkati, përkundrazi, nuk është vepër e Zotit, nuk vjen prej Tij, por prej armikut. Eshtë ky shkaku, për të cilin Krishti u bë njeri krejt i ngjashëm me ne, me përjashtim të mëkatit”.

Një faktor i rëndësishëm për ta zgjidhur detyrën e shqyrtimit të shenjave të kohëve - shpjegoi atë Cantalamessa - është kolegjialiteti i ipeshkvijve, duke sjellë larminë e situatave vendase dhe këndvështrimet, dritat e dhuratat e ndryshme, të cilat i mbart çdo Kishë e çdo ipeshkëv.

Pa harruar se nganjëherë Shpirti Shenjt i prin Kishës drejpërdrejt e karizmatikisht, përmes zbulimeve e frymës profetike, herë tjetër kolegjialisht, përmes ballafaqimit të durueshëm e të vështirë, e, madje, deri përmes kompromisit ndërmjet palëve e këndvështrimeve të ndryshme:

“Duhet pasur, prandaj, besim në aftësinë e Shpirtit Shenjt për të sjellë, në fund, marrëveshjen, edhe nëse nganjëherë mund të duket se i gjithë procesi  është jashtë kontrolli”.

Por sa herë mblidhen barinjtë e Kishave të krishtera, në nivel lokal a universal, sa herë mblidhen për të bërë shqyrtime, ose për të marrë vendime të rëndësishme, zemra e secilit duhet të jetë plot me sigurinë se me Shpirtin Krijues, që na prin, largohemi nga çdo e keqe:

“Përsa i përket shqyrtimit në jetën personale, Shpirti Shenjt na ndihmon t’i vlerësojmë situatat e të orientojmë rrugëzgjidhjet jo vetëm mbi bazën e urtisë e të maturisë njerëzore, por edhe nën dritën e parimeve të mbinatyrshme të fesë”.

Predikatari i Shtëpisë Papnore vijoi të kujtojë se Shpirti Shenjt është vetë vullneti thelbësor i Zotit e, kur hyn në një shpirt, duket pikërisht si vetë vullneti i Zotit për atë, në të cilin gjindet. Shqyrtimi nuk është, në vetvete, as art, as teknikë, por karizmë, dhuratë e Shpirtit Shenjt. Aspektet psikologjike kanë rëndësi të madhe, por gjithnjë të dorës së dytë, vijnë në radhë të dytë.

Shpirti Shenjt  e përhap dritën e Tij përmes Fjalës së Shkrimit Shenjt:

“Njëherësh me dëgjimin e Fjalës, praktika më e zakonshme për të ushtruar shqyrtimin në nivel personal, është rrëmimi i ndërgjegjes, pa u mjaftuar vetëm me përgatitjen për rrëfim, por duke u bërë aftësi e vazhdueshme për t’u vënë nën dritën e Zotit, duke e lënë të na shqyrtojë deri në fund të shpirtit”.

Prej këndej lind vendimi i ri për t’i besuar në gjithçka e për gjithçka udhëheqjes së Shpirtit Shenjt, e shembullin më të ndritshëm e gjejmë në jetën e Jezusit që - përfundoi predikatari - nuk mori kurrë asnjë vendim pa Shpirtin Shenjt.

09/12/2016 13:28