2016-12-02 10:58:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2 të kohës së Ardhjes ‘A’


Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Dielës së 2-të të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit kishtar. Liturgjia e kësaj së diele të dytë të Ardhjes, na paraqet Gjon Pagëzuesin, i cili na fton të përgatitemi për ardhjen e Zotit. Ai predikon konvertimin urgjent dhe pagëzimin e pendesës.

Më shumë për programin tonë radiofonik kushtuar Liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu...

Profeti Isaia paralajmëron Foshnjën që  do të lindë në Betlehem, i cili do t’u dhurojë popujve drejtësinë dhe paqen.Orakulli i profetit Isaia ( I Lexim) gjen jehonë në kumtimin e Gjon Pagëzuesit, që na rrëfen Ungjilli e kësaj së diele. Është thirrja për t’u kthyer për ta pranuar Hyjin që vjen. Ardhja e Krishtit ndryshon tiparet e historisë: është Ai që e realizon profecinë, sepse drejtësia e tij është ajo e Zotit, i cili është në gjendje ta mposht e të fiton mbi të keqen, dhunën dhe ta përurojë mbretërinë e paqes. Njëkohësisht është edhe një gjykim për botën, të cilën Jezusi e vënë në diskutim. Isaia propozon një tokë ku mbretëron vetëm paqja e pajtimi ndërmjet armiqve dhe dashuria me të gjithë.

Gjon Pagëzuesi, me pagëzimin në Jordan, na fton t’ia përgatisim udhën Mesisë. E gjithë kjo na përgatit për ardhjen e Krishtit Shpëtimtar, përmes pagëzimit të tij në ujë dhe përmes Shpirtit Shenjt. Ungjilli i kësaj së diele na tregon një kumtim të ashpër, qortimin e Gjon Pagëzuesit për ata që e pengojnë këtë mbretëri dhe ftesën për ta pranuar Atë që zhytët (pagëzon) më zjarrin e Shpirtit, për të shkatërruar çdo gjurmë të mëkatit e të vdekjes.

Vetëm me misterin pashkor realizohet kjo paqe që dëshirohet, që ëndërrohet dhe kundrohet në Besëlidhjen e Vjetër. Nuk është një utopi, përkundrazi është një dhuratë e vërtetë e Krishtit të Ngjallur. Ai, i Ngjalluri nuk na le të qetë, por na nxit, na fton ta pranojmë në zemra tona, pra brenda nesh paqen e tij, dashurinë e tij, hirin e tij për të na bënë të aftët ta pranojmë njëri-tjetrin si vëllezër (II Lexim). Shën Pali na këshillon t’i mirëpresim të gjithë vëllezërit dhe ta dëgjojmë e zbatojmë në jetë Fjalën e Zotit, për të qenë kështu burra e gra të shpresës.

                            Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   Is 11,1-10

Isaia na prezanton imazhin e një shoqërie të përsosur, ku nevojat e vërteta të çdo personi dhe ato të bashkësisë realizohen së bashku konkretisht dhe në harmoni. Në qendër të kësaj nevoje qëndron paqja; paqja arrihet me drejtësi, dhe drejtësia vjen nga Shpirti i Hyjit që është dashuria. Isaia profet, tetë shekuj para lindjes së Mesisë e lajmëronte Krishtin Shëlbues se do të pajtonte krijesat me Krijuesin duke derdhur gjakun e vet.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në atë ditë, një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit. S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të vendosë sipas thashethemeve, por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvuajturve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin. Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t’i ngjeshë ijet. Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë. Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija në gji dorën do ta futë. S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi detet që mbulo-hen me ujë. Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 72

Eja, o Zot, mbret i drejtësisë dhe i paqes.

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd dhe drejtësinë tënde birit të mbretit, që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia

dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.

Do të sundojë prej detit në det,

prej lumit e deri në skajin e botës.

 

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

Mëshirë dotë ketë për të mjerin e të vobektin, dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

 

Qoftë bekuar emri i tij në shekuj, sa të jetë dielli mos iu harroftë emri!

Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut, të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.

Leximi dytë Rm 15,4-9

Pali ndërsa mendon për konfliktet e ndo-dhura në kishën primitive, paraqet përsëri shembullin dhe urdhërimin e Krishtit: të jemi njerëz të rinj në dashuri. Të krishterët e çdo kohe kanë tradhëtuar bashkimin. Hyji ka bërë bashkim me njerëzit pa tra-dhëtuar personalitetin e Tij, kështu edhe njeriu mund t’i dojë të gjithë duke luftuar kundër së keqes dhe duke qëndruar besnik ndaj së vërtetës dhe vetvetes. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, gjithçka që dikur u shkrua, u shkrua për mësimin tonë, në mënyrë që, me anë të qëndresës e të ngushëllimit që vjen nga Shkrimi shenjt, të kemi shpresë. E Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim njëri me tjetrin sikurse dëshiron Jezu Krishti, në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin, Atin e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Prandaj, pranoni njëri-tjetrin në shoqëri sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit. Pohoj se Krishti u shërbeu të rrethprerëve për arsye të besnikërisë së Hyjit, për t’i plotësuar premtimet e dhëna etërve e që paganët ta lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij, sikurse thotë Shkrimi shenjt: “Prandaj do të lavdëroj ndër paganë dhe do t’i këndoj këngë emrit tënd!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja. Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit! Aleluja.

Ungjilli    Mt 3, 1 -12

Ungjilli tregon për Gjon Pagëzuesin. Ai shpall se kthimi i zemrës është kusht për të takuar Zotin që po vjen.  Është një gjë pa kuptim të kryesh rite pastrimi pa dëshiruar ripërtëritjen e jetës sate dhe të bashkësisë sate. Nuk mund të ketë pagëzim pa ndryshimin e mentalitetit.  Pagëzimi ynë duhet të na ripërtërijë çdo ditë në shpirtin e Hyjit dhe duhet të shkëlqejë në ne dashuria e tij. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretinë e Judesë e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!” Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija!’” Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijeve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Aso herë vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit.  E mbasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan. Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, vepra të denja kthimi! As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: “Kemi atë Abrahamin!” sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! Tashmë sëpata u vu në rrënjë të lëndëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr. Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalët: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr. Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”  Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.