2016-11-22 11:51:00

Nga e enjtja, Simpoziumi i Fondazionit Ratzinger për eskatologjinë


“Eskatologjia; analiza dhe perspektiva”: kjo është tema e Simpoziumit VI Ndërkombëtar, që do të mbahet të enjten e të premten në Universitetin e Shën Kryqit në Romë, promovuar nga Fondacioni vatikanas “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”. Është një nga takimet më të rëndësishme të Fondacionit, në të cilin marrin pjesë studiues, biblistë dhe teologë. Ndërmjet tyre edhe dy rabinë: Riccardo Di Segni, kryerabini i bashkësisë hebraike të Romës dhe Moshe Idel nga Jeruzalemi. Në përfundim të simpoziumit do të dorëzohet Çmimi Ratzinger, i cili këtë vit i jepet imzot Inos Biffi-t, teolog me veprimtari të gjatë e të frytshme, si edhe profesorit ortodoks grek Ioannis Kourempeles. Atë Federiko Lombardi, kreu i Këshillit Administrativ të Fondacionit, shpjegon, në mikrofonin e Radio Vatikanit, arsyen e kësaj përzgjedhjeje:

Çmimi Ratzinger arrin në edicionin e tij të gjashtë. Është çmim, që synon të vlerësojë punën serioze në studimin e teologjisë, ashtu siç dëshiron vetë Papa Benedikti XVI për Fondacionin: të nxisë e si rrjedhojë edhe të vlerësojë studimin e teologjisë. Është dhënë gjithnjë me propozimin e Komitetit Shkencor të Fondacionit, që aktualisht përbëhet nga kardinajt Amato, Koch, Ravasi dhe nga kryeipeshkvi Ladaria. Çdo vit i propozohen Papës dy studiues të shquar në fushën e teologjisë. Deri tani, janë dhënë 13 çmime për studiues, që vijnë nga 11 vende të ndryshme të botës. Njëri prej çmimeve, në të kaluarën, i është dhënë një anglikani e sivjet, i jepet një ortodoksi. Por cilat janë dy personalitetet e sivjetme? Imzot Biffi është teolog i moshuar, në përfundim të një veprimtarie të gjatë pune kërkimore teologjike shumë të frytshme, të pasur me publikime. Ka dhënë mësim në Fakultetin teologjik të Italisë Veriore, në Fakultetin teologjik të Luganos, është anëtar akademish, i Akademisë së teologjisë, i Akademisë së Shën Tomës, studiues i madh i Shën Tomës dhe i historisë së teologjisë së Mesjetës e pak a shumë, të të gjitha epokave. Pra, është figurë me shumë autoritet në fushën e studimeve teologjike e ky vlerësim ka të bëjë me punën e një jete. Përsa i përket profesor Kourempeles, kriteri ka qenë i ndryshëm. Ai është më i ri, pak a shumë 50 vjeçar, prandaj, nuk ka ndonjë kurrikulum të pasur me publikime, ashtu si imzot Inos Biffi, por impenjohet me rezultate të shkëlqyera në fushën e teologjisë. Për shembull, ka një libër të rëndësishëm për Roman Melodinë, shenjtor poet, i nderuar si nga Kisha Katolike, ashtu edhe nga ajo ortodokse. Gjithashtu, po e orienton gjithnjë e më tepër reflektimin e tij mbi mendimin e Joseph Ratzinger, duke ia njohur vlefshmërinë edhe për teologjinë lindore, pra po jep kontribut në takimin ndërmjet mendimit të Lindjes e atij të Perëndimit. Profesor Kourempeles ka marrë pjesë në vitet e kaluara në një nga takimet e “Ratzinger Schulerkreis”, pra në rrethin e studiuesve të mendimit të Benediktit XVI, me një relacion të rëndësishëm për këto tema. Pikërisht kjo veçori e bëri Komitetin ta propozojë për çmimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.