2016-11-30 12:25:00

Me 30 nëntor 2007 botohej Enciklika 'Spe salvi' - 'Me shpresën shpëtuam'.


Si sot, më 30 nëntor 2007, botohej “Spe salvi” - "Me shpresën shpëtuam", enciklika e dytë e Benediktit XVI. Në këtë dokument magjistral, Papa Ratzinger ndalohet në mënyrë të veçantë tek natyra e vërtetë e shpresës së krishterë. Është shpresë e ushqyer nga besimi në Zotin dashuri e që, pikërisht për arsye të kësaj zanafille, nuk është kurrë individualistike, por gjithnjë plot vëmendje ndaj të afërmit. Benedikti XVI frymëzohet nga një fragment i Letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve (Rm 8,24), ku Apostulli pohon “në shpresë kemi qenë shëlbuar edhe ne”, për të zhvilluar reflektimin e tij mbi fizionominë e shpresës së krishterë. E nënvizon sidomos lidhjen e saj të ngushtë me fenë.

Fjala ‘shpresë’ lidhet ngushtë me fjalën fe - shpjegon Papa Benedikti XVI - duke shtuar se kjo dhuratë ia ndryshon krejtësisht jetën atij që e merr. Por ku e si mund ta gjejmë këtë shpresë, që shndërron? Papa Benedikti XVI e shpjegon në lutjen e Engjëllit të Tënzot të datës 2 dhjetor 2007: “Shpresa qëndron në njohjen e Zotit, në zbulimin e zemrës së tij prej Ati të mirë e të mëshirshëm. Jezusi, me vdekjen në kryq e me ngjalljen, na e zbuloi fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit, që ka një dashuri aq të madhe, sa të na transmetojë shpresën e patundshme, të cilën nuk mund ta mposhtë as vdekja, sepse kush ia beson jetën e vet këtij Ati, do të jetojë në lumninë e amshuar”.

Një shpresë në të cilën mund të besojmë, pra, për të cilën njeriu ka nevojë edhe në kohët e zhvillimit të vrullshëm teknologjik: “Zhvillimi i shkencës moderne - shpjegon Papa Benedikti XVI – i kufizon gjithnjë më shumë fenë dhe shpresën në sferën private dhe individuale, kështu që sot shihet gjithnjë më qartë e nganjëherë edhe në mënyrë dramatike, se njeriu dhe bota kanë nevojë të madhe për Hyjin, Hyjin e vërtetë, përndryshe mbeten krejt pa shpresë”.

Shpresa – pohon Ati i Shenjtë  Ratzinger – pa dyshim kontribuon shumë për të mirën e njerëzimit, por nuk është në gjendje ta shpëtojë. Njeriun e shpëton dashuria, që e bën të mirë e të bukur jetën personale e shoqërore: “Prandaj shpresa e madhe, e plota e përfundimtarja, sigurohet nga Hyji, që në Jezusin na vizitoi e na dha jetë e në Të do të kthehet në mbarim të kohëve. Në Krishtin shpresojmë, Atë presim!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.