2016-11-25 16:18:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 1 të kohës së Ardhjes ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së Parë të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Viti liturgjik që fillojmë me kohën liturgjike e shpirtërore të Ardhjes, na bënë të reflektojmë mbi domethënien e vërtetë të kësaj kohe të pritjes së Zotit që vjen në jetën dhe në historinë e njerëzve. Një pritje për t’u jetuar me gëzim e me shpresë.

Po më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të parë të Ardhjes, mund ta dëgjoni këtu..…

Koha liturgjike e Ardhjes, e me të edhe fillimi i Vitit të Ri liturgjiko-kishtar, sivjet hapet me ftesën e profetit Isaia për të ecur në dritën e Zotit e për t’u ngjitur mbi malin e shenjtë (I Lexim), kështu që ta dëgjojmë fjalën e tij. e cila na prijnë shtigjeve të jetës. Kësaj thirrjeje i përgjigjet fjala e Jezusit në Ungjillin e Mateut, që na nxit të rrimë zgjuar e të jemi gati, për të pritur Zotin kur do të vijë, ditën që ne nuk e dimë se kur. Hyjmë kështu në kohën e Ardhjes duke u vendosur në udhëkryqin e kësaj lëvizjeje të dyfishtë përkimi: Zoti zbret drejt nesh, në historinë tonë, ndërsa ne ngjitemi drejt tij, mbi malin e tij të shenjtë.

Kështu na sugjerohet nga liturgjia të kemi një qëndrim e sjellje themelore për ta jetuar mirë kohën e Ardhjes . Ta kuptojmë çka do të thotë thirrja e Jezusit ‘rrini zgjuar’ e ‘rrini gati’. Nga njëra anë domethënë të presësh, në kuptimin e pritjes së atij që vjen; nga tjetra anë do të thotë të presësh, në kuptimin e animit drejt tij, të orientimit e ecjes sonë drejt tij, me angazhimin e konvertimit tonë, të bindjes, të dashurisë. Siç na kujton shën Pali në Leximin II, të presësh dritën e ditës që vjen, na impenjon qysh tani duke jetuar si bijë të dritës, duke flakur larg nesh veprat e errësirës, për t’u veshur me armët e dritës. Pritja shndërrohet kështu në impenjim e risi të jetës.

          Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë nga Isaia profet  Is 2, 1-5

Isaia profet e parashikon në të ardhmen kryerjen e planit hyjnor të shpëtimit: të gjithë popujt do të dynden në Jeruzalem,  qyteti i Hyjit, qyteti i paqes.  Jeruzalem do të thotë “qytet i paqes”, dhe është simbol i njerëzimit të dashur prej Hyjit. Megjithë pabesnikëritë e tij, Hyji e rindërton dhe bën të lindë prej tij Paqen mbi tokë dhe Bamirësinë e Hyjit ndaj njerëzve.

Lexim prej Librit të Isaisë profet (2,1-5)

Vegimi që pa Isaia, biri i Amosit, në lidhje me Judenë e Jerusalemin. Do të ndodhë në kohën e ardhshme: mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve, e do të ngallitë përmbi kreshta dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai. Tek ai do të shkojnë shumë fise e do të thonë: “Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Hyjit të Jakobit që të na i mësojë udhët e veta e të ecim shtigjeve të tija,” sepse nga Sioni do të dalë Ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit. Ai do të jetë gjykatësi i popujve dhe do t’i gjykojë fiset e shumta, shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngritë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë. Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit! Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi (121/122, 1-2.4-9)

Të shkojmë me gëzim në  takim me Zotin.

Sa u gëzova kur më thanë: “Eja të shkojmë në shtëpinë e Zotit!”

Ja, tashmë këmbët tona shkelën në dyert e tua, o Jerusalem!

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, sipas rregullores në Izrael për të kremtuar emrin e Zotit.

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, selitë e shtëpisë së Davidit!

Lutuni për paqen e Izraelit: “U priftë e mbara atyre që të duan ty!

Mbretëroftë paqja në muret e tua dhe qetësia në pirgjet e tua!”

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi do të them:

“Paqja me ty!” Për dashuri ndaj shtëpisë së Zotit,

Hyjit tonë, do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat.

 

Leximi dytë nga letra e shën Pali drejtuar Romakëve

Shën Pali duke u shkruar Romakëve na fton të përgatitemi për ardhjen e ditës së Zotit, duke i flakur tej veprat e territ dhe duke u veshur me armët e dritës. Për të krishterin qëndron pikërisht këtu kuptimi i historisë njerëzore dhe i historisë së vet: të ecësh drejt Krishtit. I krishteri është një person pa durim, që do të shpejtojë takimin me Krishtin, dritën e botës.  Ai nuk mund të fle, që kur Krishti ka fituar mbi natën dhe ka inauguruar ditën e re.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve (13,11-14a)

Vëllezër, është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tash shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës. Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë. Por, vishuni me Jezu Krishtin Zot, e në kujdes për trup, mos i kënaqni prirjet e ulta. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluia, aleluia. Na e trego, o Zot, mëshirën tënde, dhe na jep shëlbimin tënd. Aleluia, aleluia.

Ungjilli   Mt 24, 37-44

Zoti Jezus duke shpallur ardhjen e tij, na fton të rrimë zgjuar me veprat e dashurisë.  Të krishterët e parë prisnin një fakt të menjëhershëm dhe përfundimtar, ndërsa bota e njerëzve të tjerë jetonte pa ideale dhe shpresa. Ndjenin nevojën të qëndronin gati, sepse Hyji vjen çdo ditë. Bëhet fjalë të jemi gati dhe të përqendruar jo nga frika e vdekjes, por për të mos humbur rastin për të qenë gjithmonë me Hyjin

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (Mt 24, 37-44)

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Si qe në ditët e Noehit – ashtu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut, dhe, sikurse në ditët para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë, e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë derisa s’erdhi përmbytja e i fshiu: ashtu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Atëherë, prej dy vetëve, që kanë për t’u gjetur në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet; prej dy grave që do të bluajnë në mokër, njëra do të merret e tjetra do të lihet. Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk e pritni.” Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.