2016-11-19 12:54:00

Papa kardinalit shqiptar Ernest Simoni Troshani: “I dashur vëlla, ji i aftë të falësh, gjithnjë!”.


Papa Françesku kryesoi sot, në Bazilikën e Vatikanit, Koncistorin publik për krijimin e 17 kardinajve të rinj, ndërmjet të cilëve, kardinali shqiptar, dom Ernest Simoni Troshani. Kolegji kardinalor tani përbëhet nga 228 kardinaj, nga të cilët, 121 zgjedhës. Ja Homelia e Papës Françesku në Meshën e Koncistorit të rregullt të 19 nëtorit 2916 në Baziliken e Shën Pjetrit, gjatë të cilit kremtim Ati Shenjtë krijoi 17 Kardinaj të rinj të Kishës Katolike.

Fragmentin e Ungjillit, që sapo e dëgjuam (krh Lk 6,27-36) shumëkush e ka quajtur “fjalimi i fushës”. Pasi i zgjodhi të Dymbëdhjetët, Jezusi zbriti me dishepujt e vet atje, ku një shumicë njerëzish e prisnin që ta dëgjonin e t’i shëronte. Thirrja e Apostujve shoqërohet me “vënien për udhë” drejt fushës, drejt takimit me turmën që, siç thotë teksti i Ungjillit, ishte e lodhur dhe e këputur (krh v,18). Zgjedhja, në vend që t’i mbante në majë,  mbi mal, në majë të malit, i çon në zemrën e turmës. I vë në mes të vuajtjeve të saj, në planin e jetës së saj. Kështu Zoti u tregon  atyre, e edhe ne, se maja e vërtetë, që arrihet në fushë, gjindet në një shikim e, posaçërisht, në një thirrje: “Të jeni të mëshirshëm, ashtu si është i mëshirshëm Ati juaj”. (v 36).

Ftesë, kjo, e shoqëruar nga katër urdhërime, a, mund të themi, nga katër nxitje, që Zoti ua drejton atyre, për të formuar thirrjen në jetën konkrete, në të përditshmen e tyre. Janë katër veprime, që i japin formë, i japin korp, e bëjnë të qartë udhën e dishepullit. Mund të themi edhe se janë katër etapa të mistagogjisë së mëshirës: duani, bëni mirë, bekoni, lutuni! Mendoj se të gjithë pajtohemi me to e të gjithëve na duken edhe të arsyeshme. Janë katër veprime, që mund t’i realizojmë lehtësisht me miqtë tanë, me njerëzit pak a shumë të afërt, të afërt në ndjesi, në shije, në doke e zakone.

Problemi lind kur Jezusi na paraqet ata, të cilëve u kushtohen këto veprime, e në këtë drejtim është krejt i qartë, nuk përdor perifraza, as eufemizma. Duajini armiqtë tuaj! Bëjuni mirë, atyre që ju urrejnë! Bekojini ata, që ju mallkojnë! Lutuni për ata, që  sillen keq me ju! (krh vv 27-28).

E këto nuk janë veprime që kryhen vetvetiu me ata, që i kemi para nesh si kundërshtarë, si armiq! Përballë tyre, sjellja jonë e parë është instinktive. Mendimi i parë është t’ua nxjerrim bojën, t’i mbulojmë me turp, t’i mallkojmë; e në shumicën e rasteve, synojmë edhe “t’i demonizojmë”, në mënyrë që të kemi një justifikim “shenjt” për t’i hequr qafe. Përkundrazi, kur bëhet fjalë për armikun, Jezusi na thotë: duaje, bëji mirë, bekoje, lutu për të!

Jemi para njërës nga karakteristikat më tipike të mesazhit të Jezusit, ku fshihet forca e sekreti i Tij. Prej këtej vjen burimi i gëzimit tonë, pushteti i misionit tonë, kumtimi i Lajmit të Mirë. Armiku është ai, që unë duhet ta dua. Në zemrën e Zotit nuk ka armiq. Zoti ka vetëm bij. Ne ngremë mure, lartojmë gjerdhe e i klasifikojmë njerëzit. Zoti ka vetëm bij, e jo pikërisht  për t’i hequr qafe. Dashuria e Zotit ka shijen e besnikërisë për njerëzit, sepse është dashuri, që pushton gjithë qenien, dashuri amtare/atërore, që nuk i braktis kurrë bijtë, as atëhere kur gabojnë. Ati Ynë nuk pret ta dojë botën, kur ne do të jemi më të mirë, nuk pret të na dojë, kur të jemi më të drejtë e më të përkryer; na do, sepse ka vendosur të na dojë; na do, sepse na ka dhënë statusin e bijve. Na deshi edhe kur ishim armiqtë e tij (krh Rom 5,10). Dashuria pa kushte e Atit për të gjithë ishte, e është, kërkesa e vërtetë  e kthesës për zemrën tonë të varfër, që priret të gjykojë, të përçajë, të kundërshtojë, të dënojë! Vetëdija se Zoti vijon ta dojë edhe njeriun që  nuk e do, është burim i pashterrshëm besimi e nxitjeje për mision. Asnjë dorë e ndyrë nuk mund ta pengojë Zotin ta vërë në këtë dorë Jetën, që dëshiron të na dhurojë.

