2016-11-19 00:00:00

“Shtegtim” në Jubileun e Mëshirës


Jezu Krishti është fytyra e mëshirës së Atit. Këto, fjalët e para të “Misericordiae Vultus”, Bulës për shpalljen e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, i cili po shkon drejt përfundimit. Domethënëse, data e hapjes: 8 dhjetori i vitit të kaluar, kur kremtohej edhe 50-vjetori i përfundimit të Koncilit II të Vatikanit, Solemniteti i zënies pa mëkat të Virgjërës Mari e edhe mbyllja e Vitit liturgjik, që bie më 20 nëntor, në Solemnitetin e Krishtit, Mbret i Universit. Jubile vërtet i jashtëzakonshëm ky, në shumë aspekte; ndërmjet të cilave, prania që nga fillimi, e një Pape nderi, Benediktit XVI. Në krye të punës organizative ishte imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Po rikujtojmë sot etapat kryesore të Jubileut të Mëshirës.

Bariu i mirë, që mbart njeriun mbi shpatulla! Logoja e Jubileut ishte katekizëm simbolik i këtij Viti Shenjt, që synoi t’i çojë botës dashurinë e Zotit. Mision ky, që u theksua në shumë prej fragmenteve të Ungjillit,  ndjekur gjatë këtij viti: nga fragmenti i djalit plangprishës, tek ai i Samaritanit të mirë e tek thirrja e Mateut, e që u përmblodh në vetë moton e Jubileut: “Të mëshirshëm, si Ati”. Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës u lidh me fije të dyfishta me Koncilin II të Vatikanit, sepse “kishte ardhur koha për ta kumtuar Ungjillin në një mënyrë të re”, siç nënvizoi që në fillim Papa, në Bulën e shpalljes: “Zemra e ftesës së Papës, ishte, e është: të krishterët të jenë mjete të mëshirës”.

Papa hapi Portën Shenjte së pari në Bangui e, më pas, në Romë

Më se 20 milionë, shtegtarët që erdhën në Romë për një Jubile, i cili për herë të parë në histori, krijoi mundësinë për ta hapur Portën e mëshirës edhe në dioqezat e veçanta. E nuk mbarojnë këtu, veçoritë e këtij Viti Shenjt; para se ta hapte Portën Shenjte në Shën Pjetër, Françesku e hapi në Bangui, në Republikën Qendrafrikane, më 29 nëntorin e vitit të kaluar. Kështu, Porta e parë Shenjte u hap në një vend të dërmuar nga lufta civile, simbol i atyre periferive ku, për Papën, duhet shkuar, për ta parë prej atje realitetin.

Veprat trupore e shpirtërore të mëshirës: gjeste të thjeshta, por revolucionare

Një mëshirë, që u bë korp e gjak në shumë nga ngjarjet e rëndësishme, të cilat ndoqën njëra-tjetrën në këtë Jubile, si ngjarja e 12 qershorit, kur u kremtua Dita kushtuar të sëmurëve e njerëzve me kufizime fizike e mendore. Ishte hera e parë që, në Sheshin e Shën Pjetrit, Ungjilli jo vetëm shpallej, por edhe rijetohej, përmes shfaqjes me temë ungjillore, dhënë nga një grup të sëmurësh me kufizime, që të kuptohej më mirë nga shtegtarët me probleme të këtij tipi. Papa nuk i harroi as të rinjtë, me të cilët u takua më 24 prill,  për t’u kërkuar të ndjekin një “program” të lartë në jetë:

“Bëni si bëjnë kampionët sportivë, që arrijnë rezultate të larta duke u stërvitur me përvujtëri e durim ditë për ditë. Programi juaj i përditshëm duhet të jenë veprat e mëshirës! Stërvituni me entuziazëm në to, për t’u bërë kampionë të jetës, kampionë të dashurisë! E kështu do të njiheni se jeni dishepuj të Krishtit”.

Veprave të mëshirës fizike e shpirtërore Papa i kushtoi disa katekizma, duke shpjeguar se revolucioni i vërtetë kulturor kalon përmes gjesteve të thjeshta, që mund e duhet t’i bëjë secili prej nesh:

“Shpesh janë njerëzit më të afërt, ata që kanë nevojë për ndihmën tonë. Nuk duhet të shkojmë për të kërkuar kush e di se çfarë veprash të mëdha, që presin të realizohen. Është më mirë të fillojmë nga ato më të thjeshtat, që Zoti na i tregon si më urgjente. Në një botë e cila, për fat të keq, është prekur nga virusi i indiferencës, “veprat e mëshirës janë ilaçi më i mirë”.

