2016-11-17 15:28:00

Papa pret Mar Gewargis III: të ndalet dhuna në Siri e Irak


Të ndalet dhuna “e tmerrshme” në Siri e Irak, ku ka konflikte të pajustifikueshme e ku të krishterët vuajnë përditë: këtë kërkoi Papa Françesku, në takimin me Katolikosin Gewargis III, Patriark i Kishës Asire të Lindjes. Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë u lut për bashkimin e plotë ndërmjet të krishterëve katolikë e asirë, duke përtërirë “memorien e përbashkët” të veprimtarisë ungjillëzuese.

Para takimit, një çast lutjeje në Kapelën “Redemptoris Mater” të Pallatit Apostolik e, më pas, biseda private. Në fjalën publike, Ati i Shenjtë u shpreh “i tronditur” thellë për ç’po ndodh në Siri e Irak:

“Aty, mbi qindra mijëra fëmijë të pafajshëm, mbi gra e burra, përplaset dhuna e tmerrshme e konflikteve të përgjakshme, që s’mund të justifikohen nga asnjë arsye e s’mund të lejohen. Aty, vëllezërit e motrat tona të krishtera, si edhe pakica të ndryshme fetare dhe etnike, fatkeqësisht, vuajnë përditë nga sprova të rënda”.

Është Udha e tyre e Kryqit, vijoi Papa Françesku, të cilën e përshkojnë në gjurmët e Krishtit, me të njëjtën bindje e përvuajtëri si Ai. Këta të krishterë janë modele, që na ftojnë të rrimë me Zotin në çdo rrethanë, ta përqafojmë Kryqin e Tij e t’ia besojmë vetveten, sepse prania e Krishtit bën që ta jetojmë mesazhin e tij të dashurisë, të pajtimit e të faljes edhe në ditë të këqia:

“Këtë mësojmë nga martirët e nga sa e sa njerëz, që edhe sot, me çmimin e jetës, i mbeten besnikë Zotit e së bashku me Të fitojnë mbi të keqen me të mirë. U jemi mirënjohës këtyre vëllezërve, të cilët na nxisin të ndjekim udhën e Jezusit që ta mundim armiqësinë. Ashtu si gjaku i Krishtit, i derdhur për dashuri, pajtoi e bashkoi, duke bërë të lindet Kisha, ashtu edhe gjaku i martirëve është fara e bashkimit të të krishterëve. Ai na bën thirrje të punojmë për bashkimin me dashuri vëllazërore”.

Janë bërë hapa të rëndësishme përpara, vuri në dukje Papa, duke kujtuar nënshkrimin e Deklaratës kristologjike të përbashkët ndërmjet Mar Dinkha IV dhe Shën Gjon Pali II, në vitin 1994. Ajo, sqaroi, na lejon të shprehim të njëjtën fe në misterin e Mishërimit dhe i hap udhën shtegtimit drejt bashkimit të plotë:

“Në këtë udhë, konfirmoj impenjimin e Kishës Katolike që dialogu, qysh tani i frytshëm, të shkojë përpara. Në të ardhmen, ai mund të kontribuojë për të rikrijuar harmoninë e plotë, në të mirë të bashkësive tona, që shpesh jetojnë në kontakt të ngushtë”.

Papa Françesku uroi që Komisioni i përbashkët për dialogun teologjik ndërmjet dy Kishave të hapë rrugën për bashkimin kishtar të plotë të tyre, drejt ditës kur, siç tha Ati i Shenjtë, “do të kremtojmë Flijimin e Zotit nga i njëjti elter”. Në këtë frymë, edhe fjala e Katolikosit Gewargis III, i cili kujtoi takimin me shën Gjon Palin II në vitin 1991, kur erërat e luftës frynin mbi Irak. Sot, për shkak të një konflikti tjetër, nënvizoi ai, gra, fëmijë e pleq detyrohen të ikin nga shtëpitë në kërkim të një jete më të mirë:

“Në emër të mijëra të krishterëve të shpërngulur nga Iraku e Siria dhe, në emër të atyre, që e kanë paguar me jetë e me gjak fenë e tyre në Krishtin, ju përgjërohem të vazhdojmë lutjet tona plot zjarr drejtuar Zotit të Gjithpushtetshëm që t’i japë fund dhimbjes dhe persekutimit kundër tyre. Ne duhet ta rrisim bashkëpunimin tonë vëllazëror përmes diskutimeve serioze dhe studimeve rigoroze, që nxjerrin në dritë dilemën aktuale të të krishterëve të Lindjes së Mesme. Për këtë, me përvuajtëri, sugjeroj thirrjen e një takimi ndërkombëtar të të gjithë Patriarkëve dhe Primatëve të Kishave apostolike për të studiuar e kuptuar si e pse po ndodhin këto tragjedi të patregueshme në Lindjen e Mesme. Banorët e këtyre vendeve e mbështesin mbi ne shpresën për t’u shpëtuar nga kushtet e tmerrshme në të cilat jetojnë, me bindjen se çdo gjë që do të kërkojmë, do të realizohet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.