2016-11-26 15:10:00

Papa: të rimendohet ekonomia duke dëgjuar britmën të varfërve


Për ta rimenduar ekonominë, duhet nisur nga mundësitë e vogla të përditshme, të cilat jemi të thirrur t’i kemi parasysh të gjithë, duke i përdorur pasuritë për veprimtari solidare, duke u kujdesur për Krijimin e duke u matur me familjet, që jetojnë pranë nesh. Kjo, zemra e mesazhit dërguar nga Papa Françesku Simpoziumit mbi ekonominë, që vijon në Romë, pranë Universitetit Papnor Antonianum, organizuar nga Kongregata për Institutet rregulltare dhe ato të Jetës apostolike. Marrin pjesë rreth një mijë ekonomë, që po diskutojnë rreth temës: “Të rimendohet ekonomia me besnikëri ndaj karizmës”.

Karizma, besnikëria e rimendimi i ekonomisë: Papa i prek të trija këto pika kryesore, që formojnë edhe titullin e simpoziumit mbi ekonominë. Karizmat në Kishë - kujton Papa - nuk janë diçka statike, e ngrirë. Ato duhet të japin fryte, duke bërë të lindë e mira në gjirin e historisë. Karizmë do të thotë dhuratë, do të thotë të japësh pa shpërblim, do të thotë hir, siç e tregon rrënja e termit, charis. Një shoqëri, që nuk e zotëron këtë dhuratë, çnjerëzohet, sepse ekonomia nuk është kurrë asnjanëse në këndvështrimin etik dhe antropologjik e, nëse nuk përpiqet të krijojë marrëdhënie drejtësie e solidariteti, lind situata përjashtimi e refuzimi. Kjo, pra, është thirrja, së cilës duhet t’i përgjigjen rregulltarët: të jenë vigjilentë e në përkim me situatat konkrete, duke i mbajtur gjallë këto dhurata.

Besnikëri ndaj karizmës dhe misionit të Kishës

Besnikëri - vijon Papa - sot do të thotë ta pyesësh veten çfarë të kërkon Zoti, ç’duhet bërë për t’iu përgjigjur kërkesës së Tij. Domethënë, duhet ta pyesim veten janë apo nuk janë veprat tona në përkim me karizmën që shpallim, i përgjigjen apo jo misionit, që na ka besuar Kisha. Kriteri i vlerësimit - sqaron Papa - është besnikëria ndaj karizmës, që kërkon t’i kesh sytë e ngulur tek Jezusi e veshët e hapur, për të dëgjuar britmën e të varfërve.

Hipokrizia e rregulltarëve, që jetojnë si pasanikë, e dëmton Kishën

Në rimendimin e ekonomisë, arrihet përmes rileximit të vëmendshëm jo vetëm të historisë, por edhe të fjalës së Zotit, duke vepruar, pastaj, me besimin guximtar në provaninë e Atit. Papa i fton rregulltarët të shkojnë kundër rrymës, sepse paraja duhet për të shërbyer, jo për t’i shërbyer. E duhet pasur mirë parasysh se edhe institutet e jetës rregulltare nuk janë jashtë rreziqeve, si përpjekja për shtimin e fitimeve, gjë që është shtrembërim i ekonomisë, ose rënia në kurthin e koprracisë. Hipokrizia e rregulltarëve, që jetojnë si pasanikë, i plagos ndërgjegjet e besimtarëve dhe e dëmton Kishën - vëren Françesku -  që e përfundon mesazhin duke u kujtuar rregulltarëve fjalët e Shën Gjonit Apostull, në Letrën e tij të Parë: “Nëse ndonjëri ka pasuri të kësaj bote e, duke e parë vëllain e tij në nevojë, ia mbyll zemrën, si mund të mbetet në të dashuria e Zotit?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.