Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Letra apostolike e Papës: qendra nuk është ligji, por dashuria e Zotit

Papa Françesku përkëdhelë një fëmijë gjate audiences se pergjithshme te se merkures ne sheshin e Vatikanit, 10 dhjetor 2014 - ANSA

21/11/2016 14:47

“Kjo është koha e mëshirës”: e pohon Papa në Letrën Apostolike “Misericordia et Misera” (Dhembshuri e Mëshirë),  botuar në përfundim të Jubileut. Katër, të rejat kryesore: të gjithë meshtarët mund t’i zgjidhin ato, që kanë bërë mëkatin e abortit; Misionarët e mëshirës do të vijojnë shërbesën e tyre; besimtarët, që ndjekin Vëllazërinë e Shën Piut X mund të vijojnë ta marrin në mënyrë të vlefshme zgjidhjen sakramentore e, së fundi, themelimi i Ditës botërore të të varfërve.

Takimi ndërmjet dhembshurisë e mëshirës

Papa Françesku zgjedh si ikonë të Jubileut të sapopërfunduar, takimin e Jezusit me gruan  kurorëthyese: “Mëkati e gjykimi nuk takohen në mënyrë abstrakte, po konkretisht. Takohen mëkatarja e Shpëtimtari; “Misericordia et Misera” (Dhembshuria e Mëshira) - siç shprehet Shën Agostini.

Jezusi e  risjell dashurinë në qendër të Ligjit të Moisiut 

Skribët e farizenjtë i bëjnë Jezusit një pyetje dredharake, duke cituar Moisiun i cili, në ligjin e tij, urdhëron të mbyten me gurë gratë që thejnë kurorën, siç kish bërë ajo, e flakura tek këmbët e Jezusit. Po Jezusi - pohon Papa - ia rikthen ligjit të Moisiut ndjetin e zanafillës. Në qendër nuk është ligji, as drejtësia ligjore, por dashuria e Zotit, që di të lexojë në zemër të çdo njeriu, për t’ia kuptuar dëshirën më të fshehtë, dashuri që duhet të ketë përparësi mbi gjithçka. Kështu Jezusi e pa në sy atë grua e lexoi në zemrën e saj: aty  shkruhej dëshira për t’u kuptuar, për t’u falur, për t’u liruar. E që në atë çast, kur e ndjen fuqimisht mëshirën, ndonëse mbetet në gjendjen e ligështisë së mëkatit, ajo pushtohet nga dashuria, e cila i krijon mundësinë të shikojë përtej  e të jetojë ndryshe.

Vlera themelore e ligjit

“Nuk ka ligj as rregull - shpjegon Papa - që mund ta ndalojë Zotin ta përqafojë djalin e rikthyer, duke e pranuar se ka gabuar e i vendosur të rifillojë një jetë të re. Të ndalohesh vetëm tek ligji, do të thotë ta bësh të kotë fenë e edhe mëshirën hyjnore. Ligji ka një vlerë themelore (krh Gal 3,24), që përfundon gjithnjë tek mëshira (krh 1Tm 1,5). Gjithsesi i krishteri është i thirrur ta jetojë risinë e Ungjillit, “ligjin e Shpirtit, që jep jetë në Jezu Krishtin”(Rom 8,2). “Edhe në raste më të ndërlikuara, kur bëhen përpjekje të ketë epërsi drejtësia, që rrjedh vetëm prej ligjeve, duhet besuar në forcën me burim në hirin hyjnor”  

Askush nuk mund t’i vërë kushte mëshirës së Zotit

Asnjë nga ne - shkruan Françesku - nuk mund t’i vërë kushte mëshirës. Ajo mbetet gjithnjë akt pa kurrfarë shpërblimi i Atit Qiellor, dashuri e pakushtëzuar dhe e pamerituar. E ne nuk mund të rrezikohemi duke iu kundërvënë  lirisë së plotë të dashurisë, me të cilën Zoti hyn në jetën e çdo njeriu. Mëshira është veprim konkret i dashurisë që, duke falur, e shndërron krejtësisht jetën. Në një kulturë, shpesh të sunduar nga teknika – vërejti Papa - në të cilën shikojmë të shumëfishohen format e trishtimit, të vetmisë e edhe të dëshpërimit, ndjehet fort nevoja për dëshmitarë të shpresës e të gëzimit të vërtetë, për t’i shporrur larg nesh kimerat, që premtojnë lumturi të fituar lehtë, në parajsat artificiale.

Mëshirë e zbrazur mbi botën mbarë

“Kremtuam një Vit të ngarkuar me një mori ngjarjesh - kujton Papa - gjatë të cilit na u dhurua me begati hiri i mëshirës. Si një erë e fortë, spastruese, mirësia e mëshira e Zotit u shpraz mbi botën mbarë. Tani duhet vijuar ecja në këtë rrugë, të epshëm ndaj Shpirtit Shenjt, që na tregon gjithnjë shtigje të reja për t’u përshkuar e për t’ua çuar të gjithëve Ungjillin, që shpëton” . Papa kujton qendërsinë e mëshirës në kremtimin eukaristik e në Fjalën e Zotit, fton t’i kushtohet një e dielë e Vitit liturgjik thellimit në Shkrimin Shenjt, duke nxitur të vihet fort në dukje, gjatë homelive të përgatitura sa më mirë.

