2016-11-23 14:10:00

Me karakter marian, temat e zgjedhura nga Papa për DBR-të e ardhshme


I kushtohen Marisë, temat e zgjedhura nga Papa për Ditët Botërore të Rinisë në trivjeçarin e ardhshëm: “Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm” (Lk 1,49) për Ditën e 32-të të vitit 2017; “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!” (Lk 1,30) për Ditën e 33-të të vitit 2018 dhe “Unë jam shërbëtorja e Zotit: më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1,38) për Ditën e 34-t Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në vitin 2009 në Panama.

“Rruga shpirtërore e treguar nga Ati i Shenjtë – njofton në një komunikatë Dikasteri vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën – vijon me koherencë reflektimin e filluar gjatë tre Takimeve të fundit rinore (2014-16), përqendruar mbi lumnitë ungjillore. Siç e dimë, Maria do të quhet e Lume nga të gjitha brezat (shih Lk 1,49). Në fjalimin e përgatitur për takimin me vullnetarët e DBR-së në Krakov, Papa Françesku paraqiste qëndrimin e Nënës së Jezusit, duke e dhënë si shembull për t’u imituar. Pastaj, duke folur pa letër, në atë rast, Ati i Shenjtë i ftoi të rinjtë të kujtojnë të kaluarën, të kenë guxim në të tashmen e të kenë e të jenë shpresa e së ardhshmes.

Tri temat e njoftuara – shpjegohet në notë – synojnë t’i japin shtegtimit shpirtëror të Ditëve të ardhshme Botërore të Rinisë një tipar të fuqishëm marian, duke evokuar njëkohësisht, imazhin e një rinie për udhë ndërmjet së kaluarës (2017), së tashmes (2018) dhe së ardhmes (2019), frymëzuar nga tre virtytet teologale: feja, shpresa e dashuria. Rruga, që u propozohet të rinjve tregon edhe një përkim të qartë me reflektimin që Papa Françesku ia beson Sinodit të ardhshëm të ipeshkvijve: Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes për t’ia kushtuar jetën Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.