Të Premtet e mëshirës

Të paharrueshme, në këtë Jubile, fjalët e Françeskut, të shndërruara në gjeste, siç ishin të Premtet e Mëshirës. Mjafton të kujtojmë lotët e refugjatëve, kur shkoi t’i takonte në ishullin e Lesbos, e foshnjat, në Repartin e neonatalogjisë të Spitalit të Shën Gjonit, në Romë, disa me sëmundje që kërkonin mjekime intensive. E pamë Papën duke shtrënguar pranë zemrës një fëmijë të sëmurë, a një tjetër, me të meta fizike: ishin çaste, që lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesë, ikonë e vërtetë e mëshirës. Më pas e pamë përsëri, duke u takuar edhe me gratë e çliruara nga skllavëria e prostitucionit e, pastaj, akoma, gjë që tërhoqi fuqimisht vëmendjen e opinionit publik, me meshtarët, që e kanë lënë shërbesën meshtarake, e me familjet e tyre.

Jubileu i të burgosurve dhe i të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë

E kush tjetër, më shumë se të burgosurit, mund ta ndjejnë nevojën e një ledhatimi! Françesku i priti, një mijë prej tyre, në Shën Pjetër, më 6 nëntorin e kaluar e ua kumtoi Mëshirën e Zotit, nga e cila askush nuk mund të përjashtohet, as njerëzit në pranga.

Shpresa është dhuratë e Zotit – theksoi në këtë takim të jashtëzakonshëm Papa -  duhet ta kërkojmë e ta ndezim në fundin e zemrës së çdo njeriu. Gjithnjë - saktësoi - duhet të jemi të sigurt se Zoti është pranë nesh, pavarësisht  nga e keqja, që kemi bërë:

“Nuk ka skutë në zemrën tonë, ku të mos ketë arritur dashuria e Zotit. Ku është njeriu që gaboi, atje bëhet edhe më e pranishme mëshira e Atit, për të ngjallur pendim, falje, pajtim e paqe”.

Misionarët e mëshirës

Një karakteristikë tjetër dalluese, që u theksua nga vetë Bula jubilare, ishte ajo e “Misionarëve të mëshirës”, rrëfyes të posaçëm, me autoritet për të falur edhe mëkate e rezervuara për Selinë e Shenjtë. Papa deshi t’ì niste në të katër anët e botës, si kasnecë të Ngjalljes.

Tani, që Jubileu po mbyllet, na vijnë në kujtesë aq shumë ngjarje e fytyra jubilare, sa është e vështirë t’i përfshish në një shkrim të shkurtër e të thjeshtë. E veçanërisht, kujtojmë audiencat jubilare të mëngjesit të së shtunës, me të cilat Papa u krijoi shtegtarëve mundësinë ta takojnë edhe përtej audiencave të së mërkurës, që sivjet, natyrisht, iu kushtuan Mëshirës. E pikërisht në audiencën jubilare, në prag të takimit me njerëzit e përjashtuar nga radhët e shoqërisë, Papa shpjegoi ç’do të thotë të mikpresësh:

“… pa i klasifikuar të tjerët mbi bazën e kushteve shoqërore, gjuhës, racës, kulturës, fesë: para nesh kemi vetëm njeriun, që duhet dashur. Ai që takoj në punën time e në lagjen time, është njeri që duhet dashur, ashtu si do Zoti. ‘Po ky është prej këtij vendi … është prej një vendi tjetër, beson në këtë fe e në  atë fe…’. Është njeri që e do Zoti, e duhet ta dua edhe unë. Kësaj i thonë të përfshish, e kjo është përfshirja” .

Porta Shenjte do të mbyllet, por nuk mbyllet kurrë zemra e Zotit

U mbyll një Jubile, i cili pati një mori ngjarjesh ekumenike e çastesh të dialogut ndërfetar, që nga Dita Botërore e Rinisë, tek Shenjtërimi i Nënë Terezës së Kalkutës, ikonë e mëshirës, e cila u përkul mbi çdo njeri që takoi rrugëve të botës e që kishte nevojë për ndihmën e saj. E edhe tek çastet kushtuar meshtarëve e vullnetarëve, familjeve e të rinjve. Françesku deshi t’u flasë të gjithëve: të krishterë e jo të krishterë, për ta vënë në qendër Kishën dhe kumtimin e krishterë të mëshirës, që nuk gjykon, por fal. Mëshirë, në hebraisht “rahamim”, vjen nga “rehem”, prehëri i nënës: jemi para një dashurie të aftë për të krijuar, ashtu si krijon Mëshira! Porta  Shenjte po mbyllet, por jo zemra mëshirëmadhe e Zotit, e as zemrat tona - uron Papa. 








All the contents on this site are copyrighted ©.