2016-12-06 13:25:00

Martirët tashmë janë të bashkuar!


“Martirët tashmë janë të bashkuar!”. Me këto fjalë mund ta përmbledhim intervistën e kardinalit Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, dhënë gazetës së katolikëve francezë “La Croix”. Mbrëmë, në prag të kremtimit, mbajtur sot në Strasburg, me rastin e përkujtimit të 500-vjetorit të Reformës protestante, Prelati i lartë kujtoi përsëri arsyet që e shtyjnë Françeskun të nënvizojë, gjithnjë më shpesh, rëndësinë e atij, që njihet si “ekumenizmi i gjakut”. Ishte rast i përshtatshëm për të kujtuar edhe stinën ekumenike, që gjatë vitit 2016, në përfundim e sipër, nuk shënoi, ndoshta, ndonjë përshpejtim të madh, por disa hapa përpara sigurisht i bëri. Kujtojmë vetëm më të rëndësishmet: takimet e Papës me Patrikët Bartolomeu e Kirilli; Deklaratën e Lundit me luteranët; thellimin e marrëdhënieve me anglikanët. E edhe, ndonëse me një mori vështirësish, kremtimin e Koncilit panortodoks.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Nikolas Senèze, në gazetën franceze “La Croix”, kardinali Koch nuk i fsheh vështirësitë, që hasen në këtë rrugë aspak të lehtë, posaçërisht nga ana e ortodoksëve. E prandaj - lë të nënkuptohet - është ende e vështirë të parashikohet - e nuk kemi folur akoma - një takim i mundshëm i Papës me Patrikun Kirill. Gjithsesi, pavarësisht nga “tensionet” që u vërejtën në rastin e Koncilit panortodoks, nga shkaku i kokëfortësisë së disa Kishave për ta pranuar pikërisht dokumentin me konfesionet e tjera të krishtera,  kardinali shpreh besimin se në të ardhmen do të bëhen hapa të reja përpara, sepse shumë nga liderët ortodoksë, e posaçërisht Patriku Bartolomeu e Patriku Kirill janë në favor të ekumenizmit. Në këtë kuptim kardinali Koch kujton edhe punimet e plenares së komisionit për dialogun katoliko-ortodoks që, pas nëntë vjet vështirësish, tregoi se “është e mundur të botohet një projekt i përbashkët”.

Në këtë drejtim, Prelati i lartë nuk harroi të nënvizojë se kremtimet e përbashkëta të katolikëve me luteranët nuk patën qëllim të “përkujtonin” një ngjarje historike, nga e cila të gjithë mund të nxjerrin mësime: teksti i Deklaratës së përbashkët “Nga Konflikti në Bashkim”, flet qartë:

“Rrini në mua e unë në ju”. Si shermendi nuk mund të sjellë fryt nëse nuk mbetet i lidhur me hardhinë, kështu edhe ju, nëse nuk mbeteni në mua” (Gjn 15,4). Ky, lajtmotivi i Deklaratës, që vijon:

“Me zemrën plot gëzim, përmes kësaj Deklarate të përbashkët, i shprehim mirënjohjen Zotit për këtë çast  lutjeje në Katedralen e Lund, me të cilin nisim përkujtimin e 500-vjetorit të Reformës!”. Janë fjalët e para të Deklaratës, në të cilën flitet për rrugën e  afrimit, thellimin e mirëkuptimit, përpjekjen për t’i zhdukur ndryshimet, për të thelluar mirëbesimin e për t’u shërbyer njerëzve nevojtarë. Theksohet se dialogu e dëshmia i afruan të dyja palët, duke i bindur se kanë më shumë të përbashkëta, sesa ndryshime, më shumë çka i bashkon, sesa çka i ndan. E pranohet, para Krishtit, se të dyja palët e plagosën unitetin e dukshëm të Kishës. Ndryshimet teologjike u shoqëruan  nga paragjykimet e konfliktet e feja u përdor për qellime politike”.

Kështu shkruhet në Deklaratën e katolikëve e luteranëve, për të vijuar me pohimin se “feja e përbashkët në Krishtin dhe Pagëzimi i përbashkët  kërkojnë nga të dyja palët kthesë të përditshme, falë së cilës duhen lënë pas moskuptimet e konfliktet historike, që e pengojnë shërbesën e pajtimit. Ndërsa e kaluara nuk mund të ndryshohet, kujtesa e mënyra e të kujtuarit mund të shndërrohen”.

Prej këndej nevoja e gjetjes së shtigjeve të reja për t’u përshkuar së bashku sepse, problemi themelor është të gjindet një cak, i cili të pranohet nga të dyja palët. Pa një objektiv të përbashkët - kujton kardinali Koch - nuk mund të bëjmë hapa të tjera përpara. E kjo është edhe arsyeja që, me luteranët, propozova të përgatitet një deklaratë e re e përbashkët kushtuar Kishës, Eukaristisë e shërbesës. Gjithsesi dialogu nuk bëhet vetëm me teologjinë. Të gjitha Kishat - nënvizoi kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve -  kanë martirët e tyre e kjo dëshmi e përbashkët është shenjë tejet e rëndësishme. Jam krejtësisht i bindur se do të jetë gjaku i aradheve të martirëve, që do të hedhë farën e unitetit të Korpit të Krishtit!








All the contents on this site are copyrighted ©.