Rrëfyesit: mikpritës, të qartë, bujarë në falje

Papa flet posaçërisht për Sakramentin e Pajtimit, që duhet të ketë rishtas  vendin  kryesor në jetën e krishterë. Ky është çasti në të cilin ndjejmë përqafimin  e Atit, që vjen të na takojë, për të na e dhënë hirin e bijve  të rikthyer tek Ai. Meshtarëve u kërkon të jenë mikpritës me të gjithë, dëshmitarë të dhembshurisë atërore, pavarësisht nga pesha e rëndë e mëkatit; të zellshëm për të ndihmuar në reflektimin mbi të keqen e bërë, të qartë në paraqitjen e parimeve morale; të gatshëm për t’i shoqëruar besimtarët në udhën pendestare, duke bërë të njëjtin hap me ta, me durim e shpresë; largpamës në shoshitjen e çdo rasti të veçantë; bujarë në dhënien e faljes së Zotit. Ashtu si Jezusi përballë gruas së pabesë zgjodhi rrugën e heshtjes për ta shpëtuar nga dënimi me vdekje, kështu edhe meshtari në rrëfyestore duhet të jetë shpirtmadh, duke  e ditur mirëfilli se çdo pendestar i kujton se edhe ai vetë është mëkatar, ndonëse shërbyes i mëshirës. Prej këndej, nisma “24 orë për Zotin”, që mbetet thirrje e fortë baritore  për ta jetuar thellësisht Sakramentin e Rrëfimit.

Misionarët e Mëshirës vijojnë shërbimin

Letra nënvizon përvojën e hirit, përjetuar nga Kisha gjatë Vitit jubilar, me shërbimin e Misionarëve të Mëshirës, duke njoftuar se ky shërbim i jashtëzakonshëm do të vazhdojë edhe përtej Vitit Shenjt, “si shenjë konkrete se hiri i Jubileut vazhdon të jetë, në anë të ndryshme të botës, i gjallë dhe i frytshëm”. Do të jetë Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri ai, që do të gjejë format më koherente për ushtrimin e këtij shërbimi të çmuar.

Të gjithë meshtarët mund të zgjidhin mëkatin e abortit

Pastaj, “që të mos ketë asnjë pengesë ndërmjet kërkesës për pajtim me Zotin dhe faljes së Hyjit”, Papa Françesku u lejon “që tani e tutje, të gjithë meshtarëve, në sajë të ministerit të tyre, të zgjidhin nga mëkati i abortit personat që njollosen me të. Sa pata lejuar në mënyrë të kufizuar gjatë periudhës jubilare – saktëson Papa – shtrihet tani në kohë”. Papa thekson me të gjitha forcat “se aborti është mëkat i rëndë, sepse i jep fund jetës së pafajshme. Gjithsesi, me të njëjtën forcë”, pohon “se nuk ka asnjë mëkat, që nuk mund të arrihet e të shkatërrohet nga mëshira e Zotit, kur gjen një zemër të penduar, e cila kërkon të pajtohet me Atin Qiellor”.

Vëllazëria e Shën Piut X: rrëfimi, i vlefshëm

Gjithashtu, Papa e zgjat përtej Jubileut edhe mundësinë “që besimtarët, të cilët për arsye të ndryshme, frekuentojnë kisha ku kremtojnë meshtarë të Vëllazërisë së Shën Piut X, të marrin zgjidhjen sakramentore të mëkateve”. Kjo është e vlefshme dhe e ligjshme, nënvizon Ati i Shenjtë, duke shprehur urimin që, me ndihmën e Zotit, të arrihet bashkimi i plotë i kësaj Vëllazërie me Kishën Katolike.

Familjet në vështirësi

Më pas, Papa Françesku flet për familjet, duke ftuar “të shihen të gjitha vështirësitë njerëzore me sytë e dashurisë së Zotit, që nuk lodhet së prituri e së shoqëruari”. Meshtarëve u kërkohet “një shqyrtim shpirtëror i kujdesshëm, i thellë dhe largpamës, që kushdo - pa përjashtuar askënd, pavarësisht nga situata në të cilën jeton - të ndjehet konkretisht i mirëpritur nga Hyji, të marrë pjesë aktive në jetën e bashkësisë e të integrohet” me Popullin e Zotit.

Dita Botërore e të varfërve

“Përfundon Jubileu e mbyllet Porta Shenjte – shkruan Papa. Por porta e mëshirës në zemrën tonë mbetet gjithnjë e hapur dykanatësh. Mësuam se Zoti përkulet mbi ne (shih Oz 11,4), që edhe ne të mund ta imitojmë, duke u përkulur mbi vëllezërit”, në veçanti, mbi të varfërit e të vuajturit. “Nuk mund t’i harrojmë të varfërit”, ngul këmbë Ati i Shenjtë, prandaj në Letrën Apostolike “Misericordia et misera” lajmëron për themelimin e Ditës Botërore të të varfërve, që Kisha Katolike do ta kremtojë të Dielën e 23-të të vitit liturgjik. “Deri kur Lazri të jetë te porta e shtëpisë (shih Lk 16,19-21) – nënvizon Papa – nuk mund të ketë as drejtësi, as paqe shoqërore” në botë.

Revolucion kulturor përmes fantazisë së mëshirës

“Është çasti – përfundon Papa – t’i hapim vend fantazisë së mëshirës”, e cila, përmes thjeshtësisë së gjesteve të përditshme - “shenja konkrete mirësie dhe ëmbëlsie ndaj më të vegjëlve e më të pambrojturve, ndaj më të vetmuarve e më të braktisurve” - mund “të fillojë një revolucion të vërtetë kulturor” në të gjithë botën.

21/11/2016 14:47