Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Komisioni i BE-së diskuton për emigracionin me krerët fetarë

Krerët fetarë në Bruksel - RV

29/11/2016 16:28

Krerët fetarë nga e gjithë Evropa diskutuan sot me Komisionin Evropian, mbi temën “Emigracioni, integracioni dhe vlerat evropiane”, në mbledhjen e 12-të vjetore të nivelit të lartë. Diskutimet u përqendruan mbi sfida, që fillojnë nga populizmi dhe intoleranca deri në rolin thelbësor të arsimit e në sensibilizimin e qytetarëve për përmirësimin e integrimit e të kohezionit shoqëror në Evropë. Krerët fetarë shprehën dëshirën e tyre për të bashkëpunuar ngushtë me Komisionin për të garantuar respektimin e vlerave evropiane edhe në fushën e emigracionit e të integrimit.

Zv.presidenti i parë i Komisionit, Frans Timmermans, deklaroi: “Krerët fetarë kanë një rol jetësor në favorizimin e integrimit dhe në pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të grupeve të tyre në Evropë si evropianë të vërtetë, pavarësisht nga origjina e besimi i tyre. Përmes këtij dialogu mund të identifikojmë vlera të përbashkëta themelore, që na bashkojnë, në vend që të nënvizojmë ç’na ndan”.

Ndërkaq, Komisari Dimitris Avramopoulos, përgjegjës për Emigracionin, punët e brendshme dhe nënshtetësinë, nënvizoi se “me rritjen e nacionalizmit, të ksenofobisë dhe të ekstremizmit, duhet të gjejmë mënyrën që shoqëria të mbetet mikpritëse, veçanërisht ndaj atyre, që ikin nga lufta dhe kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht vlerat dhe parimet tona themelore”.

Mbledhja u zhvillua në kuadrin e dialogut aktual me kishat, fetë, organizatat filozofike e jo besimtare, siç përcakton Traktati i Lisbonës. Në të morën pjesë përfaqësues nga të gjitha vendet e Evropës, ndër të cilët edhe një shqiptar, imami Benjamin Idriz nga Shkupi, që aktualisht është në krye të bashkësisë islamike në Penzberg të Gjermanisë.

Që nga 7 qershori i këtij viti, Komisioni Evropian po zbaton në praktikë një plan për integrimin e qytetarëve nga vende të tjera. Fushat e veprimit të tij përfshijnë jo vetëm arsimin, punësimin dhe mundësinë për të shfrytëzuar shërbimet e kontinentit, por edhe luftën kundër diskriminimit dhe përjashtimit shoqëror. Komisioni e vë theksin veçanërisht në promovimin e arsimimit për të gjithë, bazuar në vlerat e përbashkëta evropiane, si edhe në komunikimin me të rinjtë.

29/11/2016 16:28