2016-11-27 16:33:00

Vdiq atë Kolvenbach, në udhëheqje të Jezuitëve për 25 vjet. Kujtimi i atë Lombardit


Ndërroi jetë dje, në Beirut, atë Peter-Hans Kolvenbach, Epror i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit nga viti 1983 - deri në vitin 2008. I lindur në Holandë, në vitin 1928, i shuguruar meshtar në Liban, më 1961 ishte Provincial i Jezuitëve në Lindjen e Mesme, para se të zgjidhej në krye të Shoqërisë, gjatë Kongregacionit XXXIII të Përgjithshëm të Urdhërit. E vijoi këtë detyrë për 25 vjet, derisa i paraqiti kërkesën për dorëheqje Papës Benedikti XVI. U zgjodh në një kohë të vështirë për Shoqërinë e Jezusit, siç kujton atë Federico Lombardi, kryetar i Këshillit admnistrativ të Fondacionit vatikanas Joseph Ratzinger, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Atë Kolvenbach u zgjodh në një çast të veçantë: ishte koha kur, pas sëmundjes së atë Arrupes, Gjon Pali II kishte emëruar atë Dezza-n si përfaqësues për qeverisjen e Shoqërisë së Jezusit, e atë Dezza, në një kohë shumë të shpejtë, duke gëzuar besimin e plotë të Papës, shpalli Kongregacionin e përgjithshëm, për t’i prirë në udhë normale qeverisjes së Shoqërisë së Jezusit. E pikërisht në këtë rast u zgjodh atë Kolvenbach. Më kujtohet, si të ishte dje, ashtu si më kujtohet edhe se në këtë Kongregacion ishin të pranishëm atë Bergoglio, si përfaqësues i Argjentinës, atë Sosa, krejt i ri, përfaqësues i provincës së Venezuelës, e edhe unë, mjaft i ri, përfaqësues i provincës së Italisë. Atë Kolvenbach ishte figurë disi e veçantë: kishte qenë provincial i Lindjes së Mesme e, ndonëse evropian, e kishte jetuar gjithë jetën e tij apostolike në Liban. Ndoshta prandaj e orientoi Shoqërinë drejt misionit në botë, me vëmendje të madhe për të kuptuar ç’kërkon Shpirti Shenjt sot nga Jezuitët. Kishte kujtesë e inteligjencë të jashtëzakonshme e, pasi i lexonte të gjitha letrat, që merrte, vijonte t’i mbante mend të gjitha. E kështu i kujtonte situatat e veçanta, më mirë se asistentët, që duhej ta ndihmonin për ta njohur gjendjen e  Urdhërit. Ishte edhe njeri jashtëzakonisht i këndshëm e me humor të mprehtë. Pas dorëheqjes, u rikthye në Liban, në Universitetin e Shën Jozefit, ku punonte thjesht si arkivist- bibliotekar.

Pyetje: - Ç’trashëgim i lë atë Kolvenbach Shoqërisë së Jezusit dhe Kishës?

Përgjigje: - Praktikisht ishte gjeneral i Papnisë së Gjon Palit II, në se mund të shprehemi kështu. Prej këndej, na shoqëroi të gjithë gjatë këtyre vjetëve, gjatë ndryshimeve të botës së sotme e edhe gjatë pakësimit numerik të Urdhërit tonë, por gjithnjë me sytë drejtuar nga misioni, nga shpresat e Kishës, duke e ndjerë veten cum ecclesia e duke qenë, kështu, qetësisht e pozitivisht, të radhitur në Misionin universal të Kishës. Ja pra: ishte personalitet, që ne e kujtojmë me dashuri shumë të madhe e me mirënjohje shumë të madhe!








All the contents on this site are copyrighted ©.