2016-11-20 14:01:00

Françesku, në Engjëllin e Tënzot, i falënderon të gjithë ata, që punuan për Jubileun


Në Engjëllin e Tënzot, sot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku i falënderon të gjithë ata, që u angazhuan për suksesin e Jubileut. Më pas kujton Lumnimin e djeshëm të Atë Maria Eugjenit të Krishtit Fëmijë, në Avinjon. Së fundi, ia porosit gjithë besimtarët Virgjërës Mari, që t’i ndihmojë për të fituar fryte të begata nga dhuratat e shpirtërore të Jubileut të Mëshirës.

Falënderim, të gjithë atyre, që u angazhuan për Jubileun. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa u shpreh mirënjohjen të gjithë atyre, që punuan, në fusha të ndryshme, për Vitin Shenjt të Mëshirës.

Faleminderit institucioneve italiane, që punuan për suksesin e Jubileut

Françesku përshëndet posaçërisht Presidentin e Republikës së Italisë e, përmes tij, të gjitha institucionet italiane si dhe forcat e rendit:

“Falënderoj në mënyrë të veçantë Këshillin Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri si dhe të gjitha ata, që kontribuan në drejtime të ndryshme. U shpreh mirënjohjen edhe atyre, të cilët ndihmuan shpirtërisht  për suksesin e Jubileut: mendoj për shumë njerëz të moshuar e të sëmurë, që u lutën papushim, duke i ofruar edhe vuajtjet e tyre për Jubileun. Posaçërisht dua të falënderoj murgeshat e klauzurës, në prag të Ditës Pro Orantibus, që  do të kremtohet nesër”.

Papa i fton besimtarët t’i kujtojnë posaçërisht këto motra, të cilat i kushtohen plotësisht lutjes dhe kanë nevojë për solidaritet shpirtëror e material. Më pas kujton Lumnimin e djeshëm, në Avinjon të Francës, të Atë Maria Eugjenit të Krishtit Fëmijë, karmelitan i zbathur, themelues i Institutit shekullar “Zoja e jetës”, njeri i Zotit, i vëmendshëm ndaj  nevojave shpirtërore e materiale të të afërmit.

Jubileu duhet të vijojë të japë fryte shpirtërore në zemrën e besimtarëve

Pastaj, përshëndetja përfundimtare drejtuar shtegtarëve, me urimin që Jubileu të vijojë të japë fryte, edhe pas përfundimit të tij:

“Dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht ju të gjithë, që erdhët nga vise të ndryshme për mbylljen e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit! Virgjëra Mari na ndihmoftë të gjithëve t’i ruajmë në zemër dhuratat shpirtërore të Jubileut të Mëshirës dhe t’i bëjmë të japin fryte të reja, të begata”.








All the contents on this site are copyrighted ©.