2016-11-30 15:17:00

Françesku Bartolomeut: Kishat tona të bashkuara nga lidhje të thella


Në festën e sotme të Shën Andreut, në përshëndetjet pas audiencës së përgjithshme, Papa deshi të kujtojë figurën e Apostullit, forcën në përballimin e martirizimit dhe mënyrën e apasionuar me të cilën e ndoqi Krishtin. Ishte një shembull për të rinjtë, që të jetojnë një jetë “në shtegtim të vazhdueshëm drejt Shtëpisë së Atit”; për të sëmurët, “që ta durojnë vuajtjen e padurueshme” e për të sapomartuarit, “që ta kuptojnë sa më thellë vlerën e dashurisë në familjen e re”.

Mendimi i Françeskut shkoi, pastaj, tek Patriarkana Ekumenike, që kremton sot Shën Andreun, Pajtor i Kishës së Kostandinopojës. Papa i ka dërguar një mesazh Bartolomeut I, duke e kujtuar edhe në tweet-in e sotëm, në faqen e internetit @Pontifex:

“Sot është festa e Apostullit Andrea - lexohet - me dashuri vëllazërore jam pranë Patrikut Bartolomeu e lutem për të e për Kishën, që i është besuar!”.

Me rastin e kësaj feste - rikujton Papa në mesazhin festiv - dëshiroj të përshëndes Kishën e Kostandinopojës si dhe Patrikun e dashur Bartolomeu, e të bashkohem me të e me Kishën e Tij - me këtë Kishë motër - në emër të Pjetrit e të Andreut, për t’i uruar të gjitha të mirat e bekimet e Zotit e për të shkëmbyer një përqafim të ngrohtë.

Kujtojmë se në Stamboll, një delegacion i Selisë së Shenjtë kremton së bashku me Kishën e Kostandinopojës.








All the contents on this site are copyrighted ©.