E jona, është epokë që karakterizohet nga problematika të forta e nga pikëpyetje në shkallë botërore. Jetojmë në një kohë kur, në shoqëritë tona, lindin epidemikisht polarizimi e përjashtimi, parë si e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur konfliktet. Shikojmë, për shembull, sesi njeriu që kemi pranë, ka jo vetëm statusin e të panjohurit, të emigrantit a të refugjatit, por bëhet edhe kërcënim, fiton statusin e armikut! Armik, pse vjen nga një tokë e largët, ose pse ka zakone të ndryshme nga tonat. Armik, për shkak të ngjyrës së lëkurës, të gjuhës e të gjendjes së tij shoqërore, armik pse mendon ndryshe e edhe pse ka fe tjetër. Armik për... E, pa u kujtuar aspak, kjo logjikë  pushton mënyrën tonë të jetesës, të veprimit, të sjelljes. Kështu  gjithçka e të gjithë  nisim të ndjejmë shijen e armiqësisë. Pak nga pak ndryshimet shndërrohen në simptoma mërie, kërcënimi e dhune. Sa e sa plagë thellohen për shkak të kësaj epidemie të armiqësisë e të dhunës, të cilat  peshojnë rëndë mbi korpin e shumë njerëzve, që nuk kanë zë, sepse britma e tyre është ligështuar, është shuar, është shndërruar në heshtje, për shkak të sëmundjes së indiferencës! Sa situata varfërie e vuajtjeje mbillen përmes thellimit të kësaj armiqësie ndërmjet popujve, ndërmjet nesh. Po, ndërmjet nesh, brenda bashkësive tona, në meshtarët tanë, në takimet tona. Virusi i polarizimit dhe i armiqësisë depërton në mënyrën si mendojmë, si ndjejmë, si veprojmë. Nuk kemi imunitet nga ky virus e duhet të ruhemi që një sjellje e tillë të mos e pushtojë edhe zemrën tonë, sepse do t’i kundërvihej  pasurisë dhe universalitetit të Kishës, që mund ta prekim me dorë në këtë Kolegj Kardinalor. Vijmë nga troje të largëta, kemi doke, ngjyrë lëkure, gjuhë, gjendje shoqërore të ndryshme; mendojmë ndryshe e edhe e kremtojmë fenë me rite të ndryshme. E asnjë nga këto cilësi, nuk na bëjnë armiq, përkundrazi, është një nga pasuritë tona më të mëdha.

Të dashur vëllezër, Jezusi nuk pushon së “zbrituri nga mali”, nuk pushon së na përfshiri në udhëkryqin e historisë sonë, për të kumtuar Ungjillin e Mëshirës. Jezusi vijon të na thërrasë e të na ftojë në “fushën” e popujve tanë, vijon të na ftojë ta shkrijmë jetën tonë, duke mbështetur shpresën e njerëzve tanë, si shenjë pajtimi. Si Kishë, vijojmë të jemi të ftuar t’i hapim sytë për të parë plagët e vëllezërve e të motrave, mbetur pa dinjitet.

I dashur vëlla Kardinal i ri, udha drejt qiellit nis në ultësirë, në të përditshmen e jetës, të thyer e të ndarë bashkërisht, të një jete të shkrirë e të dhuruar. Në dhuratën e përditshme e të heshtur të asaj që jemi. Maja jonë është kjo cilësi e dashurisë: maja e synimeve tona është të përpiqemi në fushën e jetës, së bashku me popullin e Zotit, të shndërrohemi në njerëz të aftë për falje e pajtim.

Vëlla i dashur, sot të kërkohet ta ruash në zemrën tënde e në atë të Kishës, këtë ftesë për të qenë i mëshirshëm, si Ati, me vetëdijen “se çka,  duhet ta merakosë e ta shqetësojë shenjtërisht ndërgjegjen tonë, është se shumë nga vëllezërit tanë jetojnë pa forcën, pa dritën e pa ngushëllimin e miqësisë me Jezu Krishtin; pa një bashkësi feje, që t’i mirëpresë, pa horizontin e kuptimit të jetës" (Nxitja ap. Evangelii gaudium, 49).   








All the contents on this site are copyrighted ©.