2016-12-06 08:30:00

Bartolomeu I në Bari: thirrje për paqen në Mesdhe


“Nëse të gjitha subjektet e interesuara do të dinë t’i pranojnë me guxim drejtësinë, lirinë dhe të vërtetën si shtylla të paqes e nëse fetë do të dinë të krijojnë ura ndërmjet individëve, popujve dhe kulturave, atëherë mund të jemi akoma shenjë shprese për njerëzimin. Vetëm kështu, Adriatiku e Joni, Pulja dhe Italia e brigjet e tjera të deteve tona do të jenë sërish vende bashkimi për të gjithë”. Një thirrje e fuqishme për paqen në Mesdhe e për mikpritjen e emigrantëve u bë dje paradite nga Patriarku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, i cili mbajti një “Lectio magistralis” në bazilikën e Shën Nikollit të Barit, ku iu dha çmimi ekumenik i Shën Nikollit në ditën e përuruimit të Fakultetit teologjik puljez. Njoftimin e jep agjencia katolike Sir.

Thirrje BE-së për emergjencën e emigracionit

         Patriarku, që këtë vit shkoi në ishullin grek Lesbos së bashku me Papën Françesku, iu rikthye temës së emigracionit. I fuqishëm denoncimi kundër Bashkimit Evropian: “Bashkimi Evropian mezi e ka kuptuar vlerën e madhe të Mesdheut dhe trashëgiminë e tij historiko-fetare, kapur siç është në darën e laicizmit dhe shekullarizimit”.

Mesdheu është kthyer në varrezë

         “Mesdheu, deti i takimit dhe i kulturës, i bashkëjetesës së feve dhe popujve – theksoi Batolomeu I – u përshkua papritmas nga valët e të dëshpëruarve, në ikje nga lufta, nga fundamentalizmi fetar i Lindjes së Mesme, nga zia e bukës, shkaktuar shpesh nga lakmia e pak vetëve në dëm të të tjerëve, nga tiranì që e bëjnë të pamundur jetën, nga mungesa e të mirave më elementare për mbijetesën”. Patriarku reflektoi mbi mënyrën se si të krishterët e Kishave të ndryshme mund “të ushqejnë parimet e Dialogut, të Dashurisë e të Paqes, në një botë të pështjelluar e para një deti, i cili është kthyer në varrezë për shumë vëllezër e motra, që ëndërronin një jetë më të mirë”.

Drejtësia, mbi interesat ekonomike

         “Besojmë – shtoi Bartolomeu I – se roli i feve bëhet themelor në krijimin dhe konsolidimin e parimit të bashkimit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë, duke larguar fundamentalizmat, që vërehen në të gjitha shoqëritë e fetë. Kemi nevojë të rivendosim vlerësimin e ndërsjelltë ndërmjet popujve, duke i kapërcyer dyshimet, dhunën, masakrat e genocidin. Drejtësia shoqërore dhe drejtësia ndërmjet kombeve duhet të ketë epërsi mbi interesat e thjeshta të ekonomisë botërore e mbi globalizimin e shfrenuar, në mënyrë që t’i jepet fund emigracionit të pakontrolluar. Askush nuk e lë me dëshirë vatrën e vet nëse nuk detyrohet nga nevojat ose dhuna. Njëkohësisht, duhet një ekonomi e përbashkët që të dijë të mirëpresë, pa krijuar pakënaqësi shoqërore në vendet strehuese”.

Patriarku shpreh përzemërsinë e tij për Papën Françesku

         Patriarku kujtoi dashurinë vëllazërore, që e lidh me Papën Françesku, të cilin e përshëndeti përzemërsisht. Ai e ka takuar gjashtë herë Atin e Shenjtë e herën e fundit, në Asizi. Bartolomeu I mori çmimin e Shën Nikollit, si “shenjë profetike e bashkimit të të gjitha Kishave të Zotit”. Rruga e reflektimit teologjik ndërmjet Kishave, dashuria, respekti e bashkëpunimi, janë tipare themelore të këtij bashkimi.

Kisha e Zemrës së Krishtit u kalon ortodoksëve

         Mbrëmë, kryedioqeza e Bari-Bitontos i dhuroi bashkësisë ortodokse, për përdorim liturgjik, kishën e Zemrës së Krishtit në Bari. Patriarku Bartolomeu I kremtoi aty lutjet mbrëmësore ekumenike, së bashku me katolikët, duke e quajtur gjestin “shembull dashurie vëllazërore”, përqafim të kryedioqezës italiane me atë ortodokse të Italisë e Maltës, në të cilën bëjnë pjesë besimtarët ortodoksë italianë.








All the contents on this site are copyrighted ©.