2016-11-30 18:13:00

Papa politikanëve francezë: larmitë të bëhen mundësi


Vlerat e “lirisë, barazisë e vëllazërimit” nuk duhen shpalosur si flamuj të rremë, por duke i parë në lidhje me bazën e tyre “transhendente”: prej këndej, larmitë duhen bërë mundësi. Këtë pohoi Papa Françesku duke pritur sot, në Sallën Klementine, 260 pjesëmarrësit në shtegtimin e politikanëve francezë, të zgjedhur në Rajonin Rhône-Alpes, shoqëruar në Vatikan nga kardinali Philippe Barbarin, kryeipeshkëv i Lionit dhe nga ipeshkvijtë e së njëjtës provincë. Rast ky – u tha Papa – që e zgjat Jubileun e Mëshirës.

“Të kërkosh e të zbulosh” kuptimin e së mirës së përbashkët e të interesit të përgjithshëm! Papa Françesku u foli politikanëve francezë, duke shikuar rrethanat e sotme ndërkombëtare, përplot me pakënaqësi e frikë, që vijojnë të thellohen nga atentatet e nga dhuna e verbër e që e tronditën aq shumë Francën. Papa kujtoi edhe Letrën e shkruar nga ipeshkvijtë vendas kohët e fundit, me titull: “Në një botë, që ndryshon, ta gjejmë përsëri kuptimin e politikës” dhe e bëri të vetën këtë ftesë, duke folur posaçërisht “për  rigjetjen e kuptimit të politikës”. Kujtoi edhe një dokument të ngjashëm të prelatëve francezë, shkruar 20 vjet më parë, me titull: “Rehabiliter la politique”. Asokohe, - kujtoi - dokumenti pati ndikim shumë pozitiv e duhet uruar që edhe ky i fundit të ketë të njëjtin përfundim:

“Në mënyrë të pamohueshme, shoqëria franceze është e pasur me potencialitet e me larmi, që duhen bërë mundësi, me kusht që vlerat republikane të lirisë, barazisë e vëllazërimit të mos shpalosen si flamuj të rremë, por duke i parë në lidhje me bazën e tyre transhendente”.

Është plotësisht në lojë - vërejti Françesku - debati mbi vlerat dhe orientimet, që njihen nga të gjithë:

“Në këtë diskutim të krishterët janë të thirrur të marrin pjesë me besimtarët e çdo besimi e me të gjithë njerëzit vullnetmirë, edhe me jo besimtarët, në mënyrë që të  mund të ndërtohet një botë më e denjë për njeriun”.

Në ushtrimin e përgjegjësive politike, Papa nxit të kontribuohet në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më njerëzore, mikpritëse e vëllazërore:

“Në këtë kuptim, uroj që kërkimi i së mirës së përbashkët, që ju frymëzon, t’ju nxisë edhe t’i dëgjoni me vëmendje të veçantë të gjithë njerëzit në kushte të vështira, pa harruar emigrantët e ikur nga vendet e tyre për shkak të luftës, të mjerimit, të dhunës”.

Në lutjen përfundimtare, Papa ia besoi udhën e politikanëve Krishtit, burim i shpresës sonë e i angazhimit tonë, në shërbim të së mirës së përbashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.