2016-11-27 15:22:00

Castro, reagime pas vdekjes. Ish nunci Musarò: Kuba vijon ecjen


Ndërsa Kuba shpall nëntë ditë zije kombëtare për të nderuar kujtimin e prijësit të vdekur, personalitete politike ndërkombëtare, por edhe njerëz të thjeshtë, vijojnë të japin opinionet në favor e kundra Castros, pa harruar ta denoncojnë edhe shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut gjatë kohës kur ishte në pushtet. Së pari po kujtojmë reagimin e SHBA-ve që, me vdekjen e Castros,  panë të shuhej kundërshtari i fundit, simbol i luftës së ftohtë. 

“Do të jetë historia, ajo që do të gjykojë për ndikimin e jashtëzakonshëm ushtruar nga Castro mbi botën. Sidoqoftë SHBA-të do të mbeten miq  e partnerë të popullit kuban”: me këto fjalë, Barack Obama i shtrin dorën ishullit karaibik me të cilin, pikërisht ai, nisi t’i shkrijë edhe akujt e kohës kur mbi marrëdhëniet ndërmjet dy palëve kishte rënë dimri i madh. Me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, Washingtoni e Havana i rilidhën marrëdhëniet diplomatike. Por në këto kohë të reja, sytë e njerëzimit sillen nga presidenti Trump që, në mesazhin e tij, flet krejt ndryshe. E quan Fidel Castron “diktator i egër, që e shtypi popullin e vet” dhe “siguron  se do të bëjë ç’është e mundur për t’u siguruar lirinë e vërtetë kubanëve”. Ndërmjet shumë reagimeve, edhe ai i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, që kujton sukseset e Castros në fushën e arsimit, të alfabetizimit e të shëndetësisë. Nga Moska, presidenti rus Putin e quan Castron “njeri i shquar”, simbol i një epoke të historisë moderne të botës. Vjen, pastaj, presidenti kinez Xi Jinping, për të cilin Castro ishte “shok” i shquar, vepra e të cilit do të mbetet në histori. Ndërsa nga Franca, François Hollande kërkon të shfuqizohet përfundimisht embargoja mbi Kubën. “Protagonist i historisë së Kubës dhe i jetës së botës”: kështu e kujton Presidenti i Republikës Italiane, Mattarella, i cili thekson vëmendjen e Castros ndaj tematikave ambientale.

Në këto orë, shpresohet se Kuba do të shpëtojë përfundimisht nga vuajtjet që pësoi. Kështu, thënë përmbledhtas, shprehet kryeipeshkvi, imzot Bruno Musarò, ish-nunc apostolik në Havanë e tani, përfaqësues papnor në Egjipt:

Përgjigje: - Kujtimi im personal për Fidel Castron, i vetmi kujtim, është kur e prita tek porta e nunciaturës me rastin e vizitës së Papës Benedikti XVI në Kubë, në mars 2012 e kur i thashë: “Mirë se erdhët! Po ju them menjëherë, Komandant, se kam qenë nxënës i njërit nga miqtë tuaj të dashur, kryetarit të Akademisë Papnore Kishtare”. E ai ma priti: “Ah, imzot Zacchi-t!”. Kujtonte, kështu, nuncin apostolik, që kishte qenë për shumë vjet përfaqësues i Papës në Kubë. Ndërsa unë kujtoj se herë pas here Castro i dërgonte imzot Zacchit nga një kuti me puro kubane. Pastaj nisi të ma dërgonte dhe mua….

Pyetje: - Ju ishit nunc në Kubë ndërmjet viteve 2011 e 2015: çfarë ju bënte më shumë përshtypje, kur ishit në Ishull?

Përgjigje: - Mbeta me të vërtetë i tmerruar duke parë vuajtjen, varfërinë, mjerimin e Kubës…

Pyetje: - Kisha katolike luajti një rol të rëndësishëm për hapjen e Kubës; kujtojmë Gjon Palin II, Benediktin XVI, Papën Françesku…

Përgjigje: - Vërtet me shumë bujari këta Papë, vetë Selia e Shenjtë, Sekretaria e Shtetit, punuan për ta përmirësuar gjendjen e popullit kuban. Papa Françesku e nxiti e vijon ta nxisë të ketë durim e, sidomos, të  ketë shpresë. Ky është urimi për mbarë popullin kuban. Të shpresojë se gjendja do të ndryshojë me të vërtetë e me këtë ndryshim do të nisë me të vërtetë epoka e lirisë dhe e prosperitetit!








All the contents on this site are copyrighted ©.