2016-11-16 14:46:00

Raporti “Ndihmë për Kishën që vuan” mbi lirinë fetare në botë: në 23 vende, dhunime të rënda


Janë 23, vendet ku dhunohet rëndë liria fetare. Statistikat u paraqitën dje në Romë, së bashku me Raportin mbi Lirinë fetare në botë, për të cilin kujdeset çdo dy vjet Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”. “Liria fetare është nëna e të gjitha lirive të tjera”, theksoi gjatë konferencës për shtyp, presidenti i Fondacionit, kardinali Mauro Piacenza.

E në këtë udhëtim rreth botës, u mat temperatura e lirisë fetare të të krishterëve në 196 vende, përfshirë Shqipërinë e Kosovën. Raporti i 13-të dyvjeçar përfshin periudhën nga qershori i vitit 2014 deri në qershorin e këtij viti. Vendet, ku vërehen dhunime të lirisë fetare janë 38 e, në 23 prej tyre këto dhunime janë veçanërisht të rënda, shënuar me ngjyrë të kuqe në hartën e botës. Del në pah se përgjegjësit kryesorë për to nuk janë qeveritë, por organizatat militante.

Primati i trishtë i Koresë së Veriut

Primati i shtypjes së lirisë fetare i takon Koresë së Veriut. Vend i mbyllur, për të cilin jashtë dihet pak, ashtu si në kohën e komunizmit në Shqipëri. Mendohet se në kampet e punës lëngojnë 100-200 mijë të burgosur, prej të cilëve, një numër i panjohur janë të krishterë, të arrestuar e të dënuar vetëm pse u kanë gjetur Biblën në shtëpi, ose kanë marrë pjesë në takime lutjeje. Të dëgjojmë drejtorin italian të  Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, Alessandro Monteduro:

“Për Korenë e Veriut është madje e pamundur të gjejmë edhe një fotografi, që tregon sa mizor është persekutimi për aryse të fesë, në dëm të të gjitha grupeve fetare. Mund të tregojmë një episod: vetëm sepse ushtronte veprimtarinë e tij fetare, një prift u akuzua si subversiv dhe u dënua me punë të detyruar për gjithë jetën. Mund të tregojmë edhe historinë e një gruaje, që vetëm sepse shpërndau Biblën, u dënua me vdekje e familjarët e saj mbahen akoma në burg”.

I ashpër, persekutimi kundër jazidëve

Në vendin e dytë të listës së zezë të Raportit të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, janë persekutimet kundër jazidëve në veri të Irakut, por edhe ato kundër të krishterëve. Sërish, Monteduro:

“Nuk mund të mos përmend sa kanë vuajtur e sa vuajnë akoma bashkësitë jazide të veriut të Irakut. E dimë se të krishterët i kanë detyruar të ikin, por kundër jazidëve përdorin brutalitetin më të egër, sidomos kundër grave, të rejave, vajzave të vogla: atyre u janë vrarë familjarët, ato vetë janë skllavëruar”.

Një kategori e re: hiper-ekstremizmi islamik

Këtë vit, raporti paraqet një kategori të re klasifikimi: atë të hiper-ekstremizmit islamik. Qendror në veprimtarinë e ekstremistëve e të xhihadistëve, përdorimi i mediave shoqërore për të kërcënuar kundërshtarët, duke treguar gjeste mizorie të skajshme për të rekrutuar milicë:

“Deshëm të përdorim një kategori të re, që nuk ishte e pranishme në edicionet e tjera: kategorinë e hiper-ekstremizmit islamik, të ultrafundamentalizmit. Flasim për grupe terroriste si njerëzit e al-Bagdadit në zonën e Irakut e të Sirisë, si Boko Harami që synon çkrishterimin e Nigerisë, si al-Shabaabi në Somali, që vepron edhe në Kenia e në Eritre. Në këtë të fundit, persekutimi është i dyfishtë, sepse duhet pasur parasysh edhe ai shtetëror… Viktimë e kësaj kategorie ka qenë 1/5 e vendeve të botës. E më tej, ç’po ndodh me bashkësinë shiite, masakruar nga njerëzit e Isisit, tashmë dihet nga të gjithë”.

Gjendja në Shqipëri e Kosovë

Shqipëria nuk është më ndër shtetet problematike përsa i përket respektimit të lirisë së fesë, por gjithsesi, Raporti vë në dukje ngadalësinë e kthimit të pronave të bashkësive të ndryshme fetare dhe investimet saudite në ndërtimin e xhamive, përmes të cilave hyjnë në vend elemente ekstremiste. Sipas Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), 200 nga 727 xhamitë e vendit nuk veprojnë sipas standarteve ligjore dhe rregullores së bashkësisë myslimane. Rreth 150 shqiptarë janë bashkuar me xhihadistët e Isisit si “foreign fighters”. Në mars 2014, janë arrestuar 13 vetë me akuzën e rekrutimit të xhihadistëve. “Ka shumë shqetësim përsa u përket financimeve nga grupe ekstremiste islamike – nënvizohet në fund të skedës për Shqipërinë. Shumë kanë frikë se ndikimi i jashtëm po fut një mendim në kundërshtim me historinë shqiptare të një shoqërie të moderuar e shumëfetare”.

Në Kosovë, gjendja është më shqetësuese, pasi investimet saudite kanë arritur të ndryshojnë pjesërisht strukturën arkitektonike të xhamive të ndërtuara vonë, duke mos respektuar traditën. Sipas Raportit, ndërtimet janë bllokuar me ndërhyrjen e UNESCO-s, pasi po prishej trashëgimia kulturore e vendit. Shumë të rinj, denoncon Raporti, tërhiqen nga wahabizmi e kjo tregohet edhe në mënyrën e veshjes. 78 vetë, përfshirë 11 imamë, janë arrestuar në fund të vitit 2014, me akuzën se po rekrutonin ushtarë për Shtetin Islamik. Vetëm në mars 2015, qeveria e ka deklaruar të paligjshme pjesëmarrjen në konfliktet e jashtme, duke caktuar një dënim me 15 vjet burgim. Sipas burimeve të policisë, 300 burra e 36 gra të Kosovës janë bashkuar me Isisin dhe me al-Nusrën në Siri e Irak. Është numri më i lartë në Evropë, së bashku me “foreign fighters” nga Bosnjë-Hercegovina.

Vihet gjithashtu në dukje se në Kosovë duhet bërë më shumë për dialogun ndërfetar, që shprehet kryesisht në dialogun ndëretnik, pasi shumica e ortodoksëve janë serbë e pjesa myslimane e katolike janë shqiptarë. Gjithashtu, Komisioni i Venedikut i Këshillit të Evropës ka kërkuar prej kohësh disa përmirësime në Ligjin për fetë, si zgjerimin e listës së bashkësive fetare, që përbëjnë trashëgiminë historike, kulturore e shoqërore të vendit. “Kosova – përfundon Raporti – duhet t’i bëjë ballë rrezikut që modeli i saj i Islamit, tradicionalisht i hapur, të shndërrohet në fundamentalizëm. Shoqëria e ka refuzuar deri tani Islamin wahabit, por rritja e numrit të fundamentalistëve islamikë mund të përbëjë kërcënim për laicitetin e shtetit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.