2016-12-04 13:48:00

E Diela II e Ardhjes: meditim


 

Më more për dore

në shkretëtirë, o Zot,

për të dëgjuar fjalën e Gjonit.

Nuk ish shëtitje

e as shtegtim dëfryes.

Jo, nuk ishte!

Se Gjoni e nisi britmën,

e i shoi të gjitha zërat

që u prijnë shtegtimeve;

të gjitha zërat

që botën e shurdhojnë:

britma të çuditshme,

gjithnjë më shpesh pa kuptim!

E foli fjalë të ashpra,

krijoi figura

që s’të lënë asnjë shteg hapur:

kujtoi sopatën, që pa pikë mëshire,

e rrëzon  në pyll

drurin pa fryte,

për të bërë me të një zjarr

që ndrit e ngroh.

Krejt shtati m’u rrënqeth,

sopata m’u duk

si t’ çikte lëkurën e fortë,

të pa depërtueshme

të shpirtit tim:

dru me gjethe të thata,

përplot me fjalë,

me dukje plot,

por krejt pa fryt.

Dënim, pa kurrfarë shpëtimi?

Ëndërr e keqe?

Makth kalimtar?

Jo, ky Profet,

i kapërthyer në lëkura

nuk deshi të më tmerrojë.

Deshi dy sytë t’m’i hapë

për të parë, Atë

që jetën mund të ma ndërrojë.

Të pranoj?

A të mos e pranoj?

Të besoj?

A të mos besoj?

Po ai sopatën vringëllon

e duhet të zgjedh…

Duhet të ndryshoj,

duhet ta nis

më në fund kthesën e madhe:

ta pranoj mëkatin

që fshihet në shpirtin tim,

e ftesën për pastrim!

T’ vihem për udhë,

për udhën e drejtësisë

për udhë të ndershmërisë,

për udhë të dashurisë...

Prandaj Gjoni sopatën vringëllon,

që unë të mos ngulem

në pyllin e dendur të botës

si dru i thatë, pa fryte!

Të paktën të digjem zjarr

e ta ngroh botën!








All the contents on this site are copyrighted ©.